Nga: Shejh Ali Tantavi
Miku im Ramazan
Mikun tim të shtrenjtë kam njohur që në fëmijërinë time të hershme në Damask. Po këtë mik, e humba për disa kohë, gjatë viteve të furishme të rinisë time, teksa bridhja sa lart poshtë në tokën e gjerë të Zotit. Kur e takova sërish, jam ndjerë tej mase i ngazëllyer dhe i përmallur. Ndarja me të më kishte mbushur plot nostalgji. Ku je ti o miku im Ramazan?
Mezi të kam pritur duke i përllogaritur kushedi sa herë netët e ditët që më ndajnë prej teje, sigurisht, aq sa mundet një fëmijë të bëjë llogari e hesape. Sa herë që ti na trokisje në portë, unë qeshja, e bashkë me mua dhe shpirti e zemra ime. E di pse? Sepse shihja të gjithë botën duke qeshur dhe gëzuar për ardhjen tënde.
Këtë ngazëllim dhe hare, e vija re në shkollën time, e cila përgjatë Ramazanit shndërrohej në një xhami të vërtetë. Orët e mësimit ishin orë të leximit të Kuranit dhe përmendjes së Zotit. Nxënësit që mbushnin bankat e shkollës ishin njerëzit më të dashur. Gjatë Ramazanit, edhe mësuesit e humbitnin ashpërsinë e tyre me ne nxënësit. Edhe ne nxënësit e harronim çdo hatër mbetje dhe urrejtje për mësuesit. Ramazani i kishte lidhur shpirtrat tanë me Zotin, në zemrat tona kishte hedhur rrënjë drita e Tij dhe kishin shijuar ëmbëlsinë e imanit. E kushdo që e shijon këtë ëmbëlsi, është e pamundur të urrejë dhe ti dojë të keqen ndokujt.
Këtë gaz e hare, e vëreja dhe në tregje, të cilët gjatë këtij muaji mbusheshin plot e përplot me mallra e ushqime për agjëruesit. Por jo vetëm kaq. Ky muaj bënte që çdo formë mashtrimi të avullonte, pasi i kishte mbushur zemrat me frikën dhe shpresën tek Zoti. Gjuhët e tregtarëve nuk e njihnin gënjeshtrën, pasi ishin pastruar nga përmendja e Zotit dhe istigfari. Atyre u kishte dalë qejfit kjo botë dhe synonin vetëm kënaqësinë e Zotit dhe botën tjetër. Të gjithë njerëzit ndiheshin të qetë, pasi askujt nuk i shkonte ndërmend të mashtrojë dhe t’ua hedhë të tjerëve. Kështu kalonte e gjithë dita e Zotit. Me tu afruar perëndimi i diellit, rrugët dhe tregjet merrnin një pamje tjetër, fytyra të gëzuara, gjuhë që nxirrnin vetëm fjalë të ëmbla dhe sy që u shkëlqenin.
Të gjithë i mbanin sytë nga minarja e Damaskut, ose mbanin veshin në pritej të oshtimës së topit, i cili sinjalizonte kohën e çeljes së iftarit. Me të dëgjuar ezanin, ose oshtimën e topit, të gjithë hynin në shtëpi për të çelur iftar.
Shihja që Ramazani i afronte zemrat dhe e forconte lidhjen e vëllazërisë islame, duke e shfaqur atë në formën më të bukur dhe të denjë. Në perëndim të diellit, edhe pse nuk njiheshin, njerëzit përshëndeteshin si të ishin miq të vjetër. Kishte persona të cilët në kohën e iftarit, u ofronin hurma arabe, rrush të thatë dhe ushqim njerëzve të cilët se kishin arritur kohën e iftarit në shtëpi. Po, ishin ushqime pa ndonjë vlerë të madhe monetare, por për shkak të emocioneve me të cilat shoqëroheshin, të dukej sikur të jepej e gjithë bota.
Gjatë Ramazanit më dukej sikur e gjithë bota qëndronte në heshtje dhe qetësi në kohën e iftarit. Ajo kohë sikur i largonte njerëzit nga hallet dhe zahmeti i kësaj bote, i largonte nga joshjet dhe tundimet e saj, e bashkonte burrin e shtëpisë me pjesën tjetër të familjes në sofrën më të bukur, kuvendin më të këndshëm dhe shkollën më të dobishme. Ah çmall më kaplon për sofrën e Ramazanin sa herë që jam larg vendit tim, atje nuk më shohin sytë agjërues e veshët nuk e dëgjojnë zërin e ezanit.
Pasi përfundonte koha e iftarit, madhështia tjetër e Ramazanit shfaqej në xhaminë omejade të Damaskut, një ndër vendet më të bukura. Që kur kam qenë fëmijë, shkoja në xhami pas akshamit, të cilën e gjeja të gëlojë nga njerëzit. Me një mikun tim bridhja sa tek një dijetar tek një tjetër, duke dëgjuar predikimet e tyre. Një ndër gjërat që më bënin përshtypje në këtë xhami, ishte se namazet me xhemat nuk ndërpriteshin asnjëherë që nga koha e drekës deri në të jacisë. Namazin e jacisë dhe të teravive në xhaminë omejade, nuk e krahasoj me asnjë namaz tjetër, përveç namazit në vendin e bekuar të Qabesë.
Ata që falnin teravitë në xhaminë omejade nuk binin asnjëherë nën pesë mijë, e natën e kadrit arrinin pesëmbëdhjetë mijë.
Ditët e fundit të Ramazanit, mblidheshin recituesit e poezive, duke recituar vargje me të cilat vajtonin largimin e muajit të bekuar.
Magjia e Ramazanit, ajo magji e vetme e lejuar, parajsa e shpirtit dhe kënaqësia e tij në këtë botë. Ndonjëherë më kaplon një dëshirë që parajsa e Firdeusit, të jetë e ngjashme me netët e Ramazanit.
…