Najjar ishte objektiv i snajperistëve teksa tentonte të ndihmonte palestinezët e plagosur gjatë demonstratave të djeshme
HAN YUNUS (AA) – Mijëra palestinezë morën pjesë në ceremoninë e varrimit të palestinezes 21 vjeçare Razan al-Najjar, e cila u vra teksa ishte vullnetare si infermiere gjatë demonstratave masive me titull “Marshi i Kthimit të Madh” në kufirin me Rripin e Gazës dhe Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).
Najjar ishte objektiv i snajperistëve teksa tentonte të ndihmonte palestinezët e plagosur gjatë demonstratave të djeshme.
Trupi i vajzës është sjellë nga spitali në Han Yunus deri te shtëpia e saj. Pjesëtarët e familjes, të afërmit, kolegët dhe të gjithë ata që e njihnin, e përcollën për te banesa e saj e përhershme.
Namazi i xhenazës është falur në xhaminë Ibad er-Rahman, ndërsa më pas është kryer varrimi.
Gjatë varrimit mund të dëgjoheshin slogane kundër Izraelit.
Pas varrimit palestinezët u nisën drejt kufirit, ku intervenoi ushtria izraelite të cilët kanë shtënë ndaj demonstruesve duke përdorur edhe gaz lotsjellës.
Nga Ministria palestineze e Shëndetësisë u njoftua se ka të plagosur.Palestinezët nga fundi i muajit mars mbajnë demonstrata masive nën emrin “Marshi i Kthimit të Madh” në kufirin e Rripit të Gazës dhe Izraelit.
Së paku 119 palestinezë nga Rripi i Gazës janë vrarë, ndërsa afër 13.000 janë plagosur nga 30 marsi kur forcat izraelite hapën zjarr ndaj protestuesve të cilët shënuan “Ditën e Tokës”, që simbolizon rezistencën ndaj pushtimit izraelit.
Protestat kulmuan më 15 maj, kur u shënua 70 vjetori i Nakbas ose Dita e Katastrofës, e cila simbolizon vuajtjet dhe persekutimin e popullit palestinez që nga themelimi i shtetit izraelit në vendin palestinez.