1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Mijëra izraelitë protestuan duke kërkuar marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve

Më të lexuarat

Mijëra protestues u mblodhën në qendër të Tel Avivit për të bërë presion ndaj qeverisë së kryeministrit Netanyahu për të arritur marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin

Dhjetëra mijëra izraelitë dolën në demonstrata dje në të gjithë vendin për të kërkuar marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me fraksionet palestineze në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Mijëra protestues u mblodhën në rrugën “Begin” në qendër të Tel Avivit për të bërë presion ndaj qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu për të arritur marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin, raportoi e përditshmja izraelite “Yedioth Ahronoth”.

Protestuesit gjithashtu bllokuan disa rrugë në qytete tjera, si në Kuds, Haifa, Ashdod, Ramat Negev dhe Kfar Tavor, njoftoi transmetuesi publik shtetëror KAN. Mijëra persona organizuan gjithashtu një marshim masiv përpara zyrave qeveritare në Kuds për të kërkuar një marrëveshje të menjëhershme me fraksionet palestineze dhe për të mbrojtur jetën e robërve të mbetur në Gaza.

Protestat erdhën disa orë pasi ushtria izraelite dje njoftoi se kishte gjetur trupat e gjashtë pengjeve nga Rripi jugor i Gazës. E përditshmja izraelite “Haaretz”, duke cituar një burim izraelit, tha se tre nga gjashtë pengjet duhej të liroheshin në fazën e parë të marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve që po negociohet aktualisht.

“Ata u shfaqën në listat e dhëna në fillim të korrikut. Ishte e mundur të ktheheshin të gjallë”, tha burimi. Hamasi tha se gjashtë pengjet u vranë si rezultat i sulmeve ajrore të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës.

Izraeli vlerëson se mbi 100 pengje mbeten të mbajtura nga Hamasi në Gaza, disa prej të cilëve besohet se janë vrarë tashmë.

Për muaj të tërë, SHBA-ja, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të arrijnë marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për të siguruar një shkëmbim të të burgosurve dhe një armëpushim, si dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza. Por, përpjekjet e ndërmjetësimit kanë ngecur për shkak të refuzimit të Netanyahut për të përmbushur kërkesat e Hamasit për të ndaluar luftën.

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Sulmi ka rezultuar në mbi 40.700 palestinezë të vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa mbi 94.100 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor të Rafahut, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj.

/AA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit