-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Mianmar, 23 të vdekur gjatë protestave në 24 orët e fundit

Më të lexuarat

Kuala Lumpur

Në 24 orët e fundit, 23 persona kanë humbur jetën si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në protestat kundër grushtit të shtetit dhe arrestimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë në Mianmar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të bërë nga Organizata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë në Mianmar (AAPP), thuhet se njësitë e ushtrisë përdorën plumba të vërtetë në drejtim të turmës në protestat e mbajtura dje dhe sot në qytetet Yangon, Aungpan, Thaketa, Bago dhe Pakokku.

Deklarata thekson se 23 njerëz vdiqën si rezultat i zjarrit të hapur, kurse shumë demonstrues u plagosën.

Numri i përgjithshëm i viktimave të konfirmuara nga dëshmitarët okularë u rrit në 247, ndërsa 2.345 njerëz janë arrestuar deri më tani, prej të cilëve 1.994 janë ende në arrest.

Protestuesit dënuan dhunën e forcave të sigurisë

Protestat kundër puçit ushtarak vazhduan sot në shumë pjesë të vendit.

Ndërsa spikatën punonjësit e kujdesit shëndetësor në protestat në Yangon dhe Mandalay, dhjetëra mijëra njerëz në Aungpan dënuan dhunën e forcave të sigurisë, në kundërshtim të vrasjes së civilëve në protestat e djeshme.

Në disa video të shpërndara në mediat sociale, ushtarët shihen duke hyrë në shtëpitë e protestuesve dhe duke plaçkitur sende private.

Duke folur për AA, aktivistët deklaruan se administrata ushtarake ka vendosur kufizime më të rrepta në qasjen në internet, veçanërisht në rrethinën e Yangon-it, dhe se kanë vështirësi të ngarkojnë shumicën e videove në lidhje me dhunën e forcave të sigurisë në mediat sociale.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato.

aa.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit