-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Mevludi shqip në themele të identitetit kombëtar shqiptar

Më të lexuarat

Prof. Dr. Muhamet Pirraku

Për ta kuptuar më mirë rëndësinë kulturore, arsimore dhe fetare të Mevludit në shërbim të identitetit kombëtar të shqiptarët myslimanë, që janë mbi 80% të kombit, duhet të konstatojmë faktet për kohën sa më të saktë të praktikumit të “Këndimit (ceremonial fetar) të Mevludit” së paku ndër arabët, turqit dhe shqiptarët. Faktet historiografike tregojnë së Arabët me islamin u ballafaquan në fillim të shekullit të VII-të, kurse “Mevlidi” i parë, tek arabet, u paraqit në fillim të shek. XIII, pikërisht meveprën letrare të Ibnu’l-Xhevziut me titullin Mevlidu’n-nebijj, shkruar më 1201. Del se tek Arabet koha nga fillet e islamit deri në paraqitjen e “Mevlidit” është më se gjashtë shekuj. Fillet e islamizimit të turqve datojnë nga fillet e dhjetëvjetëshit të dytë të shekullit të VIII-të, kurse “Mevlidi” i parë turqisht është vepra letrare “Vesiletu’n-nexhat” e Sulejman Çelebisë, shkruar më 1409, me ndikim shumë të madh në “Mevludin shqiptar”. Del se koha nga fillet e islamizimit të turqve deri në paraqitjen e “Mevlidit” është rreth shtatë shekuj. Fillet e islamizimit institucional osman të shqiptarëve datojnë nga dhjetëvjetëshi i fundit të shekullit katërmbëdhjetë, kurse “Mevludi” i parë shqip u shkrua nga fundi i shekullit tetëmbëdhjetë, i njohur si “Mevludi Çam”, vepër kjo letrare e krijuesit kolosal, Hasan Zuko Kamberit. Del se koha nga fillet e islami¬zimit të shqiptarëve deri në paraqitjen e “Mevludit” shqip është rreth katër shekuj.

Po të dëshironim të zgjeronim pamjen më të plotë të paraqitjes së “Mevludit” në gjuhët e kombeve të tjera me civilizim Islamë, do të shohim se koha nga fillimi i islamizimit deri në paraqitjen e “Mevludit”, persisht, kurdisht, boshnjakisht,çerkezisht, urdisht, spanjollisht, tatarisht etj., është përafërsisht me atë tek arabet, turqit dhe shqiptarët.

Për mua, (si gjurmues i Islamit në themele të shqiptarizmës së popullsisë albanofone në fillimet e paraqitjes dhe të përvetësimit të emrit kombëtar “Shqyptar”, “Shqiptar” për popullin dhe “Shqypni”, “Shqipni” dhe “Shqipëri” për atdheun e shqipfolësve të Kohës së Re të filleve të Renesancës dhe të Humanizmit të kombeve evropiane), ishte shtytës pyetje: Pse koha e paraqitjes së “Mevludit” në gjuhët e kombeve të veçanta është me shekuj pas filleve të fesë dhe të civilizimit Islam tek ata popuj? Kam hetuar se “Mevludi” në të gjitha gjuhët e kombeve të veçanta, nisur edhe me vetë arabet, se ku dhe kur është paraqitur tek ata, qëndron në themele të dy kërkesave më parësore. E para, për ta ruajtur pastërtinë e mendimit dhe të tëpraktikuarit e Islamit të traditës besnike, thënë simbolikisht “në Rrugën Muhamedane”,Synni, e cila sa vinte e rrezikohej veçantë nga forcimi i “Kultit Shíit Alivinj”, që u tregua me pasoja të mëdha jo vetëm për Unitetin e Mendimit Islam, por edhe për harmoninë shoqërore, paqen dhe perspektivën e një kombi. E dyta, “Mevludi” në gjuhë të popujve me civilizim islam do të vihet edhe në funksion të kërkesës për të veçuar dhe për të ruajtur identitetin etnik të popujve me veçanti etnike, gjuhësore, historike brenda bashkësisë politike shtetërore (Perandorive) dhe bashkësisë fetare islame, e cila në rrjedhë të kohës do të bëhet instrument i pushtetit në funksion të kërkesës politike për asimilimin e veçantive dalluese të etnive për integrimin e shkrirjen në një bashkësi të vetme gjuhësore, politike e shtetërore, thënë kushtimisht, në një komb shtetëror.

Këtë që u tha më lartë për shkaqet që ndikuan në lindjen e “Mevludit” katërçipërisht e vërteton historia dhe jeta shqiptare në shekullin e fundit të periudhës së administrimit Perandorak Osman në trojet shqiptare. Por, para së të ndalem në pasqyrimin me gjerësisht të rëndësisë së “Mevludit” në gjuhën shqipe edhe në themele të kërkesës për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar të amës së kombit, kërkohet të konstatojmë faktin historik se himnizime letrare (kaside) për Profetin Muhammed janë shkruar dhe janë “kënduar” tek arabet qysh nga bashkëkohës të Prijatarit në Islamë, të cilin, thënë lirshëm me argumente kur’anore: Zoti e dërgoi, padyshim, vetëm si mëshirë për njerëzimin!

Pas islamizimit të akëcilit popull, i cili brenda bashkësisë Islame të kohës i dëshmoi veçantitë etnike dhe historike me krijime letrare në gjuhën e vetë, krijoi himnizime letrare të shkëlqyeshme kushtuar Dritës së Pashuar- Muhammed Mustafasë.Në këtë lagje të popujve e gjejmë edhe amën e kombit shqiptar. Letërsia shqiptare e njohur botërisht si “Alhamiado shqip¬ta¬re”, e dëshmuar nga mesi i shekullit shtatëmbëdhjetë, e cila në dijen e “Letë¬r¬si¬së shqiptare” hyri e mbiquajtur si “Letërsia e Bejtexhinjve”, është shumë e pasur me himnizime letrare kushtuar Resulit. Sa di unë, nuk mund të gjendet asnjë krijues letrare në gjuhën shqipe që shkroi në frymën moralizuese islame, i cili nuk shkroi së paku një himnizim (kasidë) për Profetin e fundit për Njerëzimin. Të përmendim këtu vetëm disa emra të krijuesve letrarë moralizues islamë madhor në Kosovë, të pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: Tahir Efendi Lluka, Sheh Junuzi, Sheh Mala, Hafër Ymeri Mulla Hysen Statovci, Mulla Vejsel XhelaludinGuta, Mulla Mehmeti etj, pjesën më të shumtë të shkrimeve të të cilëve i tubova në kohë të vështira, falë vullnet e përcaktimit, pa dije të mjaftueshme, dhe i ruaj me përkushtim intelektual dhe shpirtëror, për një dorë të nesërme më mjesh¬të¬rore së imja!

I pari nga krijuesit e përmendur, Tahir Efendi Lluka, bashkëveprimtar i HoxhëHasan Tahsinit, themeluesit e drejtuesit të të parit Universitet në Perandorinë Osmane, është autor i përkthimit të parë shqip, më 1873, të “Mevlidit” turqisht të SylejmanÇelebisë, i njohur si “Mevludi i Tahir Popovës”. Diçka më i ri se sa dorëshkrimi i Tahir Efendi Llukës është dorëshkrimi i përkthimit shqip të “Mevlidit” të SylejmanÇelebisë nga Hafëz Ali Ulqinakut, i botuar në janar të vitit 1878, me titull: ”Terğume’imevlūd ‘alā lisān’i arnavūd” (Përkthimi i mevludit në gjuhën shqipe). Mevludi i HafëzAli Ulqinakut bëri jetë kryesisht në viset shqiptare të Vilajetit të Shkodrës, por ishte i njohur edhe në Vilajetin e Kosovës, ku për më se tridhjetë vjet bëri jetë aktive dorëshkrimi i “Mevludit” të Tahir Efendi Llukës. Dorëshkrimin e “Mevludit” të Tahir Efendi Llukës, më 1907, e botoi Mehmet Tahir Efendia – Popova, me titull: “Manzūmetu l’mavlūd fī avdali l’mevğud bilisāni ‘arnavud” (Mevludi në vargje ose në gjendjen më besnike në gjuhën shqipe).

Për e rreth autorësisë së Tahir Efendi Popovës në Mevludin që njihet si i tij, kam folur disa herë, por më gjerësisht në “Kultura Kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit” më 1989. As tashti nuk kam se çka të korrigjoj, e këtu nuk me kërkohet të shtoj. Tahiri është i lindur në fshatin Popovë të Përmalinës së Vushtrrisë rreth vitit 1856, kurse nga viti 1890, është mualim në Ruzhdinë e Tregut të Ri. Në kohën kur e botoi “Mevludin” , me gjasë, ishte myfti në Prishtinë. Botimi nuk do të pëlqehet nga veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për dy shkaqe më madhore: Vepra u quajt si plagjiat. Ulemaja dhe mualimet bashkëkohës e dinin se ai përkthim ishte një përpunim e përshtatje i “Mevludit” të Myderrizit Tahir Efendi Lluka. E dyta, përvetësuesi, Tahir Efendi Popova kishte ndërhyrë gjuhësisht në dorëshkrim dhe botimin shqip ia kushtoi Sulltan Abdylhamidit, të cilin e quajti “gazi” e “fatih!”. Gazeta “Drita” e Sofjes, më 15 korrik 1907, në kritikën e titulluar “Mevludi”, për këtë botim, midis të tjerash, shkroi: “Në Kosovë kena disa hoxhallarë e ulema shqyptarë të vërtetë por janë edhe disa hajna, si myftia i Prishtinës, të cilët nuk njofin as Zot asPejngamber, shesin din e iman për të holla e për nishane”. Gjuha e “Mevludit të vitit 1907” është një përzierje e koines shqipe të viseve të Gjakovës me atë të viseve tëPërmalinës së Vushtrrisë, ndërkaq grafia ka disa afri me alfabetin e veprave pedagogjike e edukative madhështore të Tahir Efendi Llukës. Dhe, ajo që duhet ta theksojmë është fakti se nga Tahir Efendi Popova, i cili jetoi në Tiranë nga viti 1934 deri në vdekje, më 1949, nuk la gjurmë të prekshme se është marrë me krijimtari letrare në gjuhën shqipe?!?

Si do qoftë botimi i Mevludit me emrin e tij, si edhe ai i Hafëz Ali Ulqinakut, erdhën në jehonën e kthesave të mëdha historike politike e kulturore për kombin shqiptar dhe luajtën rol të rëndësishëm për veçimin dhe kultivimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve myslimanë, tashti të rrezikuar edhe nga aspirata nacionale hegjemoniste turke, kur edhe koncepti “islam” ishte zëvendësuar me konceptin “turk”,kurse koncepti “Kushtet e Islamit” ishte zëvendësuar me konceptin “Sharte tëturqnisë”!?!

Të përmbyllim: Pos tri mevludeve shqip që u zunë ngoje, në nivelin e dijes sot, flitet për ekzistimin edhe të rreth 20 mevludeve shqip. Por për hir të realitetit shkencor, duhet të thuhet se midis tyre ka himnizime letrare kushtuar themeluesve të tarikateve të ndryshme dhe ato nuk mund të konsiderohen Mevlude për Resulullahun,a.s!

Himnizimet për Muhammedin a.s., e as “Këndimi i Mevludit” nuk janë “ibadet” fetar, por janë një traditë fisnikëruese e Islamit (paqes, dashurisë, harmonisë, jetës) në mjediset islame, që ka dhënë rezultate të mira për kultivimin e respektit ndaj Profetit të Islamit dhe të harmonisë vëllazërore midis besimtarëve në Një Zot, në përgjithësi, sepse lartësohen edhe Profetët e feve të Shpalla, paraislame.

Në këtë funksionin historik, pikërisht në themele të identitetit kombëtar të shqiptarëve myslimanë, mendoj, duhet parë edhe e ardhmja e Mevludit shqip, por me një tekst të vetëm, unik, të aprovuar nga një trup i dijetarëve shqiptarë në lëmi të kulturës islame ndër shqiptarët, të zgjedhur e të autorizuar nga udhëheqësja e bashkësive islame në tokat shqiptare.

Jemi në Ballkan, jemi urë historike që lidhi Lindjen dhe Perëndimin dhe, edhe në këtë funksion Mevludi është manifestim i prekshëm me rëndësi jetësore e politike për kombin tonë midis dy civilizimeve të mëdha.

Literatuira:

Filip Hiti, Istorija arapa od najstarijih vremena do anas, II izdanje, Sarajevo 1973;

Nerkez Smailogić, Klasićna kultura Islama I, Zagreb 1973;

Halil Inalxhik, Perandoria osmane 1300-1600, Tetovë, 1995;

Hasan Kaleshi, Mevludi kod Arbanasa, Zbornik Filozofskog fakulteta, Knj.IV-2, Beograd, 1959,349-358;

Muhamet Pirraku, Gjurmë të veprimtarisë letrare shqipe me alfabet arab në Kosovë(I), Dituria, Nr. 1-2, Prishtinë1978,77-128;

Muhamet Pirraku, Gjurmë të veprimtarisë letrare shqipe me alfabet arab në Kosovë(II), Gjurmime albanologjike –SShF-IX- 1979, Prishtinë, 1980, 2003-236;

Muhamet Pirraku, Gjurmë të veprimtarisë letrare shqipe me alfabet arab në Kosovë(II), Gjurmime albanologjike –SShF-X- 1980, Prishtinë, 1980, 2003-224;

Arif Osmani, Mevludi shqip i shekullit të kaluar, Rilindja, Prishtinë, 8 shkurt 1986. Muhamet Pirraku,Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, Prishtinë, 1989, 224- 252, 301-323, 368-396.

Sutki Malohoxha, Bejtet në krijimtarinë popullore të Ulqinit, Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (Simpozium Ndërkombëtar, më 15-17 tetor 1992), Prishtinë 1995, 280-283;

Abdullah Hamiti, Angazhimi i Tahir Llukës për arsimin kombëtar shqiptar, Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (Simpozium Ndërkombëtar, më 15-17 tetor 1992), Prishtinë 1995, 386- 391;

Feti Mehdiu, Literatura islame shqiptare jashtë Shqipërisë londineze pas Luftës së Dytë Botërore, Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (Simpozium Ndërkombëtar, më 15-17 tetor 1992), Prishtinë 1995, 563-570;

Faik Luli – Islam Dizdari, Mevludet në gjuhën shqipe, Shkodër, 2002.

Rejhan Neziri, Një vështrim historik mbi krijimin e mevludeve, www.¬zeriislam.com

Muhamet Pirraku, Prania shekullore e Kur’anit në gjuhën shqipe në jetën shqiptare (Kumtesë u lexua në Simpoziumin “Kurani tek shqiptarët”, Prishtinë, më 27 dhjetor 2005, “Koha ditore”, Prishtinë, 28 janar 2006, 31.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit