Gjatë studimit dhe hulumtimit tonë nëpër librat e historisë së shqiptarëve dhe të osmanlinjve kemi vërejtur një dukuri negative dhe të korruptuar të metodologjisë së historianëve shqiptarë.
Kjo dukuri ka qenë dhe është ende në funksion në Perëndim, te studiuesit dhe historianët perëndimorë. Profesori dhe historiani turk Mehmet Maksudoglu, në lidhje me këtë çështje, ka konkluduar se:
1-“…Referencat dhe bazat historike origjinale janë përdorur shumë rrallë prej studiuesve perëndimorë…”
2-“…Nëse janë përdorur ndonjëherë ajo ka qenë minimumi…”
3-“…Realiteti i osmanlinjve ka qenë në një luginë dhe se çka është shkruar për ta ka qenë realitet dhe çka flitet është tjetër…”
4-“…Historia e asnjë populli nuk mund të pranohet metodologjikisht nëse ajo është shkruar dhe hartuar prej këndvështrimeve të të tjerëve dhe nga autorë me profesione të ndryshme dhe tendencioze…”[1]
Kjo metodologji e njëanshme, joobjektive dhe joshkencore është prezent edhe te historianët shqiptarë gjatë paraqitjes së historisë osmane.
5-Historianët shqiptarë nuk janë turpëruar të përdorin edhe shprehje dhe terma banalë gjatë studimeve të tyre. Kjo nuk pranohet metodologjikisht dhe shkencërisht. Ky fenomen negativ është bërë qëllimisht.
Ata janë shtyrë nga metodologjia marksiste-leniniste-ateiste dhe kanë pasur si qëllim që t’u japin gjeneratave të reja një imazh të keq për osmanlinjtë dhe fenë islame. Prej këtyre shprehjeve mund të veçojmë këto:
‘Pushtuesi turk’, ‘Zgjedha turke’, ‘Barbarët turq’, ‘Vërshimi turk, ‘Shtypja e elementit turk’ etj.[2] Po ashtu kemi hasur edhe shprehje më të rënda banale kundër Perandorisë Osmane si p.sh.: “I sëmuri i Bosforit…”, “…Si ta varrosin të sëmurin e Bosforit…”,”…I dhanë grushtin vdekjeprurës të sëmurit të Bosforit…”[3], “aparati i kalbur shtetëror…”
Shqiptarët marksist-leninistë nuk janë turpëruar të përdorin edhe etiketime fyese ndaj disa sulltanëve të Perandorisë Osmane, si p.sh. si është rasti i B. Shehut, i cili përdor termin tallës dhe nënçmues:
“…Dhelparaku Veziri i Madh, Mehmed Rashid Pasha, dëshironte që me mashtrime, ngatërresa dhe premtime të rrejshme…”[4] Ose siç është edhe rasti me prof. Dr. Skënder Rizajn, i cili përdor për Sulltan Abdyl Hamidin terma tejet banale, të rënda dhe ofenduese si p.sh. sulltani dinak, pro-rus, pro- sllav etj.[5]
Prandaj besoj bindshëm se, me rishkrimin e historisë sonë, këto pika të dobëta dhe të kundërta me shkencën dhe metodologjinë do të evitohen dhe se gjeneratat e ardhshme do të kenë mundësi të lexojnë një histori më të vërtetë, më reale dhe me faqe më të shndritura për fenë islame.[6]
Pa dyshim se për t’u realizuar kjo dëshirë duhet të bashkëpunojnë një grup institucionesh të ndryshme dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë kolektive, siç është bërë më herët dhe këto institucione duhet të kenë përkrahjen e shtetit dhe të kenë një buxhet të caktuar për hulumtimet e ndryshme që do të kryejnë.
Doc.Dr.Hfz.Hajredin Hoxha
Vështrim islam rreth faktorit fetar në historinë shqiptare moderne dhe antike
[1] Shih Mehmet Maksudoglu, Ottoman History based mainly on Ottoman sources, International Islamic University-Malaysia,1993, f. 4-9
[2] Shih cilin libër të duash të historisë shqiptare nën kapitullin ‘Ardhja e turqve në trojet shqiptare’… dhe do t’i gjesh këto shprehje.
[3] Bedrush Shehu, Çështja Shqiptare në vitet 30 të shekullit XIX, (Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë,1990), f. 35.
[4] Po aty, f. 107.
[5] Shih: Skënder Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1877-1885. (Krusha e Madhe-Arta), f. 51-150.
[6] Për rishkrimin dhe ristudimin e historisë së kulturës shqiptare, qysh në vitet 1989, ka apeluar edhe historiani dhe shkencëtari prof. Dr. Muhamet Pirraku në librin e tij: Kultura Kombëtare Shqiptare Deri në Lidhjen e Prizrenit, (Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë,1989), f. 32.