2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Meta: Harmoninë fetare duhet ta forcojmë çdo ditë

Më të lexuarat

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në fjalën që mbajti në ceremoninë e prezantimit të studimit “Toleranca fetare në Shqipëri” tha se “Këtë harmoni të shkëlqyer fetare nuk duhet ta marrim të mirëqenë përgjithmonë, por duhet ta forcojmë e përsosim çdo ditë”

 

Presidentit i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të studimit Toleranca fetare në Shqipëri”, i realizuar nga Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim dhe PNUD.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Brian Williams, drejtues të bashkësive fetare në vend, ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, etj.

Në fjalën e rastit të mbajtur në këtë ceremoni, Presidenti Meta vlerësoi përpjekjen e rëndësishme të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe PNUD-it për të realizuar një studim që për nga natyra e brendia është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për Shqipërinë.

“Studimi serioz “Toleranca fetare në Shqipëri” përpiqet të japë një pasqyrë të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vendin tonë në ditët e sotme. Në dokumentin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në 1912 është nënshkrimi i disa prej klerikëve më të mëdhenj të kohës; Dom Nikoll Kaçorri, Myftiu Vehbi Dibra, Bab Dud Karbunara, etj. Këta, por edhe shumë të tjerë, hodhën themelet e shteti shqiptar “të mosvarun”, të bashkuar dhe bashkëpërfshirës të të gjitha bashkësive fetare në vend”, – tha Presidenti i Republikës, duke theksuar rolin konstruktiv të udhëheqësve fetarë të Shqipërisë dhe i klerikëve në ndjekjen e traditës më të mirë të themeluesve të pavarësisë dhe në lartësinë e duhur historike të ndryshimeve demokratike në shtetin shqiptar.

Institucionet shtetërore sot kanë detyrë dhe obligim mbështetjen e institucioneve fetare në vend, sepse roli i shtetit për të ruajtur dhe inkurajuar në të ardhmen jo vetëm bashkëjetesën, por dhe dialogun, bashkëpunimin e harmoninë e përditshme mes bashkësive, qytetarëve dhe besimtarëve është i pazëvendësueshëm dhe shumë i rëndësishëm. Kushtetuta e Shqipërisë garanton të drejtat e Bashkësive Fetaretradicionale në vend si edhe të grupeve më të vogla fetare dhe besimtarëve si individë. Këtë harmoni të shkëlqyer fetare nuk duhet ta marrim të mirëqenë përgjithmonë, por duhet ta forcojmë e përsosim çdo ditë”, – tha ndër të tjera gjatë fjalës së tij Presidenti i Republikës.

Duke sjellë në vëmendje rrezikun nga terrorizmi, Presidenti shqiptar, Meta shprehu nevojën e forcimit të harmonisë mes feve.

“…Ndryshimet me ritme të shpejta në botën që jetojmë të imponuara nga epoka e globalizmit si dhe konfliktet e reja në disa rajone të Mesdheut dhe të Lindjes së Mesme, bëjnë që të përballemi me kërcënime të reja sikundër është terrorizmi me karakter fetar.

Në epokën që jetojmë asnjë vend nuk është imun ndaj terrorizmit e aq më pak vendi ynë që është një vend mesdhetar dhe në një rajon si ai i Ballkanit, ku vetëm 20 vjet më parë luftërat me bazë urrejtjen etnike dhe fetare në Ish-Jugosllavi shkaktuan gjenocid me më shumë se 300 mijë të vrarë.

Këtë harmoni të shkëlqyer fetare nuk duhet ta marrim të mirëqenë përgjithmonë, por duhet ta forcojmë e përsosim çdo ditë…”.

Më tej, ceremonia vijoi me prezantimin e raportit nga përfaqësuesit e Institutit për Demokraci e Ndërmjetësim.

– Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit