0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Mëso si shkatërrohet personaliteti i fëmijës tënd

Më të lexuarat

Nga: islamonline

Mëso si shkatërrohet personaliteti i fëmijës tënd

Pyetje: Si të edukoj një fëmijë pa personalitet?
Përgjigje: Sillu me nervozizëm me të!
Me shtimin e problemeve të ndryshme dhe rritjen e presioneve ekonomike mbi familje, të gjithë priren të jenë nevrikë në fjalë dhe agresivë në vepra. Zakonisht, fëmijët janë shtresa më e dëmtuar e sjelljeve nervoze. Çdo ditë, ata gjenden nën presionin e ulërimave, zemërimit, britmave dhe mimikës së acaruar. Nëse i shpëtojnë britmave të prindërve në shtëpi, ky privilegj nuk u kursehet nga nervozizmi i mësuesve në shkolla apo i kalimtarëve në rrugë. Nervozizmi konsiderohet si sjellja më e dëmshme e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek fëmijët, sidomos porsa i përket zhvillimit të personalitetit të tyre.
Studimet e ndryshme në fushën e psikologjisë së zhvillimit, pohojnë se fëmija lind pa asnjë sjellje të fituar dhe se personaliteti i tij zhvillohet në një përqindje të madhe nëpërmjet mënyrës së komunikimit me të gjatë vegjëlisë. Sakaq, kur konstaton reagime emocionale të ashpra dhe gjithë nervozizëm nga njerëzit që e rrethojnë, ai starton të fitojë sjelljet e dhunshme dhe nevrike. Që këtu zë fill rëndësia e vetëpërmbajtjes në raste zemërimi, duke shmangur britmat ose të paktën duke i reduktuar ato. Në rreshtat në vazhdim, do të merremi më gjerësisht me efektet negative të sjelljeve nervoze tek fëmijët, shkaqet tek prindërit dhe si mund ta kontrollojmë veten, të paktën në prezencën e fëmijëve.
Efektet e nervozizmit
Një psikolog fëmijësh thotë:”Shpesh herë ankohemi për mangësitë e fëmijëve tanë, por në fakt, ne prindërit jemi e meta më e madhe e tyre.”
Të bërtiturat dhe ulërimat në prezencën e fëmijëve, kur ata janë në hapat e parë të zhvillimit të tyre psikologjik dhe emocional, bën që ata të influencohen nga çdo reagim i jashtëm, sado i vogël qoftë. Shumë studime kanë vërtetuar se sjellje të tilla lënë pasoja për gjithë jetën e fëmijës. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, përveçse dy prindërit të pajtohen për të shmangur të bërtiturat në prezencën e fëmijëve dhe t’u krijojnë kushtet për ngrohtësi siguri familjare, edhe nëse bëhet me aktrim. Nervozizmi me fëmijët, çon në njërin nga dy përfundimet e mëposhtëm, ose të dy bashkë:
1 – Nervozizmi = fyerje të personalitetit = vetëvlerësim i ulët ç personalitet i dobët = mosrespektim nga të tjerët = bindje ndaj tjetrit ose aftësi e ulët për t’i udhëhequr = pre e sjelljeve agresive nga të tjerët.
2 – Nervozizmi = reagim nevrik (çdo akt pasohet nga një reagim) = fëmijë nevrik dhe agresiv.
Sipas formulës së parë, fëmijët operojnë me më të mëdhenjtë. Ai ka mësuar se më i madhi është më i fortë, më i pushtetshëm dhe më të vegjlit duhet t’i nënshtrohen. Për pasojë, ai i nënshtrohet gjithmonë më të madhit.
Sipas formulës së dytë, fëmijët operojnë me më të vegjlit, duke aktruar më të madhin nevrik. Duke mos pasur mundësi t’i shfryhet në mënyrë direkt njërit nga prindërit, fëmija në këtë rast i shfryhet motrës ose vëllait më të vogël. Sjellja agresive ndaj të tjerëve, mund të shkaktohet edhe si rezultat i vetëvlerësimit të ulët të fëmijës. Në këtë rast, ai ushtron dhunë dhe agresivitet, si përpjekje për të vërtetuar ekzistencën e tij.
Nervozizmi nuk është sjellja e vetme negative që përvetëson fëmija, ndikohet prej saj dhe e praktikon. Fëmija mund të bëhet edhe agresiv, i dhunshëm, rebel, kërkon të përvetësojë gjërat e të tjerëve etj… Të gjithë këto sjellje, të cilat përvetësohen nga prindërit ose nga njerëzit që rrethojnë fëmijën, mund ta shtyjnë fëmijën të gënjejë në vegjëli por edhe pasi të rritet.
Epidemia e nervozizmit
Për të shmangur nervozizmin tek fëmijët, këshillohet te ndiqen disa hapa edukativ, të cilët do i cekim më poshtë:
– Të dy prindërit bashkërisht, duhet të kontrollojnë emocionet e tyre në raste gjaknxehtësie, sidomos në praninë e fëmijëve, qoftë gjatë komunikimit prind-fëmijë, qoftë gjatë komunikimit me njerëzit e tjerë. Kjo, pasi prindërit shihen si model nga fëmijët… Zemërimi çon në dhunë dhe dhuna çon drejt rebelizmit. Duke kontrolluar nervozizmin, ndihmojmë që fëmija të rritet në ambient edukativ të ngrohtë, i cili i mundëson zhvillim, kreativitet dhe arsimim normal.
– Babai dhe nëna duhet t’i pranojnë me mature gabimet e fëmijës, i cili assesi nuk duhet të ndihet i braktisur në rast faji ose ndonjë sjelljeje të refuzuar. Gabimi dhe faji i tij nuk duhet të pritet me zemëratë dhe gjyqe plot nervozizëm. Prindërit duhet të tregohen të duruar dhe të matur gjatë rebelimit të fëmijëve. Vetëm pasi të jenë ulur gjakrat, prindi duhet të dialogojë me fëmijën me një gjuhë të përshtatshme dhe t’i tregojë se sjellja e mëparshme e tij nuk ishte e hijshme dhe është më mirë të mos përsëritet.
– Ushtrimi i fëmijës, i cili duhet të mësojë nëpërmjet gabimeve. Kjo realizohet nëpërmjet krahasimit të sjelljeve pozitive dhe atyre negative. Kështu, nëse fëmija gris letrat, marrim letrat e grisura dhe disa të pa grisura dhe e pyesim:”Kush është më e bukur, letra e grisur apo ajo e pa grisur?” dhe i japim mundësinë të mendojë rreth gabimit të tij me qetësi. Reagimet me nervozizëm nuk i japim mundësinë të mendojë drejt dhe të mësojë nga përvoja dhe gabimet e tij.
– Të afrohesh vazhdimisht me fëmijën, do të thotë ta bësh të ndihet i sigurt dhe se dikush kujdeset për të. Kjo i zhvillon aftësitë kreative të  fëmijës, i rrënjos sjelljet pozitive, ia lehtëson të shprehet hapur dhe qetë mbi veten, në mënyrë të sjellshme dhe larg nervozizmit e dhunës.
– Ekzistojnë shumë mënyra për të kultivuar tek fëmijët tanë vlerat morale dhe sjelljet pozitive. Është vërtetuar se fëmija reagon më mirë ndaj sjelljeve pozitive të  cilat i ofrohen në formë tregimesh dhe përrallash para gjumit. Fëmijët nevrikë dhe rebelë kanë nevojë t’i zërë gjumi duke dëgjuar përralla, të cilat na ndihmojnë të kultivojmë tek ta sjelljet që duam. Me kalimin e kohës, sjelljet e fëmijëve tanë të dashur përmirësohen dhe rregullohen.
 
Shkaqet e nervozizmit
Sipas studimeve edukative më të spikatura, shkaqet e nervozizmit klasifikohen në organike, psikologjike dhe shoqërore.
– Rritja e tiroksinës në gjëndrat tiroide renditet tek shkaqet që ndryshojnë humorin e njeriut dhe shkaktojnë nervozizëm të lartë. Diçka e tillë kërkon një konsulencë me mjekun specialist.
– Presioni që ushtrohet mbi prindërit dhe angazhimet e shumta të jetës, të cilat nuk vihen re nga shumë prindër. Është mirë që prindërit të përcaktojnë prioritetet e tyre, por pa ndikuar në jetën shpirtërore të familjes. Problemet dhe zënkat mes bashkëshortëve, të  cilat janë shtuar kohët e fundit dhe që duhen zgjidhur patjetër, duhet të shmangen nga atmosfera familjare, me qëllim që fëmijët tanë të mos ekspozohen ndaj problemeve me personalitetin e tyre në të ardhmen.
– Mungesa dhe roli i pakët edukativ i njërit prej prindërve, e ngarkon tjetrin me përgjegjësi të shumta të cilat lodhin dhe e acarojnë. Për këtë, duhet që dy palët ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe t’i ndajnë përgjegjësitë.
– Shumë nëna i pushton ndjenja se po u kalon jeta pa bërë diçka me vlerë që të mbahet mend dhe t’u falë kënaqësi. Në raste të tilla, bashkëshortes i duhet ndenjur pranë dhe i duhet bërë e qartë rëndësia e edukimit të fëmijëve, të cilat përbëjnë kënaqësinë e kësaj bote. Është mirë që ajo të ndihmohet nëpërmjet disa aktiviteteve të cilat ia përmirësojnë humorin.
Nervozizmi mund të jetë edhe diçka e trashëguar, prandaj është e rëndësishme të zbulohet shkaku, i cili zakonisht përbën gjysmën e trajtimit të problemit.
 
Hap pas hapi
Reduktimi i nervozizmit arrihet duke u ushtruar dhe duke ndjekur hapat e mëposhtme:
Hetoji sjelljet e tua nevrike me fëmijët gjatë tre ditëve të kaluara, ose një jave më së shumti dhe hidhi në një fletë.
Për çdo sjellje, përcakto shkallën e nervozizmit nga 1 deri tre, ku numri 3 është sjellja që të acaron më së shumti, numri 2 është e mesmja dhe numri 1 më e pakta.
Bëji këto sjellje objekt diskutimi me bashkëshortin/bashkëshorten dhe diskutoni mbi ekzagjerimet. Përpiqu të zbulosh shkakun e vërtetë pas çdo revoltimi. Ndoshta çështja ka pasur lidhje me ndonjë përvojë të keqe të kaluar në jetën tënde, e cila është memorizuar në pavetëdijen tënde dhe që ka ndikuar në lidhjet e tua me fëmijët.
Për një muaj rresht, fokusohu tek sjelljet numër 1 dhe përpiqu t’i shmangësh. Mandej, për një muaj tjetër fokusohu tek sjelljet e kategorizuara tek numri 2 dhe dy muaj tek sjelljet numër 3.
Krijoji vetes kushtet optimal që të shmangësh nervozizmin, duke evituar shkaqet dhe kjo bëhet duke ndjekur këshillat e mëposhtme:
Krijo një ambient të përshtatshëm për fëmijët që të luajnë, por duke larguar sendet që mund të thyhen nga duart e tyre.
Përsërit me vete se fëmijët e tu janë akoma të vegjël, në një moshë ku duan të zbulojnë dhe hetojnë botën që i rrethon. Kjo grup moshë, ka si karakteristikë lëvizjet, aktivitetin dhe iniciativën. Është mirë që kjo të vlejë për t’i lëvduar dhe për t’u ndjerë krenar me ta dhe jo për t’i ndëshkuar.
Nëse ndonjëri prej tyre bën një gabim, injoroje gabimin e tij dhe hiqu sikur nuk e ke parë dhe ndjerë. Vetëm nëse është diçka e rrezikshme për jetën e fëmijës, si të afruarit pranë telave të korrentit apo zjarri. Në raste të tilla, i paralajmëron, por jo me britma dhe ulërima frikësuese.
Nëse fëmijët e kuptojnë se i pe gjatë fajit, para se të fillosh me ndëshkimin, ndrysho pozicionin tënd. Nëse je në këmbë, ulu. Nëse je i ulur, shtrihu. Kjo është një këshillë e të dërguarit të Zotit a.s, në rast nervozizmi. Një reagim i tillë, e redukton nivelin e revoltimit.
Gjithmonë kujtoja vetes se fëmijët nuk kanë faj për situatën në të cilën ndodhesh, e cila ndikon negativisht tek nervat e tua. Nëse matesh t’i ndëshkosh, kujto fuqinë e Zotit dhe pushtetin e tij.
Sa herë që ke sukses në vetëpërmbajtje, në dy raste të njëpasnjëshëm, shpërbleje veten me fjalë stimuluese të tilla si: Të lumtë, ke vepruar mirë, je në rrugën e sipër për të qenë një prind shembullor etj…
Por nëse dështon, kujdes se mos ia ul vlerat vetes dhe të pëshpëritësh shprehje si: Unë jam një prind i keq, nuk bëj asnjë lek si prind, nuk marr vesh nga edukimi i fëmijëve etj… por t’i thuash vetes që nëse dështove këtë herë, do kesh sukses herën tjetër në dashtë Zoti.
Në rast dështimi, mos tento t’ia kompensosh fëmijëve me ndonjë rast tjetër ose llastim etj… si pasojë e ndjenjës së fajit. Le të jetë vetë qëndrimi yt kriteri i vërtetë në komunikimin me fëmijët, sipas rastit.
Përpiqu të rrënjosësh anët pozitive të fëmijëve, duke i lëvduar kur sillen mirë. Investimin në anët e tyre të mira, bëje ilaçin e anëve negative.
Nëna, me dashurinë e saj e nënshtron fëmijën sipas vullnetit të saj dhe e shndërron në një lëndë të parë, e cila formësohet krejt kollaj. Një nënë e cila di ta shfrytëzojë dashurinë për fëmijët, në funksion të mirë edukimit të tyre, është shumë herë më e fuqishme se ajo nënë e cila nuk di veç gjuhës së britmave, nervozizmit dhe ashpërsisë, gjë e cila le largon nga fëmijët e saj. Ajo është akoma më e fortë se një nënë egoiste, e cila nuk njeh përkushtim tjetër, përveç përkushtimit për kënaqësitë e saj.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit