9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Mëshira dhe Dashuria – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Mëshira dhe Dashuria

Njerëzit hamendësojnë se me që Zoti i mëshiron mbarë njerëzit në këtë botë pa kushte, Ai gjithashtu i do ata pa kushte, por mëshira dhe dashuria e Tij nuk janë e njëjta gjë. Ai i mëshiron krijesat e Tij pa kushte, sepse është Krijuesi i tyre, por pikërisht pse Ai i është Krijuesi i tyre i do ata me kusht, “Zoti yt krijon dhe zgjedh çfarë të dojë. Nuk u takon atyre të zgjedhin.” (el-Kasas: 68)

Mëshira është e lidhur me butësinë, dashamirësinë dhe vullnetin për t’i bëri mirë dikujt, pa e kushtëzuar këtë çdo herë me sjelljen e tij, ndërsa dashuria është ndjesia që të lidh fortë me dikë, për shkak të asaj që ai është apo bën, si e tillë ajo është e kushtëzuar. Mëshira është më e përgjithshme ndërsa dashuria më e veçantë. Allahu i mëshiron të gjithë njerëzit, por do vetëm ata që i përgjigjen kushtit të Tij, “Thuaj (o Muhamed): “Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet.”(Ali Imran: 31)

Mund ta duash Zotin, por a të do Ai ty? Fakti se ti e do Atë, nuk do të thotë aspak se edhe Ai të do ty. Sa e sa njerëz e duan Zotin, por a i do Ai vallë? Dashuria e Tij për ty është e kushtëzuar me ndjekjen e udhës që Ai ka përcaktuar për ty, jo me zgjedhjen tënde, por të Tij, sepse Ai është Zoti dhe Krijuesi yt ndërsa ti je robi dhe krijesa e Tij.

Është Krijuesi Ai, Allahu, Zoti, i vetmi që e përcakton portën e hyrjes në dashurinë e Tij dhe aspak hyrësi, robi apo krijesa e Tij. Kush mendon se mund t’i imponojë Zotit dashurinë për të, për shkak se ai e do Atë, ka harruar se krijesa nuk mund t’i imponohet për asgjë Krijuesit. Edhe pse dashuria afron, ajo nuk e kapërcen dot kurrë distancën dhe ndarjen mes krijesës dhe Krijuesit, ndaj kush imagjinon se e ka tejkaluar atë përmes dashurisë, ai vetëm se gënjen vetveten.

Tek Zoti afrohesh përmes veprave të mbushura me sinqeritet, dhe jo vetëm përmes ndjenjave dhe dëshirave, “Nuk ka gjë që e afron me Mua robin Tim më shumë sesa obligimet që i kam ngarkuar atij. Robi Im në vazhdimësi do të më afrohet Mua përmes veprave vullnetare, derisa Unë ta dua atë.” (Buhariu nr. 6502)

Kjo është e vetmja rrugë për tek Allahu, ky është Islami.

Ndërkohë sot, në epokën e individualizmit social, kulturor dhe fetar sigurisht, do të shihni dhe dëgjoni mjaft njerëz, edhe myslimanë mes tyre, që ju thonë se shtigjet për tek Zoti janë të panumërta! Sipas tyre ashtu si shkenca nuk mund të ndalet së kërkuari asnjëherë përgjigje për realitetet e fshehta të botës, ashtu dhe çdo zemër njeriu duhet të hulumtojë pareshtur për të gjetur dashurinë dhe të vërtetën e saj të veçantë!

Sigurisht në epokën ku ndryshimi dhe larmia adhurohen për hir të vetë ndryshimit, ku nuk mjafton një hyjni për të përmbushur qejfet e njerëzve, por shumë të tillë, ndryshimi është vetë e vërteta dhe e vërteta është vetë ndryshimi dhe pa diskutim që tregu i të vërtetave personale gjen klientë të shumtë dhe fansa me tonelatë. Kjo është epoka e idhujtarisë së sotme, ky është pluralizmi i hyjnive.

Pa më të voglin dyshim, këta njerëz jo vetëm që nuk e njohin Allahun, por kërkojnë t’i veshin Islamit tekat dhe dëshirat e tyre, sigurisht në emër të asaj që sot është në modë të quhet liria e mendimit dhe e fjalës së lirë.

E Vërteta është Një, ajo nuk mund të shumëfishohet me numrin e pafund të krijesave dhe ndjesive të ndryshme të tyre. E Vërteta nuk shpiket, as nuk hulumtohet nëpër skutat e panjohura të shpirtit apo zgavrat e errëta të mendjes, ajo është e dukshme, aspak e fshehtë, ngadhënjyese dhe zotëruese, si drita e diellit në mes të ditës, mbi të gjithë njëlloj, me të nuk negociohet, ajo vetëm pranohet pa kushte, ashtu siç është e vetme dhe unike, njëlloj për të gjithë.

Edhe pse ky shihet si një koncept i vjetruar për disa, i mykur apo mesjetar, për disa të tjerë, e Vërteta qëndron kurdoherë aty, kurrë nuk vjetrohet edhe pse është më e lashta se çdo gjë tjetër. Kush mendon se atë e kanë fshehur apo manipuluar të diturit e fesë, në kohë dhe vende të ndryshme për gjatë gjithë historisë së Islamit, ai shpalos vetëm se injorancën e tij.

Ajo e vërtetë që qenka e njohur për një pakicë njerëzish sot, dhe e panjohur për mbarë bashkësinë e myslimanëve, për shekuj me radhë, ajo s’ka qenë dhe as ka për të qenë kurrë e vërtetë, “Allahu nuk e bashkon umetin tim në humbje. Dora e Allahut është me bashkësinë, ai që veçohet, veçohet për në Zjarr.” (Tirmidhiu nr. 2187)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit