5.3 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Mesazhi i Profetit Muhamed, shprehur nga goja e Ebu Sufjanit, mësime të nxjerrura

Më të lexuarat

Nga: Elton Harxhi

Nga Ebu Sufjan, Sahr ibn Harb (r.a.), transmetohet hadithi i tij i gjatë në ngjarjen e Herakliut, se Herakliu tha: Për çfarë ju urdhëron? d.m.th. Profeti (a.s.). Ebu Sufjani tha: Unë i thashë: Ai thotë: “Adhurojeni vetëm Allahun duke mos i shoqëruar shok në adhurim, lëreni atë që thonë baballarët tuaj. Na urdhëron për të falë namaz, për të thënë të vërtetën, të jemi të dëlirë dhe të mbajmë lidhjet farefisnore.”[1]

Jetëshkrimi i transmetuesit të hadithit:
Ai është Sahr ibn Harb El Umeui El Kureshi. Por më shumë ai njihet nëpërmjet epitetit Ebu Sufjan. Ai ka lindur 10-të vjet përpara Profetit (a.s) dhe ka vdekur 20-të vjet pas tij. Ai ka qenë vjerri i Profetit (a.s). Kur i thanë Ebu Sufjanit se Muhamedi është martuar me vjazën e tij, ai u përgjigj: Ai është një njeri fisnik që ftesa e tij nuk mund të kthehet mbrapa.
Ai ka qenë fisnik dhe një prej liderëve të Kureshitëve. Ka qenë tregtar, kur ndonjëherë merrte pjesë vetë në karvanet e Kureshitëve që shkonin në Sham apo në vende të tjera. Ai ka qenë trim. Ai ka qenë komandanti i arabëve në betejën e Uhudit dhe të Hendekut, beteja të cilat i zhvilloi kundra Profetit (a.s) Ai e ka pranuar Islamin pak përpara çlirimit të Mekës. Kur Profeti (a.s) hyri në Meke si fitimtar, Abasi (r.a) tha: “O i Dërguari i Allahut! Ebu Sufjani është një burrë që e dëshiron prestigjin, prandaj jepi atij diçka! Ai tha: Po. Ai i cili hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit është i sigurtë. Ai i cili e mbyll portën e shtëpisë është i sigurtë. Ai i cili hyn në xhami është i sigurtë. Kështu që njerëzit u shpërndanë në shtëpitë e tyre dhe në xhami.”[2]

Më vonë, ai morri pjesë në betejën e Hunejnit bashkë me Profetin (a.s), i cili i dha 100-të dele. Ebu Sufjani i dha ato dy djemve të tij, Jezidit dhe Muauijes. Në betejën e Taifit mori një goditje në sy, që iu verbua dhe në betejën e Jermukut mori goditje në syrin tjetër duke u verbuar.

Nuk dihet me saktësi viti në të cilin ka vdekur, por ajo që dihet me siguri është se ai ka vdekur në periudhën e kalifatit të Othmanit. Është varrosur në Beki, tek varrezat e sahabëve në Medine.

Shpjegimi i hadithit:
Nga fundi i vitit të 6-të të hixhretit, pas Paktit të Hudejbijes, i Dërguari i Allahut (a.s.) vendosi t’i shkruante perandorëve dhe sundimtarëve mesazhe me të cilat i thërriste që të përqafonin Islamin. Për këtë detyrë të rëndësishme ai zgjodhi sahabët më të mirë, të cilët i dërgoi në fillim të vitit të 7-të të hixhretit.
Ai (a.s) i dërgoi një mesazh Çezarit, Herakliut ku e thërriste që të pranonte fenë Islame. Më poshtë po citojmë përmbajtjen e mesazhit:

“Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Nga Muhamedi, robi dhe i Dërguari i Allahut,  drejtuar Herakliut të madhit të Bizantit. Paqja qoftë mbi atë që e ndjek rrugën e Allahut. Pranoje fenë islame që të shpëtosh. Pranoje Islamin, sepse Allahu do të të japë shpërblim të dyfishtë. Nëse e refuzon atë, atëherë mbi ty do të bjerë përgjegjësia e mëkateve të popullit tënd.
O ithtarë të Librit, ejani të bashkohemi rreth një fjale të përbashkët edhe për ne edhe për ju; të mos adhurojmë tjetër përveç Allahut, asnjë send të mos ia bëjmë shok Atij, që njëri-tjetrin mos ta konsiderojmë për zot në vend të Allahut. E nëse ata refuzojnë atëherë ju thuajini: Bëhuni dëshmitarë se ne jemi muslimanë.”

Asokohe qëlloi që Ebu Sufjani ishte në Sham. Herakliu e thirri atë në rezidencën e tij në Ilija. Herakliu i tha përkhyesit: Kush është njeriu më i afërt i Muhamedit. Ebu Sufjani u përgjigj duke thënë se ai ishte më i afërt. Herakliu i tha përkthyesit: Unë kam për t’i bërë disa pyetje rreth Muhamedit. Nëse ai nuk thotë, atëherë shokët e tij ta përgënjeshtrojnë. Ebu Sufjani – asokohe ishte jobesimtar –  kishte shumë dëshirë që të gënjejte rreth figurës së Profetit (a.s), por nga turpi nuk gënjeu.
Ebu Sufjani rrëfen:
Pyetja e parë që ai më bëri ishte: Cila është shkalla shoqërore e familjes së tij ndër ju?
Ai i përket një familje të shquar ndër ne – u përgjigja.
A e ka thënë ndonjëri nga ju më parë atë që thotë ai – pyeti Herakliu?
Jo – u përgjigja.
A ka qenë ndokush nga paraardhësit e tij mbret – pyeti Herakliu?
Jo – u përgjigja.
A e pasojnë atë njerëzit me pozitë apo të pafuqishmit – pyeti Herakliu?
Ata që e pasojnë janë të pafuqishmit – u përgjigja.
A shtohen apo pakësohen pasuesit e tij – pyeti Herakliu?
Përkundrazi shtohen – u përgjigja.
A ka ndonjë nga ata që e përqafojnë fenë e tij që të mërzitet dhe pastaj ta braktisë fenë e tij – pyeti Herakliu?
Jo – u përgjigja.
A e keni akuzuar më parë se është gënjeshtar – pyeti Herakliu?
Jo – u përgjigja.
A ka tradhtuar apo ka shkelur ndonjëherë marrveshjet e tij – pyeti Herakliu?
Jo. Tani jemi në armëpushim me të, por nuk e dimë se ç’do të bëjë me të. Nuk gjeta fjalë tjetër që të them kundër tij.
A keni luftuar me të – pyeti Herakliu?
Po – u përgjigja.
Cili ka qenë përfundimi i luftrave kundër tij – pyeti Herakliu?
Lufta mes nesh ka qenë e këmbyer, herë fitonte ai dhe herë të tjera ne – u përgjigja.
E çfarë ju urdhëron ai – pyeti Herakliu?
Ai thotë: “Adhurojeni vetëm Allahun duke mos i shoqëruar shok në adhurim, lëreni atë që thonë baballarët tuaj. Na urdhëron për të falë namaz, për të thënë të vërtetën, të jemi të dëlirë dhe të mbajmë lidhjet farefisnore.”

Vërejmë se Herakliu e pyet Ebu Sufjanin “E çfarë ju urdhëron ai” që tregon se ajo që ai urdhëron duhet me e zbatuar me përpikmëri. Kjo pyetje dëshmon se Herakliu thellë thellë besonte në profetësinë e Profetit (a.s.), por për shkak se populli i tij e kundështoi ashpër, refuzoi të pranonte fenë islame.
Herakliu e pyet Ebu Sufjanin se për çfarë i urdhëronte Profeti (a.s). Ebu Sufjani i përgjigjet: Ai thotë:
“Adhurojeni vetëm Allahun duke mos i shoqëruar shok në adhurim” Ebu Sufjani i tregon Herakliut se urdhri i parë i Profetit (a.s) ishte që ata të adhuronin vetëm Allahun e duke mos i shoqëruar askënd në adhurim. Ai (a.s) i urdhëronte që mos të adhuronin mbretin, perandorin, pemën, gurin, diellin, hënën e asgjë tjetër përveç Allahut të Lartësuar. Ky ishte mesazhi i Profetit Muhamed (a.s) dhe i të gjithë profetëve që janë dërguar përpara tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Në çdo popull kemi dërguar një të Dërguar që i urdhëronte: Adhurojeni Allahun dhe largojuni Tagutit (adhurimeve të kota)!”[3]
“ Lëreni atë që thonë baballarët tuaj” Në lidhje me adhurimin e idhujve, sepse ai është një imitim i verbër.
“Na urdhëron për të falë namaz” Sepse nëpërmjet faljes njeriu afrohet më shumë tek Allahu i Lartësuar. Falja e namazit është një prej pesë kushteve themelore të muslimanit dhe ajo renditet menjëherë pas deklarimit të shehadetit.
“ Për të thënë të vërtetën” Ky ishte një urdhër tjetër me të cilën Profeti (a.s) e urdhëroi umetin e tij që të thonin gjithmonë të vërtetën në çfarëdo situate që të ishin. Urdhri për të thënë gjithmonë të vërtetën nënkupton se njeriu duhet të shmanget nga gënjeshtra.
“Të jemi të dëlirë” Me ju larguar imoralitetit, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Mos iu afroni imoralitetit sepse ai është një veprim i shëmtuar dhe rrugë e keqe.”[4] Por dlirësi do të thotë që mos të dalësh e të lypësh njerëzit edhe nëse ke nevojë.
“Dhe të mbajmë lidhjet farefisnore.” Duke mos i shkëputur ato ashtu sikurse ndodh rëndom në ditët e sotme.

Rregulla dhe dispozita fetare:
Hadithi flet për faljen e namazit. Të gjithë jursitët janë të mendimit se falja e namazit është farz ajn për çdo musliman dhe muslimane që ka arritur moshën e pjekurisë dhe gëzon logjikë të shëndoshë. Falja e namazit është obligim për muslimanin dhe muslimanin derisa ai të vdesë.
Hadithi flet për sinqeritetin në fjalë. Të gjithë juristët janë të mendimit se sinqeriteti është obligim, kurse gënjeshtra është haram përveçse në disa raste.
Hadithi flet për dëlirësinë. Nuk i lejohet njeriut që të lypë tek njerëzit vetëm nëse ai është i varfër dhe nuk ka mundësi që ta përballojë jetën. Por edhe në këtë rast, ai duhet të lypë aq sa të ketë nevojë dhe jo më shumë.
Hadithi flet për mbajtjen e lidhjeve farefisnore. Disa juristë janë të mendimit se lidhjet farefisnore, qofshin për njerëzit e afërt apo të largët janë Sunet i Fortë. Mirëpo disa juristë të tjerë janë të mendimit se ato janë obligim.

Mësimet e nxjerra nga hadithet:
1 – Thirrja e jomuslimanëve për të pranuar fenë.
2 – Njësimi i Allahut të Lartësuar
3 – Imitimi i verbër
4 – Rëndësia e namazit
5 – Vlera e sinqeritetit
6 – Vlera e dëlirësisë
7– Mbajtja e lidhjeve farefsinore
8 – Përparësia në thirrje

1 – Thirrja e jomuslimanëve për të pranuar fenë
Thirrja e jomuslimanëve që të pranojnë fenë islame është prej obligimeve madhore, dëshmon për mirësinë e umetit musliman dhe është shkak për shpëtimin nga kjo botë dhe në botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin, sepse urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni Allahun.”[5] “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi; të urdhërojë për vepra të mira dhe të ndalojë nga veprat e shëmtuara! Këta do të jenë të shpëtuarit.”[6]
Thirrja e jomuslimanëve që të pranojnë fenë islame është obligim fetar. Ata që janë aktivistë të thirrjes islame duhet t’i japin hakun që i takon asaj. Në rradhë të parë ata duhet të mendojnë se si ta përcjellin thirrjen islame tek të tjerët. Dhe pastaj që t’ia arrijnë këtij qëllimi duhet medeomos që të sakrifikojnë. Thirrja islame dallon nga të tjerat sepse ajo është universale për të gjithë njerëzimin. Ajo i thërret hebrenjtë, të krishterët, idhujtarët dhe të gjithë njerëzit që të pranojnë fenë islame.
Duke parë jetën e Profetit (a.s) vërejmë se ai në fillim i thirri në Islam të afërmit e tij. Pastaj do ta zgjeronte thirjen duke i thirrur të gjithë arabët – që ishin idhujtarë- që të pranojnë Islamin. Mirëpo rruga e thirrjes islame nuk ishte e shtruar me lule. Qysh kur Profeti (a.s) u ngjit në kodrën Safa dhe i thirri Kurejshët që të braktisin adhurimin e idhujve  ata e përgënjeshtruan, madje më shumë nga të gjithë xhaxhai i tij Ebu Lehebi. Pavarësisht kësaj, ai (a.s) vazhdonte t’i thërriste fiset arabe tek besimi në një Zot. Tashmë, përballë Profetit (a.s) nuk qëndronte vetëm xhaxhai i tij, por edhe paria e Mekës me në krye Ebu Xhehlin. Ata e përgëneshtruan, e ofenduan, e rrahën dhe e dëbuan nga Meka. Edhe kur ai (a.s) shkoi në Medine, nuk e lanë të qetë, por përgatitën kurthe, intriga dhe ushtri për ta luftuar atë dhe përkrahësit e tij. Në vitin e gjashtë të hixhretit, pas paktit të Hudejbijes, mes muslimanëve dhe idjujtarëve u vendos armëpushimi për dhjetë vjet. Ky pakt ishte një fitore e madhe për thirrjen islame, sepse i lejonte Profetit (a.s) që të thirrte lirisht pa asnjë pengesë të gjithë jomuslimanët që të pranonin fenë islame. E Profeti (a.s) e shfrytëzoi këtë mundësi në maksimum, duke dëguar qysh në fillim të vitit të shtatë të hixhretit disa prej shokëve të tij tek perandorët dhe mbretërit e asaj kohe. Ai (a.s) i thirri edhe fiset arabe në Islam dhe brenda një kohe shumë të shkurtër-në çlirimin e Mekës- arabët filluan të hynin në fenë e Allahut grupe-grupe.
Ai i cili i thërret njerëzit që të pranojnë fenë islame duhet të ketë parasysh dy gjëra:
Duhet të njohë mirë zakonet dhe traditat e njerëzve, të njohë pikat e dobëta dhe pikat e forta të tyre, të njohë besimin dhe bindjet e tyre. Ai duhet të dijë gjithçka që ka të bëjë me ta në mënyrë të atillë që hapat që ai e hedh në thirrjen e tij të jenë në përputhje me gjëndjen e tyre. Shembulli më i mirë për këtë është Profeti (a.s), i cili në fillim të thirrjes së tij, i thirri njerëzit individualisht dhe në fshehtësi. Më vonë thirrja e tij do të ndryshonte status dhe do të kalonte në etapën e publikimit dhe universale për të gjithë njerëzimin.
Synimi kryesor i thirrësit në rrugë të Allahut është që t’i udhëzojë njerëzit në rrugë të Allahut. Ai nuk duhet të ketë si synim vetëm që të shpalosë përpara tyre argumentet e fesë dhe si rrjedhojë e ka kryer detyrën. Është e vërtetë që shpalosja e argumentave është detyrë kryesore e thirrësit. Por nëse ai mjaftohet vetëm me këtë, atëherë ai nuk përpiqet maksimalisht për t’i udhëzuar njerëzit në rrugë të drejtë. Duke hedhur vështrimin tek thirrja e Profetit (a.s) vërejmë se ai përpiqej në maksimum dhe kishte shumë dëshirë që t’i udhëzonte njerëzit tek Allahu. Kur ata e refuzonin thirrjen e tij, ai brengosej shumë. Këtë fakt e përmend Allahu i Lartësuar në Kuran: “A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë fjalë (Kuranin)?”[7] Në Kuranin Fisnik, Allahu i Lartësuar rrëfen përpjekjen maksimale të Nuhut (a.s) që kishte shumë dëshirë që populli i tij të udhëzohej në rrugën e drejtë: “Pastaj i thirra me zë të lartë. Më pas ua shpalla botërisht edhe fshehurazi.”[8]

2 – Njësimi i Allahut të Lartësuar:
Allahu i Lartësuar i ka krijuar robërit që ata ta adhurojnë atë. Në një ajet kuranor, I Lartësuari thotë: “Nuk i kam adhuruar xhindët dhe njerëzit vetëm që të më adhurojnë.”[9] Me e adhuruar Allahun do të thotë që njeriu duhet të adhurojë vetëm Atë e askënd tjetër përveç Tij. Njësimi i Allahut të Lartësuar është qëllimi kryesor për të cilin janë dërguar të gjithë Profetët. Çdo Profet e urdhëronte popullin e tij me këtë fjalë: “Adhurojeni vetëm Allahun, sepse ju nuk keni zot tjetër përveç Tij.”[10] Ky ishte qëllimi kryesor edhe i Profetit të fundit që dërgoi Allahu i Lartësuar, Muhamedit (a.s). Prandaj edhe Ebu Sufjani kur u pyet se për çfarë urdhëronte Muhamedi (a.s) u përgjigj: Ai thotë: “Adhurojeni vetëm Allahun duke mos i shoqëruar shok në adhurim.”
Duke shfletuar Kuranin nga fillimi deri në fund do të vërejmë se ai flet për njësimin e Allahut të Lartësuar dhe braktisjen e idhujtarisë me të gjitha format e saj. Le të meditojmë së  bashku suren El Fatiha të cilën e lexojmë së paktu 17-të herë në ditë:
“Çdo lavdërim i takon Allahut, Zotit të botëve” flet për njësimin e Allahut.
“Të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit” flet për njësimin e Allahut.
“Sunduesit të Ditës së Gjykimit” flet për njësimin e Allahut.
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” flet për njësimin e Allahut.
“Na udhëzo në rrugën e drejtë” flet për njësimin e Allahut duke kërkuar prej Tij që të na udhëzojë në rrugën e atyre të cilët Allahu i ka begatuar me besimin dhe adhurimin vetëm të Tij.
“E jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, e as në të atyre që janë të humbur.” flet për ata njerëz të cilët e braktisën adhurimin e Allahut të Lartësuar.
Njësimi i Allahut të Lartësuar është siguri dhe qetësi ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e mveshin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.”[11] Njësimi i Allahut të Lartësuar është mesazhi i të gjithë Profetëve për të cilin është ndërtuar edhe Qabja. Allahu i Lartësuar thotë: “Përkujto kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që vijnë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur.[12] Fryt i njësimit të Allahut të Lartësuar është pranimi i verpave të mira. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.”[13]
Profeti Muhamed (a.s.) i kushtoi shumë rëndësi njësimit të Allahut të Lartësuar. Për 13-të vjet që ishte në Mekë i thirri idhujtarët: “Thoni nuk ka zot tjetër që e meriton të adhurohet përveç Tij që të shpëtoni!” Këtë rrugë ai (a.s) nuk e braktisi edhe në 10-të vitet pasardhërse të qëndrimit të tij në Medine. Në të gjithë letrat që ua dërgoi perandorëve, mbretërve dhe sundimtarëve i thirri që të adhuronin vetëm Allahun dhe të braktisin idhujtarinë. Në një hadith Profeti (a.s) thotë: “Kush dëshmon se nuk ka zot tjetër që e meriton të adhurohet përveç Allahut, Një të vetëm, pa i shoqëruar askënd në adhurim; dëshmon se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij; dëshmon se Isai është rob dhe i Dërguari i Tij, Fjala e Tij e hedhur tek Merjemja dhe shpirt i krijuar prej Tij; dëshmon se Xheneti është i vërtetë dhe Xhehenemi është i vërtetë, Allahu ka për ta futur në Xhenet pavërësisht veprave që ka vepruar.”[14]
Të gjithë Profetët i thirrën popujt e tyre që të braktisnin adhurimin e idhujve. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk fal me i shoqëruar shok (në adhurim) dhe përveç këtij (mëkati) ia fal kujt të dojë”[15] Çfarëdo mëkati që njeriu kryen, Allahu i Lartësuar ia fal atë përveç idhujtarisë. Ibrahimi (a.s) i lutet Allahut të Lartësuar: “Zoti im bëje këtë vend të sigurtë dhe më mbro mua dhe bijtë e mi nga adhurimi i idhujve.”[16]Në këtë lutje vërejmë se Ibrahimi (a.s) i lutet Allahut të Lartësuar që ta bëjë Mekën një vend të sigurisë, paqes dhe stabilitetit, larg padrejtësisë dhe derdhjes së gjakut. Po ashtu, Ibrahimi (a.s) i lutet Allahut të Lartësuar që ta mbrojë atë dhe pasardhësit e tij nga adhurimi i idhujve, adhurim që i ka shpënë shumicën e njerëzve në rrugën e gabuar. Prandaj ai i cili ndjek rrugën e Ibrahimit (a.s) dhe të gjithë Profetëve të tjerë ka shpëtuar dhe ai i cili nuk e ndjek rrugën e Ibrahimit (a.s) dhe të gjithë Profetëve të tjerë ka devijuar nga rruga e drejtë dhe vendstrehimi i tij do të jetë Zjarri i Xhehenemit, në të cilin do të jetojë përgjithmonë.
Allahu na bëftë besimtarë të kulluar në adhurimin e Tij dhe na rujtë nga idhujtaria ne dhe gjithë pasardhësit tanë.

3 – Imitimi i verbër:
Duke iu përgjigjur Herakliut, Ebu Sufjani thotë se Muhamedi (a.s) thotë: “Lëreni atë që thonë baballarët tuaj” Prindërit janë ata të cilët kujdesen për fëmijët e tyre. Ata merren me sigurimin e ushqimit, veshmbathjes, arsimit, edukimit dhe formimit fetar, ideor e kulturor të tyre. Prindërit janë ata të cilët ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në besimin e fëmijëve të tyre. Nëse prindi është musliman, atëherë edhe fëmijët e tyre do të jenë të tillë. Nëse prindi është hebre, i krishterë, hindus apo budist atëherë edhe fëmijët të tillë do të jenë. Nëse prindi adhuron idhujt edhe fëmija i tij idhujt ka për të adhuruar. Kur njerëzit thirren për të adhuruar vetëm Allahun e Lartësuar, ata e refuzojnë këtë thirrje me preteksin se adhurimin e idhujve e kanë të trashëguar nga prindërit e tyre. Madje këtë preteks ata e ruajnë me një fanatizëm të tepruar, saqë është shumë e vështirë t’ia shkulësh nga mendja këtë bindje dhe imitim të verbër. I gjen njerëzit që më shumë i besojnë fjalëve të baballarëve të tyre se sa fjalëve të Profetëve dhe thirrësve në rrugë të Allahut. Me këtë, ata i japin një lloj hyjnizmi dhe shenjtërimi fjalëve të baballarëve të tyre.
Në fakt, jo çdo gjë që njeriu e trashëgon nga baballarët është e keqe. E keqe është që njeriu të humbasë logjikën dhe gjykimin ndaj asaj që trashëgon. Imitimi i verbër i baballarëve do të thotë që:
Njeriu ta mohojë udhëzimin hyjnor. Allahu i Lartësuar thotë: “Po ashtu, në çdo vend që Ne kemi dërguar paralajmërues para teje, pasanikët e atij vendi thonin: Ne i kemi gjetur etërit tanë në këtë fe dhe po ndjekim gjurmët e tyre. (Çdo i dërguar) thoshte: Po sikur unë t’ju kem sjellë (një fe) më të ndriçuar se ajo e të parëve tuaj?! Ata thanë: Ne e mohojmë mesazhin me të cilën jeni dërguar.”[17]
Imitimi i verbër i baballarëve do të thotë ngurtësim në mendime e ide. Prandaj edhe imitimi i verbër i baballarëve konsiderohet prapambetje, sepse njeriu ngel në vend numëro dhe nuk përparon asnjëherë.
Allahu i Lartësuar i ka shkatërruar popujt e mëparshëm për shkak se në vend që të ndiqnin rrugën e Profetëve, ata ndoqën dhe imituan baballarët dhe gjyshërit e tyre. I dhanë përparësi mendimeve dhe opinioneve të tyre përpara të vërtetës, prandaj edhe u shkatërruan.
Kur Profeti (a.s) e thirri popullin e tij që të adhuronte vetëm Allahun dhe të braktisnin adhurimin e idhujve, ata e refuzuan thirrjen e tij. Ata nxorrën shumë pretekse, ku njëri prej tyre ishte se ne nuk e braktisim atë që e kemi mësuar prej baballarëve tanë. Këtë fakt e përmend Allahu i Lartësuar në Kuran: “E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): Pranoni atë që Allahu e shpalli! Ata thanë: Jo: Ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë. Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë. (ata do t’i pasonin)?”[18]
Imam Esh Sharaui duke komentuar këtë ajet thotë: [Kur Allahu i Lartësuar i fton njerëzit që të pasojnë atë që Allahu e zbriti nëpërmjet profetëve, i ndalon ata që të imitojnë baballarët e tyre në çdo gjë, sepse baballarët mund të jenë të shkujdesur ndaj rrugës së drejtë apo mund ta kenë harruar atë. Prandaj edhe Allahu i Lartësuar na urdhëron që të largohemi prej kësaj dhe të ndjekim atë që ka zbritur Allahu. Ne nuk duhet të biem në rang të ulët sepse doket dhe traditat e njerëzve ndryshojnë, kurse programi qiellor (hyjnor) nuk ndryshon kurrë. Prandaj ndiqni atë që ka zbritur Allahu!][19]

4 – Rëndësia e namazit:
Namazi është shtylla e fesë. Dallimi ndërmjet një praktikanti të fesë dhe jopraktikanti[20] ëshë namazi. Namazi është tregues i besimit të fortë. Namazi është prej kushteve themelore të udhëzimit dhe devotshmërisë, ashtu sikurse e thotë Allahu i Lartësuar: “Elif, Lam, Mim. Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit. Të cilët besojnë në të fshehtën, e falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne; dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpar teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër. Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.”[21]

Namazi është obligim për mashkullin dhe femrën, të pasurin dhe të varfërin, të shëndoshin dhe të sëmurin, rezidentin dhe udhëtarin, plakun dhe të riun. Përgjegjësia ndaj faljes së tij nuk bie asnjëherë, ndryshe nga adhurimet e tjera si: agjërimi, zekati e haxhi. Namazi është aq i rëndësishëm sa ai duhet të falet edhe në fushëbetejë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur të udhëtoni, nuk është gjynah që ta shkurtoni namazin, nëse druheni që jobesimtarët do t’ju bëjnë ndonjë dëm. Me të vërtetë, jobesimtarët janë armiqtë tuaj të hapur. Kur të jesh ti (o Muhamed) në mes të besimtarëve dhe të prish faljen e namazit (në luftë), atëherë njëri grup prej tyre le të falet me ty dhe le t’i mbajnë pranë edhe armët e veta. Pastaj këta, le të rrinë pas jush dhe le të vijë grupi tjetër, i cili nuk është falur dhe le të falet me ty! Le të jenë syçelë dhe t’i mbajnë armët e veta! Jobesimtarët dëshirojnë që të jeni të pakujdesshëm ndaj armëve dhe pajimeve tuaja, që t’ju sulmojnë me tërë fuqinë. Nuk ka gjynah për ju nëse hasni në ndonjë shqetësim prej shiut ose sëmundjes e lini armët, por edhe atëherë, bëhuni syçelë. Allahu, me të vërtetë, ka përgatitur dënim poshtërues për jobesimtarët. Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë. Kur të jeni jashtë rrezikut, atëherë faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.”[22]

Rruga më e mirë për ta kujtuar Allahun është falja e namazit. Namazi ëshë një mirësi e madhe. Profeti (a.s) gjente qetësi dhe lumturi kur falej. Po ashtu edhe shokët e tij. Nëpërmjet namazit njeriu afrohet më shumë me Krijuesin. Njeriu i cili falet pastrohet nga gjynahet e mëkatet. Madje namazi e shtyn njeriun që të largohet nga veprat e këqija e të shëmtuara. Në botën tjetër, njeriu do të pyetet dhe do të japë llogari në e ka falur apo jo rregullisht namazin. Profeti (a.s) thotë: “Gjëja e parë për të cilën njeriu (robi) do të japë llogari në Ditën e Gjykimit është falja e namazit. Nëse e ka falur rregullisht ka për të shpëtuar, e nëse nuk e ka falur rregullisht ka për t’u dëshpëruar dhe do të humbë.”[23]

5 – Vlera e sinqeritetit:
Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që të jenë të sinqertë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni si ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe vepra)”[24] Të sinqertët gëzojnë një pozitë të lartë dhe janë me ata të cilët Allahu i ka begatuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me punëmirët. Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!”[25] Në Kuran, Allahu i Lartsuar flet për mirësinë: “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfërit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruave; e atij që fal namazin dhe jep zeqatin; dhe atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë (të sinqertë) dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.” Në Ditën e Gjykimit, ajo që e shpëton njeriun nga ndëshkimi është vetëm sinqeriteti, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Kjo është Dita në të cilën të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre ju takojnë kopshtet, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është fitorja e madhe.”[26]

 

Sinqeriteti është virtyt i fisshëm. Ai është dy llojesh: Me qenë i sinqertë me Allahun dhe me qenë i sinqertë me njerëzit. Që të dyja këto konsiderohen prej moraleve të fisshme. E kundërta e sinqeritetit është gënjeshtra që do të thotë: me dhënë një lajm që bie në kundërshtim me realitetin. Gënjeshtra është ves shumë i keq dhe është ves i hipokritëve, ashtu sikurse thotë i Dërguari i Allahut (a.s.): “Shenjat e hipokrizisë janë tre; ku një prej tyre është: “kur flet gënjen”.  Disa njerëz janë të sprovuar me këtë sëmundje, sepse nuk gjejnë rehati dhe qetësi vetëm se kur gënjejnë.[27]

6 – Vlera e dlirësisë
Dlirësia është një virtyt i mirë që dëshmon për besimin e fortë të njeriut. Dlirësia e mbron familjen muslimane nga shthurrja e degjenerimi. Dlirësia është triumfi ndaj nefsit dhe epshit.
Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, besimtarët janë të shpëtuar; .. të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim- dhe për këtë, nuk janë fajtorë.. Pikërisht ata do jenë trashigmtarët, që do ta trashëgojnë Firdeusin, ku do të qëndrojnë përjetësisht.”[28]
Muslimani e ruan syrin, veshin, këmbën, dorën e avretin nga harami. Allahu i Lartësuar e urdhëron muslimanin që të jetë i dlirë derisa të martohet: “Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le të përmbajnë veten, derisa Allahu t’i begatojë me dhuntinë e Tij.”[29]
Padyshim, model i dlirësisë është Profeti i Allahut Jusufi (a.s). Kur gruaja e të madhit të Egjiptit e ftoi për imoralitet, ai refuzoi. Po ashtu edhe kur gratë që prenë duart e tyre e ftuan atë për imoralitet, ai refuzoi. Madje preferoi që më mirë të burgosej se sa të kryente një gjë të tillë. Profeti (a.s) thotë: “Allahu do t’i fusë në Hijen e Tij shtatë (lloje njerëzish) në atë Ditë ku nuk do të ketë hije përveç hijes së Tij. (Këta janë); Sunduesi i drejtë; një djalosh i ri i rritur në adhurimin e Allahut;  një njeri, zemra e të cilit është lidhur me xhaminë; dy vetë të cilët e duan njëri-tjetrin vetëm për hir të Allahut, ata takohen dhe ndahen vetëm për hir të Tij; personi të cilin një grua me pozitë dhe e bukur e fton për të kryer imoralitet, por ai thotë: Unë kam frikë Allahun; një njeri i cili jep sadeka fshehtas saqë dora e majtë nuk e di se çfarë ka dhënë dora e djathtë dhe personi i cili e përmend Allahun në vetmi dhe sytë i mbushen me lot.”[30]

7 – Mbajtja e lidhjeve farefsinore:
Mbajtja e lidhjeve farefisnore është virtyt i lartë për të cilin Allahu na ka urdhëruar: “Frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajini lidhjet farefisnore.”[31] Kurse Profeti (a.s) thotë: “Kush dëshiron që t’i shtohet bereqeti (risku) dhe mosha atëherë le të mbajë lidhjet farefisnore.”[32] E në një hadith tjetër thotë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili i shkëput lidhje farefisnore.”[33]
[Fjalët “Dhe të mbajmë lidhjet farefisnore.” do të thotë se duhet t’i mbajmë ato lidhje që Allahu na ka porositur që t’i mbajmë me të afërmit, pastaj me rrethin e dytë e kështu me rradhë. Më të afërmit janë prindërit. Mbajtja e lidhjeve me ta është mirësi. Edhe me të afërmit e tjerë duhet të mbajmë lidhje në bazë të afërsisë së tyre. Vëllai yt meriton një lidhje me të afërt se xhaxhai, xhaxhai yt meriton një lidhje më të afërt se xhaxhai i babait tënd dhe në bazë të kësaj vlerësohen të gjithë të tjerët.
Në Kuran dhe në Sunet, lidhja farefisnore nuk përcaktohet, ç’ka do të thotë se ajo përcaktohet nga tradita. Ajo që me traditë konsiderohet lidhje farefisnore është e tillë. Kjo ndryshon në bazë të njerëzve, gjendjes kohës dhe vendit. Për shembull, nëse i afërmi yt nuk është i varur nga ti dhe me trup është i shëndoshë dhe ti dëgjon për të se nuk ka nevojë për asgjë, lidhja farefisnore me të mund të caktohet periudha kohore që duhet ta vizitosh çdo një muaj, një muaj e gjysëm apo të ngashëm me këtë. Kjo konsiderohet lidhje farefisnore sipas traditës tonë. Kjo, për shkak se njerëzit janë bërë të pavarur nga njëri-tjetri, çdonjëri prej tyre nuk ka nevojë për tjetrin. Mirëpo nëse njeriu është tepër i afërt si babai, nëna, vëllai, xhaxhai, ata kanë nevojë për një lidhje më të shpeshtë . Nëse janë të varfër, kanë nevojë për lidhje më të shpeshtë. Nëse sëmuren kanë nevojë për një lidhje më të shpeshtë e kështu me rradhë.
Kështu pra është e rëndësishme të theksojmë se ajo që nuk përcaktohet në Kuran dhe Sunet, kuptohet në varësi të traditës. Kjo ndryshon në varësi të asaj që përmendëm (më sipër), në varësi të: afërsisë, gjendjes së njeriut, kohës dhe vendit. Ajo që në traditë konsiderohet mbajtje e lidhjeve farefisnore quhet e tillë dhe ajo që në traditë konsiderohet shkëputje e lidhjeve farefisnore quhet e tillë.][34]

8 – Përparësia në thirrje:
Kjo gjë vërehet shumë qartë në këtë hadith. Gjëja e parë që Profeti (a.s.) i thirri arabët ishte “Adhurojeni vetëm Allahun duke mos i shoqëruar shok në adhurim” Dhe më pas i thirri për të falë namaz e për t’u pajisur me moralet e mira si sinqeriteti në fjalë dhe në vepra, dlirësia dhe mbajtja e lidhjeve farefisnore. Nuk ka dyshim se njësimi i Allahut të Lartësuar është baza e besimit. Prandaj edhe Profeti (a.s) i thirri qysh në fillim të thirrjes së tij idhujtarët e Mekës që të besonin vetëm tek Allahu pa i shoqëruar askënd në adhurim. Thirrja në njësimin e Allahut të Lartësuar ishte domosdoshmëri dhe pas kësaj, pasi njerëzit ta pranonin këtë thirrje, ai (a.s) i urdhëroi me adhurime si falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi e haxhi. Vlen të themi se retorika e këtij hadithi flet për këtë përparësi. Imam Ibn Haxheri thotë: [Fjala e Ebu Sufjanit “Na urdhëron” pas fjalëve “Adhurojeni vetëm Allahun duke mos i shoqëruar shok në adhurim” tregon për se këto dy gjëra janë të ndryshme në varësi të atij që i kundërshton ato. Ai që e kundërshton të parën (“Adhurojeni vetëm Allahun duke mos i shoqëruar shok në adhurim”) konsiderohet mosbesimtar. E ai që e kundërshton të dytën (namazin dhe moralet) konsiderohet mëkatar.] [35]Argument i fortë për këtë që po themi është fjala e Profetit (a.s) drejtuar Muadhit përpara se ai të nisej për në Jemen: “Ti do të shkosh tek një popull që janë ithtarë të Librit. Gjëja e parë që do t’i thërrasësh është ta njësojnë Allahun e Lartësuar. Nëse ata e nohin Allahun, lajmëroi se Allahu i ka obliguar që të falin namazin pesë herë gjatë ditës dhe natës.”[36] Duke komentuar këtë hadith, imam Neueuiju thotë: [Profeti (a.s) përdori metodën e përparësive në thirrjen e njerëzve në Islam. Në fillim, ai (a.s) filloi me atë që ishtë më e rëndësishme.][37]

Kështu pra hadithi i Ebu Sufjanit dhe i Muadhit dëshmojnë për rëndësinë e madhe të përparësisë në thirrjen që u bëhet njerëzve për të pranuar Islamin.

Argumentet dhe dobitë e hadithit:
1 – Interesimi i Herakliut për të ditur rreth figurës së Profetit (a.s)
2 – Njësimi i Allahut të Lartësuar ka qenë thirrja dhe mesazhi i të gjithë Profetëve.
3 – Adhurimi i idhujve është rreptësisht i ndaluar.
4 – Njeriu duhet t’i shmanget imitimit të verbër, veçanërisht në çështjet fetare.
5 – Njeriu e ka për obligim që ta adhurojë Allahun e Lartësuar.
6 – Sinqeriteti në fjalë dhe vepra është prej moraleve dhe virtyteve më të mira. Këtë virtyt e do Allahu i Lartësuar si dhe njerëzit.
7 – Allahu i urdhëron njerëzit për ato gjëra që janë të dobishme për ta në këtë botë dhe në botën tjetër.
8 – Hadithi flet në përgjithësi për gjithëpërshirjen e mesazhit Islam; flet për besimin, adhurimin dhe moralet.
9 – Vlera dhe rëndësia e madhe dlirësisë dhe mbajtjes së lidhjeve farefisnore.
10 – Është e rëndësishme që thirrësi në rrugë të Allahut në rradhë të parë t’i thërrasë njerëzit tek ajo gjë është më e rëndësishme duke përdorur metodën e përparësisë në thirrjen e tij.

Epilog:
Profeti (a.s) ishte shembulli dhe modeli më i mirë i njerëzimit. Gjithçka që ai urdhëronte që njerëzit ta vepronin, ishte vetë njeriu i parë që e zbatonte atë. Në mesin e popullit të tij ai njihej me epitetin “Es sadiku El Emin” i “Sinqerti, Besniku”. Për sinqeritetin e tij dëshmuan edhe armiqtë e tij siç është rasti i Ebu Sufjanit në këtë hadith. Në epilogun e këtij hadithi do të përmendim një rast të dëshmisë së armiqve të tij:
“Kur u shpall: “Dhe paralajmëroje farefisin tënd më të afërm”, Resulull-llahu a.s. hipi në Safa dhe filloi të thërriste: “O pasardhësit e Fihrit! O pasardhësit e Adit! O kurejshitë!”, dhe kështu me radhë, derisa ata u tubuan. Disa nuk mundën t’i përgjigjen thirrjes së tij andaj dërgoi dikënd që t’i lajmëronte se cilët janë ata. Erdhi Ebu Lehebi, e erdhën edhe kurejshitët. Resulull-llahu a.s. tha: “Çka men­doni, po t’ju thosha se në luginë gjendet kalorësia e cila do t’u sulmojë, a do të më kishit besuar?” Ata u përgjigjën: “Ne do të të besojmë, se ti kurrë nuk na ke gënjyer.” “Atëherë”, ai tha: “Dijeni se unë jam i dërguar tek ju që t’ju tërheqë vërejtjen në vuajtjet e rënda dhe ndëshkimin që ju pret.” Ebu Lehebi tha: “Të shkoftë huq pjesa e mbetur e ditës! A për këtë na ke ftuar? All-llahu xh.sh. atëherë shpalli: “Le të shkatërrohet Ebu Lehebi.”[38]

[1] Transmetojnë Buhariu (7) dhe  Muslimi (1773).
[2] Transmeton Ebu Daudi (2669) El Hejthemi ka thënë në “El Mexhmu” ( 6/242): Transmeton Et Tabaraniu. Personat e këtij transmetimi janë të saktë.
[3] Sure En Nahl: 36.
[4] Sure Isra: 32.
[5] Sure Ali Imran: 110.
[6] Sure Ali Imran: 104.
[7] Sure El Kehf: 6.
[8] Sure Nuh: 8-9.
[9] Sure Edh Dhariajtë: 56.
[10] Sure El Arafë: 59
[11] Sure El En’am: 82.
[12] Sure El Haxh: 26.
[13] Sure Ez Zumer: 65.
[14] Transmetojnë Buhariu (3435) dhe Muslimi (30).
[15] Sure En Nisa: 48.
[16] Sure Ibrahim: 35.
[17] Sure Ez Zuhruf: 23-24.
[18] Sure El Bekare: 170.
[19] Marrë nga “Tefsir Esh Sharaui” 701-702.
[20] Në lidhje me atë person që nuk e fal namazin për shkak të neglizhencës apo dembelizmit, juristët kanë dhënë dy mendime. Një grup janë të mendimit se ata janë pabesimtarë. Ndërsa grupi tjetër pohojnë besimin e tyre. Duke u bazuar tek mendimi i dytë, kam arritur në përfundimin se muslimanët në trojet tona ndahen në praktikantë dhe jopraktikantë. (Allahu e di më mirë)
[21] Sure El Bekare: 1-5.
[22] Sure En Nisa: 101-103.
[23] Transmeton Et Tirmidhi ( )
[24] Sure Et Teube: 119
[25] Sure En Nisa: 69.
[26] Sure El Maide: 119.
[27] Marrë “Shpjegimi i Rijadus Salihin” fq: 1/305.
[28] Sure El Mu’minun: 1, 5-6, 10-11.
[29] Sure En Nur: 33.
[30] Transmeton Buhariu (660).
[31] Sure En Nisa: 1.
[32] Transmeton Buhariu (5985).
[33] Transmetojnë Buhariu (5984) dhe Muslimi (2556).
[34] Marrë nga “Shpjegimi i Rijadus Salihin” (1/309)
[35] Marrë nga “Fet’hul Bari” (2/269)
[36] Transmetojnë Buhariu (7373) dhe Muslimi (19)
[37] Marrë nga “Shpjegimi i Sahihu Muslimit” (1/97)
[38] Marrë nga “Nektari i vulosur i Xhenetit” versioni shqip fq: 82-83.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit