3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

MESAZHE NGA JETA E PROFETËVE

Më të lexuarat

Zoti i gjithësisë ka krijuar gjithçka që ekziston dhe në qendër të krijimit vendosi njeriun. Ndërkohë, njerëzimin nuk e ka lënë asnjëherë pa udhëzues dhe udhërrëfyes. Si rrjedhojë, udhëzuesi ynë është Kurani famëlartë, kurse udhërrëfyesi është profeti i fundit Muhamedi (a.s.)

Kur studiojmë Kuranin, vërejmë se, 1/3 e tij përbëhet nga histori të ndryshme. Edhe pse Allahu e zgjodhi atë si udhëzues për umetin (bashkësinë) e profetit të fundit, umet i cili sot në shekullin e 21 ka arritur në një nivel të lartë inteligjence dhe ndoshta do të arrijë majat në vijim, shikojmë se, librin udhëzues e ka mbushur me një sasi të konsiderueshme me histori profetësh. Si mendoni ju, a nuk tregon ky fakt rëndësinë e këtyre historive?!

Pikërisht për këtë, dëshiroja të ndaja me ju disa mesazhe, mësime dhe urtësi të vyera, që mund të nxjerrim nga jeta e profetëve, të cilët Zoti ynë i përmend në Kuranin famëlartë. Është e padiskutueshme se në historitë e përmendura në Librin tonë të shenjtë, nxjerrim urtësi dhe mesazhe pafund, edhe në shekullin e 21, megjithëse kanë kaluar mijëra vite që nga momenti kur Zoti na ka dhënë këto mesazhe. Kjo tregon se, natyra e përgjithshme njerëzore është e njëjte në çdo kohë. Historitë, ngjarjet dhe ndodhitë përsëriten, gjithmonë janë të ngjashme, pavarësisht se njerëzit janë të ndryshëm. Allahu në suren Jusuf thotë: “Me të vërtetë që, në historitë e tyre ka dobi për ata të cilët arsyetojnë” (Jusuf, 111)

Duke u nisur nga kjo, para se të fillojmë me profetin e parë, le të shikojmë së bashku se çfarë mësimesh mund të nxjerrim ne, besimtarët e shekullit 21 nga historitë e të dërguarve të Zotit të gjithësisë. Të ndalemi pak në katër dobi kryesore:

  1. Historitë e tyre, forcojnë besimin e besimtarëve dhe i bën më të qëndrueshëm ndaj sprovave dhe fatkeqësive në jetë. Sepse sprovat më të mëdha, Zoti ja jep njerëzve më të dashur, pra profetëve. Ai në suren Hud, thotë: “Të gjitha këto që të rrëfyem ty nga lajmet e profetëve, janë që ta forcojnë zemrën tënde” (Hud 120)
  2. Historitë e profetëve, përmenden që ti kemi si shembull në jetën tonë dhe të ecim në gjurmët e tyre. Allahu në suren En’am thotë: “Profetët janë ata të cilët i ka udhëzuar Zoti, prandaj, udhëzimin e tyre ndiqe” (En’am 90)
  3. Historitë e tyre, na mësojnë se si ti ftojmë njerëzit në Islam. Le të shikojmë njërin prej tyre, Ibrahimin a.s. Teksa ftonte babanë e tij jo besimtar, i drejtohej me fjalë të buta, si në suren Merjem: “O babai im, unë kam frikë se do të godasë ndonjë dënim prej të Gjithëmëshirshmit…” (Merjem 45). Megjithëse i kujtonte ndëshkimin, ai e shoqëron atë me një cilësi të Zotit që tregon mëshirë.
  4. Historitë e tyre na lehtësojnë të kuptuarit e Kuranit, sepse shpesh herë, njerëzit e shohin Kuranin si mesazh që është i vështirë për tu kuptuar, dhe kështu, me vetëdije apo jo, vendosin barriera e pengesa mes tyre dhe fjalës së Zotit. Ndërkohë që, 1/3 e tij përbëhet nga histori që janë të thjeshta për tu kuptuar. Kjo tregon se, Kurani është një libër që përçon mesazhe, ku mund të përfitojë çdokush që e lexon atë me sinqeritet.

Taulant Bica

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit