Mesazhe nga ajeti “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj..”
Ramazani është muaji që përcjell mesazhe shumë domethënese tek të gjithë njerëzit. Ai është muaji i garimit në vepra të mira, muaji i faljes dhe amnistisë hyjnore, muaji ku hapen dyert e Xhenetit muaji i devotshmërisë dhe i shumë e shumë të mirave dhe begative hyjnore. Duke parë këto mirësi të këtij muaji të begatë ndërmend më vjen ajeti kuranor:
“و سارعوا إلى مغفرة من ربكم و جنة عرضها السموات و الأرض أعدت للمتقين”
“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është e përgatitur për të devotshmit.”[1]
Shprehja kuranore “Nxitoni” nënkupton se njeriu është “kohë” e koha kalon. Nëse njeriu do të ishte i përjetshëm, atëherë fjala “Nxitoni” nuk do të kishte vlerë. Njeriu në këtë botë do të jetojë vetëm disa vite për ta braktisur njëherë e mirë atë. Çdo sekondë dhe minutë që kalon ai i afrohet fundit të tij. Gjëja më e shtrenjtë që njeriu posedon në këtë botë është koha. Me mbarimin e kohës përfundojnë të gjitha projektet dhe ambiciet e tij.
Kjo kohë e vënë në dispozicion është konsum ose investim. Të konsumosh kohën do të thotë të bësh atë gjë që të gjithë njerëzit bëjnë ku dita nuk i ngjan ditës. Kurse të investosh në kohë do të thotë që të bësh vepra të mira të cilat do të të vlejnë e do të bëjnë dobi pasi kjo kohë të mbarojë. Besimi tek Allahu i Madhëruar dhe kryerja e veprave të mira që njeriut i vlejnë në botën tjetër është investimi dhe kapitali më i mirë për të. Nëse njeriu do ta kuptonte rrezikun e kalimit të kohës pa bërë një gjë të dobishme, nuk do të flinte as gjumë. Profeti (a.s) thotë: “Nëse do të dini atë që unë di, do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë.”[2]
Njerëzit sot konkurojnë dhe garojnë kush e kush të ketë më shumë pasuri, të ketë më tepër pozitë në mesin e njerëzve, të jetë më i suksesshëm e dikush tjetër për të përfituar sa më shumë nga të mirat e kësaj bote. Garojnë e garojnë pambarimisht a thua sikur do të jetojnë përgjithmonë në këtë botë të shkurtër.
Njeriu i cili e kupton qëllimin e ardhjes së tij në këtë botë, njeriu i cili e kupton se kjo botë është kalimtare, njeriu i cili e kupton se kjo botë është një parcelë ku ai duhet të mbjellë drithëra, perime dhe fruta për t’i korrur ato në botën tjetër, rend me të katra dhe nxiton drejt faljes hyjnore dhe Xhenetit hapësira e të cilit është sa e qiejve dhe Tokës që Allahu i Madhëruar e ka përgatitur për robërit e tij të devotshëm.
“Falja hyjnore” është shërim dhe pastrim. Falja shëron të gjitha plagët e nefsit të njeriut që kanë vendosur një perde midis njeriut dhe Krijuesit. Allahu i Madhëruar thotë:
قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَى أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعاً إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ
“Thuaj o robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbisni shpresën dhe mëshirën nga mëshira e Allahut. Allahu me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirploti.”[3]
Çdo bir i Ademit është gabimtar. Të gjithë ne kemi shumë nevojë që të na falen gjynahet të cilat i kryejmë ditën dhe natën. Të ngresh duart lart në qiell dhe t’i lutesh Allahut për të të falë mëkatet është pjesë e faljes hyjnore, të pendohesh për mëkatin që ke bërë është pjesë e faljes hyjnore, të thuash me gojë dhe me zemër “estagrirullah” është pjesë e faljes hyjnore. Të bësh vepra të mira është pjesë e faljes hyjnore. E njeriu ka nevojë për këtë falje në çdo kohë dhe në çdo vend, veçanërisht në këto ditë të këtij muaji të begatë. Muaji i begatë i Ramazanit është muaji i amnistisë hyjnore. Profeti (a.s) ka thënë:“Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar tek shpërblimi i Zotit, Allahu ia fal atij të gjitha gjynahet e mëparshme.”[4] Ai njeri i cili në këtë muaj të begatë nuk kthehet tek Krijuesi, ai njeri, për të cilin dyert e Xhenetit janë hapur dhe ato të Xhehenemit janë mbyllur, nëse nuk i falen gjynahet dhe mëkatet në këtë muaj, atëherë kur do t’i falen ato?! Moto e çdo besimtari në këtë muaj të begatë duhet të jetë:
“و قالوا سمعنا و أطعنا غفرانك ربنا و إليك المصير”
“Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti ynë dhe te Ti do të kthehemi.”[5]
Çdo njeri do ta shijojë vdekjen dhe të gjithë njerëzit do të dalin përpara Allahut të Madhëruar për të dhënë llogari për atë që kanë vepruar në këtë botë. Në botën tjetër ka dy rrugë: një rrugë për në Xhehenem dhe një tjetër për në Xhenet. Synimi kryesor i çdo besimtari është të shpëtojë nga Zjarri i Xhehenemit dhe të hyjë në Xhenet, Allahu i Madhëruar thotë:
“و من زحزح عن النار و أدخل الجنة فقد فاز”
“Kush shpëton nga zjarri dhe hyn në Xhenet, me të vërtetë ai ka shpëtuar.”[6]
Të nderuar vëllezër dhe motra! Xheneti është vendstrehimi i profetëve, njerëzve të sinqertë, i dëshmorëve dhe i njerëzve të mirë. Në Xhenet, besimtari do të shijojë frytet e punës së tij në këtë botë, do të shijojë mirësitë dhe begatitë e Allahut. Në Xhenet ka gjëra që njeriu nuk i parë, dëgjuar e as që i ka imagjinuar. “Në Xhenet burojnë dhe rrjedhin lumenj, kështjellat e tij janë të ndërtuara me tulla, njëra prej floriri dhe tjetra prej argjendi, ndërsa llaçi është i përbërë nga misku aromatik. Guralecët e tij janë perla dhe margaritarë, toka është shafran dhe në të ka perla në formën e çadrave të mëdha. Xheneti është dritë që vezullon, aromë që përhapet kudo, lum i rrjedhshëm, frut i pjekur, pemë të mrekullueshme pa gjemba dhe me hije të gjera, banane të mbushura me fruta pranë ujit rrjedhës. Banorët e Xhenetit ushqehen me to dhe gjithçka tjetër të dëshirojnë duke ndjerë gjithmonë kënaqësi. Ata nuk kanë jashtëqitje dhe as sekrecione hundësh, por trupat e tyre çlirohen me anë të djersës së lehtë me aromë të mirë, misku. Ata do të jetojnë në të përgjithmonë dhe kurrë nuk do të vdesin, do të jenë të rinj përgjithmonë dhe kurrë nuk do të plaken. Fytyrat e tyre shumë të bukura shndrisin nga gëzimi dhe lumturia. E tërë begatia e Xhenetit është e përhershme. Perdja do të ngrihet dhe banorët e Xhenetit do të shohin Fytyrën e të Plotfuqishmit, Dhuruesit të madh.”[7]
Allahu i Madhëruar thotë:
“و إذا رأيت ثم رأيت نعيما و ملكا كبيرا”
“Ngado që të hedhësh sytë, do të shohësh begati dhe mbretëri të shumta”[8]
Të nderuar vëllezër dhe motra ky është Xheneti që Allahu i Madhëruar i ka hapur dyert e tij për secilin prej nesh në këtë muaj të begatë. Prandaj, le të nxitojmë të gjithë së bashku për hyrë në Xhenetin, hapësira e të cili është sa e qiejve dhe Tokës që është përgatitur për të devotshmit, për ata që duan të përfitojnë sa më shumë nga mirësitë e këtij muaji.
Për nga natyra njeriu është lakmitar dhe ambicioz. Nëse do të kishte dy lugina me flori do të kërkonte një të tretë. Nëse do të posedonte gjysmën e botës do të kërkonte gjysmën tjetër. I tillë është njeriu. Ndoshta nga lakmia dhe ambicia që ka, njeriut mund t’i duket Xheneti shumë i vogël, prandaj që kjo lakmi të arrijë kulmin, Allahu i Madhëruar na tregon se hapësira e tij është sa hapësira e qiejve dhe e tokës. Profeti Muhamed (a.s) na tregon se qielli i parë në krahasim me të dytin është një unazë e hedhur në shkretëtirë, i dyti me të tretin një unazë e hedhur në shkretëtirë, i treti me të katërtin një unazë e hedhur në shkretëtirë, i katërti me të pestin një unazë në shkretëtirë, i pesti me të gjashtin një unazë e hedhur në shkretëtirë, dhe i gjashti me të shtatin një unazë e hedhur në shkretëtirë. Kështu pra, Xheneti është një vend me një hapësirë shumë të paimagjinueshme që mjafton dhe tepron për të gjithë ata të cilët do të hyjnë në të për të shuar të gjithë atë dëshirë të zjarrtë të çdonjërit prej nesh për të pasur sa më shumë.
Xheneti është përgatitur për të devotshmit. A nuk është edhe ky qëllimi i agjërimit?! Devotshmëri do të thotë që njeriu të mos i përgjigjet vesveseve të shejtanit, devotshmëri do të thotë që njeriu të largohet nga gjynahet, devotshmëri do të thotë që njeriu ta shtypë egon dhe nefsin e tij që gjithmonë e shtyn të bëjë gabime, devotshmëri do të thotë që njeriu të largohet nga veset e këqija, devotshmëri do të thotë që njeriu të kryejë detyrimet dhe obligimet që njeriu ka karshi Krijuesit të tij, devotshmëri do të thotë që njeriu të afrohet tek Allahu i Madhëruar me nafile dhe vepra të mira e nëse ai afrohet tek Allahu i Madhëruar me detyrimet dhe nafilet, atëherë Allahu i Madhëruar është syri me të cilin ai shikon, veshi me të cilin ai dëgjon, dora me të cilin ai lëviz. Ky është mesazhi i vërtetë i agjërimit, ky është mesazhi i ajetiti kuranor:
“و سارعوا إلى مغفرة من ربكم و جنة عرضها السموات و الأرض أعدت للمتقين”
“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është e përgatitur për të devotshmit.”[9]/Përgatiti: Elton Harxhi
[1] – Sure Ali Imran: 133.
[2] – Buhariu (6637)
[3] – Sure Zumer: 53.
[4] – Buhariu (1901)
[5] – Sure Bekare: 285.
[6] – Ali Imran: 185.
[7] – xhamiambret.com/keshilla/a-i-ke-degjuar-keto-rreth-xhenetit/
[8] – Sure Insan: 20.
[9] – Sure Ali Imran: 133.