“Marrëzi, mashtrim i popullit, asgjë më shumë”.
Me këto fjalë Sasha nga Mitrovica e Veriut i ka komentuar për Radion Evropa e Lirë pamfletet me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me mbishkrimin: “Komandant Suprem, ju presim”.
Vuçiq, si president i Serbisë, konsiderohet komandanti suprem i Forcave të Armatosura të Serbisë. Është në kompetencën e presidentit të komandojë ushtrinë, por edhe të emërojë, avancojë dhe shkarkojë oficerët e Forcave të Armatosura Serbe.
Përveç në Mitrovicën e Veriut, këto pamflete shfaqën gjatë fundjavës edhe në tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Edhe pse Prokuroria e Kosovës ka nisur hetimet për këtë rast për “nxitje të urrejtjes”, Policia e Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush qëndron prapa atij akti dhe se hetimet janë duke vazhduar porse nuk mund të japë më shumë detaje.
“Më lejoni t’ju them, le të ketë paqe. Nuk kam koment për postera të ngjitur”, thotë Vladani, një tjetër qytetar i Mitrovicës së Veriut.
Nga ana tjetër, për Branislavin, ngjitja e re e pamfleteve po e “shkatërron qytetin”.
Igori beson se pamfletet e reja me imazhin e presidentit të Serbisë mund të shihen në dy mënyra: si mesazh sarkastik për situatën aktuale ose si ‘thirrje për revolucion’.
“Sikur diçka vendimtare do të ndodhë tani… Nuk kam ndonjë mendim personal, më besoni”, thotë ai.
Sërxhan Simonoviq nga organizata joqeveritare “Humani Centar Mitrovica”, e cila merret me çështjet e sigurisë, nuk e përjashton mundësinë që pamfleti të jetë shprehje e satirës.
Në anën tjetër, Aleksandar Popov, kryetar i Qendrës joqeveritare për Rajonalizëm, thekson se imazhi i presidentit të Serbisë me mesazhin “Komandant, ju presim” është shfaqur në veri të Kosovës në kohën kur Serbia kërcënohet edhe një herë nga protesta masive mjedisore për shkak të minierave të litiumit.
Prandaj, ai beson se qëllimi i atyre pamfleteve është që të “fusin nën qilim” temat aktuale në Serbi, të cilat mund të jenë negative për pushtetin aktual, duke e vënë në plan të parë situatën e sigurisë në Kosovë.
Veriu i Kosovës është tronditur nga tensione të larta në dy vjetët e fundit për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti për të vendosur pushtetin në atë rajon.
Ndërrimi i targave serbe me ato të Kosovës, vendosja e njësisë speciale të policisë, ardhja në pushtet e kryetarëve shqiptarë për shkak të bojkotit të zgjedhjeve nga komuniteti serb, heqja e dinarit serb – këto janë disa nga vendimet apo ngjarjet që hasën në rezistencën e banorëve në veri.
Situata arriti kulmin kur një grup i armatosur i serbëve të udhëhequr nga Millan Radoiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe të mbështetur nga Beogradi, sulmoi policinë në qytetin e Banjskës më 24 shtator të vitit të kaluar dhe vrau një polic.
Mesazhe dhe thirrje të mëparshme për rezistencë
Kjo nuk është hera e parë që mesazhet me thirrje për kthim të Ushtrisë Serbe në Kosovë shihen në veri të Kosovës, apo atyre që bëjnë thirrje për rezistencë ndaj Qeverisë së Kosovës.
Në shkurt të këtij viti persona të panjohur lanë fletëpalosje ku bënin thirrje për rezistencë në ndërtesat në veri të Mitrovicës dhe vetëm dy ditë më parë në të katër komunat në veri të Kosovës u shfaqën mbishkrime si, “Kur ushtria kthehet në Kosovë”, “Brigada e Veriut jeton”.
Qeveria e Kosovës i shpalli terroriste organizatat Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile në fund të qershorit 2023 për shkak të besimit se pjesëtarët e tyre kanë marrë pjesë në sulme të ndryshme ndaj Policisë së Kosovës.
Brigada e Veriut filloi shkrimin e grafiteve me mesazhin “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu, po presim” dhe të ngjashme, nga nëntori i vitit 2022, kur pjesëtarët e komunitetit serb u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës në veri me iniciativën e Listës Serbe.
Po ashtu, dhjetë ditë para sulmit në Banjskë të vitit të kaluar, në Mitrovicën e Veriut ishin shfaqur grafite me ngjyrat e flamurit serb me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Grafite identike janë shkruar më parë në qytete të shumta anembanë Serbisë dhe janë bërë nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, pas një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina më 26 korrik në Beograd.
Çfarë po bëjnë autoritetet kompetente të Kosovës?
Për pamfletin e fundit me imazhin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me mesazhin: “Komandant suprem, të presim” nuk e ka marrë përgjegjësinë askush.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një prononcim për REL-in, ka thënë se hetimet janë duke vazhduar, porse tash për tash nuk ka të dyshuar. Nuk dihet se kush ka lënë mesazhe më parë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë apo thirrje për rezistencë ndaj autoriteteve kosovare.
“Hetimi është duke vazhduar, nuk varet shumë nga ne, varet nga informacionet në terren. Deri më tani nuk kemi pasur sqarime për këto raste, por kemi për raste të tjera të kundërvajtjeve. Nuk është se nuk ndriçojmë asnjë rast”, nënvizon Elshani.
Në fund të prillit dhe në fillim të majit të këtij viti, Policia e Kosovës vendosi kamera vëzhguese në hapësirat publike në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Deri atëherë në veri kishte kamera, për të cilat policia nuk kishte njohuri dhe nuk dinte se kush i monitoronte.
Mirëpo, Elshani nuk ka dashur të tregojë nëse ato kamera tregojnë se kush i ka postuar pamfletet me imazhin e Vuçiqit, sepse, siç është shprehur ai, kjo është pjesë e hetimeve.
“Nuk do të flasim për këtë, do të shohim. E rëndësishme është që situata të jetë e qetë, të mos dëmtohet asgjë dhe të mos ketë të lënduar”, shton ai.
Ai, po ashtu, ka konfirmuar se prokuroria e ka cilësuar rastin si “shkaktim i urrejtjes” dhe se ka nisur hetimet. Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Prokurorisë së Mitrovicës me pyetjen se ndaj kujt po zhvillohen hetimet, por ata kanë deklaruar se përgjegjëse për atë rast është Prokuroria Speciale në Prishtinë, e cila nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij teksti.
Simonoviq: Qytetarët në veri duan vetëm paqen e tyre
Sërxhan Simonoviq nga organizata “Humani centar Mitrovica” beson se “një serb i zakonshëm nga veriu i Kosovës nuk ka kohë” të merret me ngjitjen e pamfleteve kushtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Qytetarët duan vetëm të ruajnë qetësinë e tyre. Tensionet janë mbi kokën e tyre. Nëse këto tensione prodhohen për shkak të një qëllimi politik, atëherë është një largim i vëmendjes nga temat kryesore. Nuk do t’i etiketoj Beogradin apo Prishtinën këtu, në përgjithësi ka një sërë problemesh që janë më të rëndësishme se broshurat që nuk i shërbejnë asnjë qëllimi”, thotë ai.
Sipas tij, pamfleti në një farë mënyre mund të jetë një “ngjarje komike që tallen me presidentin e Serbisë, sepse është shumë e qartë se ai mund të jetë komandant suprem vetëm në luftë.”
“Nuk shoh se ai mbishkrim, apo çfarëdo qoftë ai, mund të përfaqësojë një lloj rreziku të sigurisë, përveç se pala prishtinase mund ta përdorë atë për kërkime shtesë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Popov: Pamfletet ‘shpërqendrojnë’ vëmendjen nga temat e rëndësishme
Aleksandar Popov, kryetar i Qendrës joqeveritare për Rajonalizëm, beson se pamfletet me imazhin e presidentit të Serbisë, në fakt, e largojnë vëmendjen e publikut nga temat më të rëndësishme që kanë të bëjnë me Kosovën dhe ngjarjet në Serbi.
“Tashmë është bërë një numër i madh koncesionesh sa i përket Kosovës, sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Nga ana tjetër, atmosfera po nxehet këtu në Serbi, para së gjithash u vodhën zgjedhjet, por opozita nuk arriti të gjallërojë masat për protesta më të mëdha. Tani vëmendja po largohet nga vendimi për minierat e litiumit (në Serbi), herën e fundit që u ndesh me rezistencë të madhe, ishte pothuajse në prag të konfliktit (qytetarë dhe autoritete) që Vuçiq në fund të fundit refuzoi të nënshkruajë ligjin për shpronësim”, thotë Popov.
Me këto parulla në veri të Kosovës po mbulohet një rol i ndyrë i Listës Serbe, të cilin e luajti për të dalë nga institucionet e Kosovës”.
Çështja e minierave të litiumit në perëndim të Serbisë, në luginën e lumit Jadar, u ngrit sërish në fund të qershorit me njoftimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se drita jeshile për projektin Rio Tinto është ende e mundur. Projekti u ndërpre më shumë se dy vjet më parë nga Qeveria e Serbisë për shkak të protestave masive që kërkonin që të revokoheshin të gjitha lejet nga Rio Tinto, gjigandi australian i minierave që planifikon të nxjerrë xehe në Serbi, thelbësore për prodhimin e baterive të litiumit.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Popov thotë se Vuçiq tani po “ndërton nacionalizmin serb” duke u përpjekur të vendosë çështjen e minierave të litiumit në plan të dytë dhe çështjen e Kosovës në radhë të parë.
“Në fund të fundit, është një vazhdimësi. Me këto parulla në veri të Kosovës po mbulohet një rol i ndyrë i Listës Serbe, të cilin e luajti për të dalë nga institucionet e Kosovës. Tani e gjithë kjo po mundohet të paraqitet si ‘këtu, presidenti po lufton për Kosovën, por e shihni si është situata’. Në fakt, po mbulohet fakti që serbët në Kosovë kanë mbetur pa mbrojtje institucionale, madje edhe policore”, thotë Popov.
Reagime nga Kosova dhe Serbia
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar më 30 qershor se ata që kanë postuar pamflete me imazhin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me mesazhin “Komandant suprem, ju presim”, mund ta vizitojnë në burg nëse ai hyn në Kosovë, pa leje.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka reaguar ndaj deklaratës së Sveçlës, duke thënë se ky është një mesazh për të gjithë serbët nga Kosova.
“Qëllimi i tyre është arrestimi dhe dëbimi i të gjithëve, pastrimi etnik i Kosovës dhe Metohisë nga serbët”, ka thënë Daçiq në një deklaratë.
Ai, gjithashtu, ka shtuar se duke e “kërcënuar” presidentin e Serbisë, i cili po udhëheq dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në nivelin më të lartë politik, autoritetet kosovare tregojnë se “nuk duan marrëveshje, por vetëm konflikte”.
/REL/