Mes krizës më të madhe politike në Bosnjë që nga fundi i luftës ndëretnike të viteve 1992-1995, serbët në Bosnjë-Hercegovinë kanë festuar një festë të jashtëligjshme të dielën, me një paradë provokuese, duke shfaqur automjetet e blinduara, helikopterët e policisë dhe po ashtu forca të rendit me pushkë të gjata. Marshimi është bërë duke kënduar këngë nacionaliste, raporton agjencia AP.
Duke iu drejtuar mijëra spektatorëve të mbledhur në Banja Llukë, kryeqyteti de-fakto i pjesës së drejtuar nga serbët në Bosnjë, lideri nacionalist i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, përçmoi sanksionet që Washingtoni ia ka vendosur atij javën e për aktivitete të supozuara korruptive dhe për kërcënime për ta copëtuar vendin.
“Ky tubim është përgjigja më e mirë ndaj atyre që mohojnë të drejtat tona, që vazhdojnë të vendosin sanksione ndaj nesh. Kjo më dëshmon mua se duhet t’u dëgjojë ju, se nuk më zgjodhët mua për të përmbushur dëshirat e amerikanëve, por për të përmbushur dëshirat e popullit serb”, ka thënë Dodik.
Festa u ndalua në vitin 2015 nga Gjykata e Lartë e Bosnjës, e cila vendosi se data, që bie në ditën e një feste tjetër fetare ortodokse serbe, diskriminon grupet tjera etnike të vendit.
Gjatë luftës ku humbën jetën afro 100 mijë persona dhe i shndërrua gjysma e popullsisë në refugjatë, boshnjakët e kroatët u persekutuan dhe gati plotësisht u dëbuan nga gjysma e Bosnjës që tani administrohet nga serbët.
Pas luftës, sipas kushteve të marrëveshjes së Daytonit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Bosnja u nda në dy entitete qeverisëse gjysmë-autonome – në njërën që dominohet nga boshnjakët dhe kroatët dhe në tjetrën nga serbët që njihet ndryshe Republika Srpska.
Secila pjesë ka qeverinë, parlamentin dhe policinë e vet, por të dyja janë të lidhura me institucione të përbashkëta mbarëkombëtare, përfshirë gjyqësor, ushtri, agjenci të sigurisë dhe administratë tatimore. Të gjitha veprimet në nivel kombëtar kërkojnë konsensus nga tri grupet etnike.
Dodik prej vitesh ka avokuar për ndarjen e Republika Srpskas. /koha