8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Mes përfytyrimeve mjerane për një Europë myslimane, kujtoni Alhambran

Më të lexuarat

Ptu! E mbylla romanin para se avioni të ulej. E lexova aq shpejt saqë mund të thuhet që e përthitha. Është bestselleri i ri, Submission, me autor një intelektual francez, fytyrëvrarë, që i ndez cigaret bisht për bisht e quhet Houellbecq, dhe është i shkëlqyer sepse e bën të mundshëm një skenar të ekzagjeruar thuajse të rezalizueshëm.

Autori imagjinon vendin e tij në gjashtë vitet e ardhshme. Zgjedhjet presidenciale po afrojnë dhe Fronti Nacional i Marie Le Penit kryeson në sondazhe me 34 %, ndërsa socialistët janë shumë mbrapa me 22 %. Por vetëm një pikë pas tyre vjen një parti e re që është shfaqur nga banlienues. E udhëhequr nga një emigrant karizmatik i brezit të dytë i quajtur Muhamed Ben Abbes, e financuar nga shtetet e Gjirit, Vëllazëria Myslimane merr vota në gjithë Francën urbane.

Socialistët vazhdojnë të ecin keq, për shkak të zemërimit të votuesit nga kriza ekonomike shkaktuar nga euro; kur zhvillohen zgjedhjet presidenciale, në raundin e parë, Ben Abbes arrin t’ua kalojë. Ai del i dyti. Papritur beteja është mes tij dhe udhëheqëses bionde me retorikë të ashpër të Frontit Nacional. Çfarë bëjnë socialistët? Ata bëjnë marrëveshje kundër ekstremit të djathtë. Ata mbështesin Ben Abbes, që fiton në balotazh. Vëllazëria Myslimane merr drejtimin e republikës, dhe procesi i islamizimit është kaq gradual saqë bretkosa (le të themi) nuk e kupton që uji ngrohet.

Islamizimi fillon me mësimin e detyruar të Kuranit në shkolla; gratë franceze fillojnë të veshin perçe dhe heqin dorë nga fundet; pastaj burrat fillojnë të mbajnë deri në katër gra dhe aq konkubina sa janë në gjendje të mbajnë; e pastaj gjeniali Ben Abess nis programin e madh e vizionar për të ndryshuar gjithë përbërjen e BE, për të pranuar Turqinë dhe vendet e Maghreb-it (Afrika veriperëndimore). Aq shpejt sa mund të thuash Allahu Ekbar francezët nisin një program për krijimin e një lloj “Euroarabie”, dhe popullsia çifute arratiset për në Izrael.

Ndërsa pjesa tjetër e popullsisë franceze, ndjekin politikën të nënshtruar, siç sugjeron titulli; dhe “nënshtrim”, sigurisht, është përkthimi tekstual i fjalës islam. Autori është një intelektual francez që i ndez cigaret bisht për bisht me pamje të vrarë, i cili bëhet mysliman, dhe shpërblehet me një post universitar të financuar nga shtetet e Gjirit dhe një grua të re. Përndryshe – dhe kjo është pjesa më e frikshme – vendi vazhdon jetën normalisht. Qëllimi i librit është që t’u futë frikën, të luajë me islamofobinë, dhe t’iu bëjë të vrisni mendjen si do jetë Europa nën sundimin mysliman.

Unë mendoja rreth këtij skenari të pamundshëm kur aeroplani preku tokën dhe më ra ndërmend diçka. Ne ishim aty: sa zbritëm në rripin e fundit të tokës evropianoperëndimore, i ngjashëm me iluzionin mjeran e Houellebecq-ut në kuptimin që ishte vendi i fundit nën kontrollin e myslimanëve. Ne kaluam nja dy net në Granada në Spanjën jugore, dhe të dielën u zhvillua një procesion në qytet për të festuar përzënien e Boabdil, i njohur si Mahemdi XII, sulltani i fundit i Granadës.

Ndoshta ju kujtohet ai shkatërrim. Në 2 janar 1492 ai u detyrua të dorëzonte çelësat e pallatit Alhambra, ngjyrë rozë, i pashoq nga bukuria, dhe ktheu kokën e lëshoi një rënkim të njohur si “El suspiro del Moro” – Psherëtima e fundit e maurit. Në këtë çast e ëma e fshikulloi duke i thënë: “Po qan si grua sepse nuk mund të mbroheshe si burrë!” Kur shikon se çfarë ka dorëzuar Boabdil-i, e kuptoni qartë nënën e tij.

Myslimanët e sunduan këtë pjesë të Spanjës për 800 vjet, dhe trashëgimia e tyre ishte kolosale. Unë nuk e pranoj që gjithçka ishte ëmbëlsi multi-kulturore dhe dritë, me të krishterët, myslimanët dhe çifutët që jetonin përkrah njëri-tjetrit në harmoni të përsosur. Të dyja palët, të krishterë e myslimanë, donin të ishin më lart; me raste të dyja u përfshinë në konvertime të dhunshme; dhe mos harroni se më 1492 ishin monarkët katolikë, Ferdinandi dhe Izabela, që përzunë maurin e fundit nga pallati i Granadës dhe larguan çdo çifut nga Spanja.

Jo, nuk është e lehtë të paraqitet Spanja e mesjetës si prototip i pluralizmit dhe tolerancës urbane moderne. Por ajo që nuk mund të mohohet është shkalla e arritjeve të myslimanëve. Ishte lulëzimi intelektual i kalifatit të Kordobës që ndihmoi në mbrojtjen dhe transmetimin e teksteve të lashta greke që në fund nxitën Rilindjen Europiane. Arkitektura islame e Granadës është thjesht e mahnitshme.

Kur shkova për vrap dje, pashë radhë japonezësh e koreanësh në pritje të hynin dhe e kuptoni pse. Me tavanet si hoje bletësh, pishinat reflektuese dhe kopshtet me aromë jasemini, Alhambra, sipas shumë pretendimeve, është ndërtesa më e bukur në botë. Në këtë vend katolik është për t’u theksuar që bukuria më tërheqëse për turistët është një ndërtesë myslimane – jo katedralet Prado e Gaudi, jo Bilbao Guggenheim. Dhe në Spanjën e dërrmuar nga kriza e euros, ato para përbëjnë një dallim të madh.

Epoka jonë ka mundësi të vuajë nga akthi prej islamit – ose, së paku, islamizmit. Ne do të vazhdojmë në mënyrë kokëfortë të këmbëngulim për dallimin mes ekstremizmit islamik dhe një besimi fetar që praktikohet nga më shumë se një miliardë njerëz të cilët nuk janë më pak paqësorë, të dashur, zemërgjerë e të mirë nga ne.

Në tensionet e tanishme mes Iranit dhe Arabisë Saudite, mes shiave dhe sunitëve, ne mund të përfytyrojmë atë që mund të kthehet në luftë shkatërrimtare dhe kronike për dominim brenda vetë islamit. Mes gjithë kësaj mjegulle e frike – mbi të cilën njerëz si Houellebecq janë në gjendje të luajnë me mjeshtëri – ia vlen të lavdërojmë një epokë në të cilën një kulturë myslimane specifike i bëri një kontribut të madh e të përjetshëm qytetërimit europian.

Boris Johnson*

The Daily Telegraph

* Ish Kryetar i Bashkisë së Londrës dhe anëtar i Parlamentit britanik

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit