0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

“Merreni një avokat, do të ju nevojitet”, avokati serb pyet Grenellin: Si e dije dy javë më parë që Sanduloviq do të arrestohej për vendosjen e luleve mbi varrin e Blerina Jasharit?

Më të lexuarat

Avokati serb Çedomir Stojkoviq, ka ngritur pikëpyetje për raportin e ish-emisarit të ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Stojkoviq i cili njëherit është edhe avokat i politikanit opozitar serb që u rrah ditë më parë, Nikola Sanduloviq në një postim në “X” ka shkruar sesi ka mundur ta di Grenell javë më parë Sanduloviq do të arrestohej.

“Do të isha i lumtur të zbuloja se si Richard Grenell e dinte dy javë më parë se Nikolla Sanduloviq do të arrestohej? Vërtetë, ai mori një medalje nga presidenti Alkesandar Vuçiq dy muaj më parë, në të njëjtën mënyrë që Aleksandar Vuçiq mori një medalje nga Vladimir Putin 5 vjet më parë…”, ka shkruar Stojkoviq në “X”.

https://x.com/FIGHT_4_RIGHT_S/status/1744010980328194049?s=20

Ai më tej ka pyetur ish-emisarin e SHBA-ve, Richard Grenell se a ishte në dijeni që Sanduloviq do të arrestohej pas homazheve te varrezat e familjes Jashari.

“A mund të më thoni zotri Grenell, a e dinit ju se zoti Sanduloviq do të arrestohej për vendosjen e luleve mbi varrin e Blerina Jasharit, vajzës shtatëvjeçare shqiptare të vrarë në vitin 1998? E pyes këtë sepse Aleksandër Vulin, agjenti i Putinit në Serbi, i cili është nën sanksionet e SHBA-së, pretendoi dje se e kishte urdhëruar arrestimin dy muaj më parë. Pyes veten nëse bisedat konfidenciale të mia apo të dikujt tjetër ia keni përcjellë Aleksandar Vulin-it apo ai ju ka përcjellë falas informacionin se kë do të arrestojë Serbia ilegalisht? Ndoshta Vulin ju tha paraprakisht se do ta rrihnin dhe do t’i thyenin brinjët?”, ka shkruar tutje Stojkoviq.

Muaj më parë Richard Grenell dhe Nikola Sanduloviq kishin pasur një përplasje në “X”.

Sanduloviq i kishte reaguar Grenellit duke thënë se ai është një mercenar dhe është i blerë nga “krimineli i luftës, Aleksandar Vuçiq”.

“Ju Richard Grenell jeni një mercenar që është në anën e gabuar të historisë dhe vendit tuaj! Ju jeni blerë nga krimineli i luftës Aleksandar Vuçiq që la pas mijëra viktima të pafajshme të kombësisë shqiptare, kroate dhe boshnjake”, kishte shkruar Sanduloviq muaj më parë në “X”.

Pas kësaj erdhi reagimi i Grenellit i cili i tha “Merreni një avokat, do të ju nevojitet”.

Kujtojmë se politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviq është rrahur brutalisht ditë më parë në Serbi.

E gjithë kjo ndodhi një ditë pasi që Sanduloviq publikoi video duke bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ku edhe kërkoi falje për krimet që ka kryer Serbia.

Kryetari i partisë Republikane të Serbisë, Sanduloviq raportohet se është rrahur brutalisht nga BIA serbe ndërsa ka marrë pjesë edhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari Listës Serbe dhe organizuesi i sulmit terrorist në Banjskë.

Në videot e publikuara të politikanit teksa lë një spital në kryeqytetin serb, Beogradin, ai është parë në gjendje të rëndë shëndetësore.

E bija e tij, Klara ka deklaruar se politikani është helmuar dhe ka ngritur dyshime se një gjë e tillë është bërë me agjentin nervor novichok, të cilën shpesh e përdor presidenti rus, Vladimir Putin për të eliminuar ish-bashkëpunëtoret apo kundërshtarit e tij. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit