Merjem Lumi “zbulon” tre vaktshin
Merjem Lumin e njoh si një bebe të vogël 14 vjeçe, kur erdhi në Siri për të studiuar gjuhën arabe. Më pas, ajo ngeli në Siri dhe mua më doli bursa e studimit në Jordan. Sigurisht, jam takuar me të për një “ç’kemi, çfarë bën?”, por nuk e di që Merjemi paska filluar të thërrasë gocat e vogla për të falur pesë vakte dhe të falin tre, pasi na paskan rrejtur.
Kush na ka rrejtur, Merjem?
Dija merret nga zemrat e librave, dhe ato libra na kanë mësuar se pejgamberi alejhi selam është falur vetë dhe ka obliguar umetin të falë pesë vakte.
E nëse ti na vjen me argumentin kuranor të sures Hud,
“Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, e edhe në orët e afërta (me ditën) të natës…”,
atëherë duhet të dish një gjë që ti e di, po bën sikur nuk e di, ose e mohon për arsyet që i di vetëm ti, që feja ka dy burime nga merret: Kurani dhe suneti.
E nëse ti po argumentohesh me Kuran dhe i paske vënë shkelmin haditheve, po të pyes: atë tre vaktëshin që ti e pohon se “veç ai qenkëshka farz, obligim”, për hir të Zotit, si e fal ti?
Kijamin, rukune, sexhden, nga i more? A nuk i more nga hadithet, sepse Kurani nuk të tregon gjë se qysh të falësh, por të jep një urdhër të përgjithshëm: “Fale namazin”.
Tani ti Merjem, se po të drejtohem me “ti” – se më dukesh po e vogël sikur të kam njohur që në 2002, para 22 vitesh – valle a hedh ca hadithe dhe mban ca hadithe?!
Tani thuaja troç gocave të reja: o pro, o kundër hadithit, mos luaj me dy porta!
Nëse ti je e bindur në teorinë tënde të re që
përkrah “shkelmimin e gjithë haditheve profetike”, atëherë dil e thuaje hapur, mos bëj zigzake, se i lodh edhe të rejat të cilat fatkeqësisht sot vdesin pas lukut, orës së shtrenjtë, diamantit e floririt, hixhabeve të bukura, e jo “dijes safi të vërtetë”.
Vajzat mos i magjeps me ëndrra! Se ke parë profetin alejhi selam në ëndërr eee, që paska qenë “i mërzitur” eee dhe që ti do qenkërke “shpëtimtarja” eee
Merjem, që kur është bërë ëndrra jote burim ligjësimi?
Se mos të duket vetja si nëna e Isas?
E di çfarë ke të përbashkët me të?
Veç emrin…
Pastaj se të kanë “fryrë” ca goca të vogla, nuk do të thotë tani t’i bësh tezkije vetes, e të na e nxjerrësh si “ligjësuese”.
E di pse?
Se po të ishe e krishterë, do të të shenjtëronin, sikurse shenjtëruan Eleonorën dhe i vunë dhe “shën” përpara dhe i thërrisnin “shën Eleonorë”.
Ti do që gocat të të shndërrojnë në të shenjtë tani?
Po u bëre nga këto “të shenjtët” do përfundosh si shën Eleonora që u hodh nga kati i katërt, mu në mes të Tironës, se nuk i dhanë pronat pastaj…
Pas Zotit, Merjem, prej kujt i ke marrë këto përralla, se vetë je e vogël me u fut në këtë “llucë”…
Sinqerisht ke për të ngecur e ke për t’u mbytur keq… por do marrësh dhe një tufë vajzash të vogla në qafë!
Ktheju Zotit tënd me hakikat si atëherë para 22 vitesh… vallahi, Merjem, është dynja e përkohshme… mbaron shpejt e shkreta e verdhushkat nuk ke për t’i marrë me vete në qefin…
Bëhu goce e mbarë! Daveti është i bukur dhe nuk është nevoja që të vish me mesazhe të “tipit wow” për të magjepsur shikimet e mendjet e njerëzve!
“Ec drejt, sikurse je urdhëruar” dhe ke për ta prekur suksesin që e do aq shumë…
Dr. Myrvete Allmeta