1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Mercenarët e zakonshëm të qeverisë, propagandë për prishjen e teatrit

Më të lexuarat

Ergys Mërtiri

Qeveria dhe mercenarët e zakonshëm të saj, aktorë publikë e trolle online që hiqen si të pavarur, janë përfshirë në një fushatë të egër propagande për të njollosur kauzën e teatrit, duke e paraqitur atë si të politizuar, në shërbim të opozitës.

Kjo fushatë u intensifikua pas marrëveshjes për mbrojtjen e godinës mes Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe Partisë Demokratike. Qeveria dhe shpurra që i thurr lavde po e përdorin marrëveshjen për të delegjitimuar kauzën e drejtë të mbrojtjes së teatrit.

Gjendja është vërtet cinike. Shumica e atyre që akuzojnë Aleancën as janë parë ndonjëherë në protestën për teatrin, ndonëse hiqen sikur iu vjen keq që kauza e artistëve, sipas tyre, u shit.

Kjo ndjeshmëri e shtirur është e shëmtuar, madje më shumë sesa vetë aksioni i qeverisë për ta shembur teatrin. Është e shëmtuar pasi përdor maskën e paanshmërisë, në një përpjekje totalisht të anshme. Ata po mundohen të përbaltin kauzën e teatrit, duke i shërbyer qartazi atyre që po e shembin teatrin.

Kjo dukuri na shërben për të dalluar ata që e duan vërtetë teatrin dhe ata që kanë prioritet partinë apo interesa të tjera personale. Natyrisht, gjithkush ka të drejtë të ketë prioritetet e veta, dhe është në të drejtën e gjithkujt të dojë partinë më shumë se teatrin.

Megjithatë, këta njerëz duhet t’ia kursejnë publikut akuzat cinike se Aleanca tashmë na qenkësh bërë partiake. Ata që kanë qenë gjatë gjithë kësaj kohe larg protestës, duhet të kenë minimumin e njerëzillëkut dhe arsyes së shëndoshë për të mos i dhënë vetes të drejtën të gjykojnë sesi duhet ta mbrojnë teatrin ata që kanë një vit e gjysëm që sakrifikojnë për të!

Ata që po e mbajnë gjallë këtë rezistencë, të majtë e të djathtë, kanë qenë njëzëri pro përfshirjes së opozitës në kauzën e tyre. Kjo vjen, pasi ata e dinë shumë mirë rrezikun dhe vështirësitë e mëdha për t’u përballur me një regjim policor e arrogant si ky.

Përtej të gjitha patetizmave apo populizmave, ata kërkojnë që teatri të mbijetojë. Prandaj edhe nuk kanë as më të voglin dyshim se kanë bërë një rezistencë të domosdoshme dhe një marrëveshje të nevojshme me opozitën.

Përkundrazi, ata që nuk e kanë këtë ndjeshmëri, kanë luksin dhe komoditetin të duken interesantë, duke dhënë leksione për paanshmërinë dhe për qëndresën mbi kauza të kulluara imagjinare. Në lëkurën e tjetrit gjithçka është e lehtë.

Ka, madje, një grup që mezi e kanë pritur këtë ditë. Pjesë e tij janë sidomos ata artistë që u bënë paturpësisht shërbëtorë të qeverisë për të amplifikuar propagandën pro shkatërrimit të godinës. Të vetëdijshëm për njollën që kanë marrë duke i shërbyer pushtetit, ata u hodhën menjëherë në sulm duke bërtitur se tashmë edhe qëndrestarët janë politizuar. Me strategjinë e kopukut që kërkon t’i njollosë të gjithë për të normalizuar turpin e vet, ata u ngazëllyen që, më në fund, gjetën alibinë për të thënë se ata që nuk u shitën te qeveria tashmë janë shitur tek opozita. Eshtë vërtet ironik ky dëshpërim për të vjedhur një barazim.

Veçse realiteti është krejt tjetër. Mbështetja e qeverisë nuk është kurrsesi e ngjashme me aleancën me opozitën.

E para mbështetet mbi forcën kompromentuese të pushtetit; e dyta mbështetet mbi nevojën që kauza të mbijetojë. Të parët marrin projekte, poste e përfitime prej qeverisë, ndërsa të dytët përballen me presione, kërcënime, akuza publike e deri te dhuna e policisë. Opozita thirret në ndihmë thjesht dhe vetëm për të përballuar këtë presion të qeverisë dhe të mercenarëve të saj.

Trupi është në anën tjetër të barrikadës, tek ata që qendrojnë prapa skafandrave të policisë duke hedhur shashkat propagandistike të qeverisë, në mbështetje të një projekti që shkatërron kulturën dhe vjedh qytetarët.

Një tjetër kategori që nxitoi të përbaltë artistët që mbrojnë teatrin është edhe ajo e militantëve të grupimeve të ndryshme ideologjike. Këta, pasi nuk kanë arritur ta mbërthejnë kauzën, për ta shtrydhur e instrumentalizuar në funksion të qëllimeve të tyre, tani shfryjnë e pështyjnë mbi të, si një kauzë e padenjë për lartësinë e idealeve të tyre. Ata propozojnë që Aleanca të hajë edhe bar, por “parimet” të mos i shkelë, ndonëse kjo, në fakt, çon në dështimin e kauzës. Kjo gjoja shoqëri civile është e mbushur me një kategori të tillë grupimesh e ujqish të vetmuar, të cilët bëjnë gjueti kauzash, duke i shpënë ato në dështim, pasi ua thithin të gjitha përfitimet.

Në fund, kategoria më idiote është ajo e sehirxhinjve, të cilët zbrazin lloj-lloj akuzash pa lidhje, pa pasur aspak nevojë të jenë të informuar mbi çfarë flasin. Ata janë edhe ekspertët më të mëdhenj të çdo fushe, ndaj i japin të drejtë vetes të gjykojnë në mënyrë kategorike nga maja e olimpit të tyre virtual. Ata janë Robespierët e Fejsbukut, që kanë aftësinë të rrëzojnë hipotetikisht çdo regjim. Për ta gjithçka është e lehtë. Ata nuk kanë nevojë të dinë se çdo të thotë të shpenzosh orë të tëra, çdo ditë, për një kauzë publike, përballë një pushteti agresiv si ky. Ata flasin nën autoritetin e gjykatësit, i cili ka tagrin t’i vërë vulë gjithçkaje, madje edhe t’i vërë damkë gjithkujt. Sigurisht, ata hiqen se flasin në emër të publikut.

Në fakt, gjykimi mbi sakrificën e të tjerëve është tashmë pjesë e rutinës së përditshme të shumë njerëzve në këtë vend. Aktivizmi i kafenesë dhe smartfonit është prej kohësh sport kombëtar. Njerëzit gjykojnë mbi mundin e tjetrit me lehtësinë dhe vendosmërinë më të plotë, njësoj siç gjykojnë mbi personazhet e telenovelave apo lojën e një futbollisti që nuk bëri dot gol. Nëpërmjet kësaj qesëndie e histerie prodhohet opinioni publik, ku gëlon çdo marrëzi dhe vdes çdo kauzë. Janë pikërisht këta njerëz shkaktarët e gjendjes sfilitëse ku ndodhemi.

E megjithatë, pavarësisht sulmeve të egra nga të katër anët, megjithë fuqitë e saj të pakta, kauza e teatrit ia ka dalë të mbijetojë dhe triumfojë deri sot. Sado i madh dhe mbytës manipulimi, njerëzit e kuptojnë se në anën e kujt është e drejta. Ajo bërtet aq fort sa nuk ka propagandë t’ia mbyllë dot gojën.

Pavarësisht zhurmës së atyre që iu janë errësuar sytë prej interesave, shumica e njerëzve e ka kuptuar tashmë se e drejta qëndron brenda asaj godine, dhe cilido që sillet rrotull jashtë saj, duke goditur me gurë ata që janë brenda, është në anën e fadromave në pushtet, që po rrënojnë çdo vlerë në këtë vend.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit