Muadh ibën Muadhi (1) thotë: “E kam dëgjuar Amër ibën Ubejdin të përmendë hadithin e “sadik mesdukut” dhe tha: “Sikur ta dëgjoja vetë Ameshin kisha për ta përgënjeshtruar. Sikur të dëgjoja vetë Zejd ibën Vehbin ta thoshte këtë nuk do t’i përgjigjesha. Sikur të dëgjoja vetë Abdullah ibën Mesudin ta thoshte nuk kisha për ta pranuar. Sikur ta dëgjoja të dërguarin e Allahut ta thoshte kisha për ta refuzuar. Sikur të dëgjoja vetë Allahun ta thoshte kisha për t’i thënë: Besën nuk na e ke marrë për këtë gjë”.
Amër ibën Ubejdi është një nga kokat e bidatit në shekullin e dytë të hixhretit. Numri dy dhe bashkëthemelues i drejtimit mutezilit. Vazhdoi rrugën e themeluesit kryesor Vasil ibën Atasë, duke shtuar një sërë humbjesh të tjera në këtë drejtim.
Hadithi i “sadik mesdukut” është hadithi i njohur i Abdullah ibën Mesudit i cili tregon për krijimin e fetusit në mitrën e nënës, për fryrjen e shpirtit dhe për kaderin që i është caktuar robit. Mutezilitë e hershëm, të bindur në bazat e shpikura të tyre, binin shpeshherë në kundërshtim me hadithet profetike. Kjo i detyronte të gjenin rrugëdalje dhe shpeshherë i kundërviheshin haditheve me dyshime, përgënjeshtrime dhe refuzime. Një nga këto hadithe ishte pikërisht edhe ky hadith nga Ibën Mesudi radijallahu anhu i cili hidhte poshtë bazën e përgënjeshtrimit të kaderit, mbi të cilën mutezilitë ndërtuan shkollën e tyre.
Në këtë histori, Amër ibën Ubejdi i merr me rradhë transmetuesit e hadithit dhe i përgënjeshtron një nga një, në mënyrë të ekzagjeruar; sepse, sipas tij, një hadith që kundërshton një bazë të cilin ai e ka përfituar nga arsyetimet logjike dhe ajetet e Kuranit ashtu siç i ka kuptuar ai, nuk mund të jetë hadith dhe rrjedhimisht është i rremë dhe i pavlerë.
Sindromi i refuzimit të haditheve të sakta sa ka ardhur e është shtuar në shekujt e mëtejshëm, sidomos në kohët moderne në të cilat jetojmë. Ky sindrom ka prekur shumë e shumë të mashtruar pas ideve “gjeniale” të tyre, nga lindja në perëndim. Është pikërisht bindja se ai e kupton Kuranin më mirë se kushdo dhe ashtu siç duhet, larg fukahave të islamit, larg transmetimit të haditheve dhe larg përpjekjeve të dijetarëve muslimanë, është pikërisht kjo bindje që ia mpin çdo arsyetim logjik të shëndosh. Përderisa bindja e formuar në ndërgjegjen e tij është e sigurt dhe e pagabuar, atëherë çdo transmetim në kundërshtim me të është i dyshimtë dhe shpikje e transmetuesve. Hapat e parë nisin të vegjël e më pas zmadhohen për hedhur poshtë edhe librat e hadithti një nga një, nga sunenet e gjer te Buhariu e Muslimi.
Dallimi mes kriptomutezilitëve të sotëm dhe mutezilitëve të djeshëm është diferenca e madhe në kulturën e përgjithshme dhe formimin profesional. Nëse të djeshmit kanë qenë dijetarë të gramatikës, retorikës, leksikut dhe poezisë arabe, të fikhut dhe historisë islame, madje në disa raste edhe të transmetimeve të haditheve, këta të sotmit karakterizohen nga një injorancë e theksuar, një mosformim profesional, madje në shumë raste as posedim të një kulture të përgjithshme islame.
Mutezilitë e djeshëm kanë qenë të njohur për zuhdin dhe zellshmërinë në adhurim. Sipas shkollës së tyre gjynahu është i patolerueshëm dhe larg mëshirës së zotit. Megjithatë, ishte mashtrimi pas bindjeve të shtrembra që i nxiti t’i kundërviheshin ashpër sunetit të profetit alejhi selam me dyshime dhe përgënjeshtrime.
Dhehebiu, në librin e tij të njohur “Es Sijer” e hap kështu jetshkrimin e shkurtër rreth Amër ibën Ubejdit: “Zahidi, adhuruesi, kaderiu, i madhi dhe i pari i mutezilive, Ebu Uthmani nga Basra. Transmeton prej Ebu Alijes, Ebu Kilabes dhe Hasen Basriut”. Më tej Dehebiu përcjell edhe refuzimet e dijetarëve të umetit për rrugën e tij.
Imam Miziu në librin “Tehdhibul Kemal” përmend se Hasan Basriu thoshte për Amër ibën Ubejdin, i cili ulej në mexhlisin e tij: “Ky është zotëria i djelmoshave të Basrës, sikur të mos shpikë diçka”. Megjithatë të gjitha këto i pasoi zymtia e shpikjes në fe, atëherë kur gjeti guximin t’i kundërvihej sunetit të profetit.
Në fakt, askush nuk i kundërvihet sunetit e të mos e gjejë herët a vonë terrin e humbjes, zymtinë e jetës dhe ngushtinë e dyshimit. Kemi parë shumë syresh të cilët më vonë i kanë rënë kohës me grushta. E prej Allahut është udhëzimi dhe vetëm tek ai është kthimi.
(1) Muadh ibën Muadhi është një nga hafizët e njohur të hadithit. Imam Ahmedi shpehet se Muadhi në mesin e dijetarëve të Basrës ka qenë kulmi i sigurisë në transmetimin e haditheve. Nga nxënësit e tij kanë qenë imam Ahmedi, Ishak ibën Rahavejhi, Jahja ibën Mediniu, Jahja ibën Maini, e shumë dijetarë të tjerë të njohur.
(2) E përmend Bagdadiu në Tarihul Bagdad. Shiko: “Et tarihur kebir” të Dhehebiut, “Tehdhibul kemal” të Hafidh Miziut dhe “Tehdhibut tehdhib” të Ibën Haxherit.
Hoxhë Florian Leli