0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Mendime të shpejta pas pilafit (ose Pilatit) elektoral

Më të lexuarat

Ngjyra e demokracisë edhe këtë vit ishte mavi. Si përherë, duke diskriminuar egërsisht gjithë frymorët e tjerë të Republikës, një përqindje e konsiderueshme e humanoidëve me shtetësi shqiptare u vunë në rresht me gishtin gati. Keshtu është shkruar: padrejtësia numer një e barazisë së shtetasve bëri që edhe këtë vit vota e maskarait të numërohej po aq sa e budallait, kur dihet botërisht se një budalla nuk është i njëjti me një maskara. Ama që të dy u vendosën në rresht me të tjerët, edhe budallai edhe maskarai edhe i treti në rresht ishte një burrë i mirë që nuk i bie në qafë kujt, biles as të shoqes (me gjithë ankesat e saj) dhe i katërti ishte po ashtu një burrë i mirë me të shoqen dhe fëmijët, familjarisht as budallenj as maskarenj, po ama barazisht gishtat ua fashuan me të njëjtën manushaqe boje dhe vota e tyre u numërua barbarazisht. Eshte krejt çudi per t’u çuditur: për të marrë patentën e makinës duhet të paraqisësh lloj-lloj dokumenti mjekësor, po për të votuar asgjë veç pasaportës. Një shofer i patalentuar mund të shtypë një sasi të kufizuar frymorësh, kurse një votues i patalentuar mund të ndihmojë me votën e tij shtypjen e një popull komplet. Pa iu nënshtruar asnjë kursi minimal i cili do të provonte aftësinë e votuesit për të dalluar të nxehtën nga e ftohta, nuk e di si mund t’i marrësh seriozisht këto punë (votimet e kam fjalën), po nejse. Le të merremi pak me bojën. Me bojën me të cilën qendrat e votimit u ngjyejnë gishtin votuesve fill pasi votojnë.

Sistemi pretendon të ruajë veten me këtë lloj gjesti dehumanizues (kush je ti mor mjeshtër që vjen e më privatizon trupin tim me shenja sikur të isha ndonjë bagëti apo territor!) Sistemi pretendon se me këtë damkosje si ajo e prostitutave në mesjetë, do arrijë të na mbushë mendjen se jemi ashtu si thonë udhëtarët anglezë të shekullit të nëntëmbëdhjetë e poshtë, barbarë të paqytetëruar. Sistemi pretendon se të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke qenë të barabartë, janë po ashtu të gjithë barazisht maskarenj që paskan ndërmend të votokan nga dy a tri herë. Këta të mjerë (sistemi e kam fjalën) nuk e dijnë se ka burra të tille trima ky vend (kujto Mic Sokolin që futi parakrahun në grykën e topit armik) trima të cilet po ua desh qejfi mund të shkojnë e të votojnë sa të pëllcasin, deri në gishtin e fundit, sepse po aq here sa sistemi ua bojatis gishtin pas votimit, ata trak! e presin për hir të demokracisë dhe shkojnë të votojnë pa u diktuar me gishtat që u mbeten pabojatisur. Të paktën kështu sugjeron vëllai im, që ka parë disa filma me samuraj dhe me ndeshkimet e mafies japoneze.

Sa të bukur dhe aktuale e bëri manikyra biopolitike atë shprehjen e bukur shqipe: nuk kam gisht në këtë punë! Të dashur të gjithë: unë nuk kam fare gisht në atë që ndodh prej vitesh në këtë vend! Ja, shikojeni vetë! (Deklarata shoqërohet me zë të dridhur dhe me ngritjen para trupit gjykues të gishtit të posaçëm dhe të panjollë.)

Disa po na thonë se të mos votosh është shenjë pasiviteti apo joqytetarie, duke harruar kështu jo vetëm revolucionin, por mbase gjithë krenarinë antiegalitare që krenarisht shumë njerëz provojnë, po sidomos duke harruar se sistemi është i globalizuar dhe monopolar pra skena politike është homogjenizuar kaq njëtrajtësisht sa kudo që ta fusësh gishtin është gati e njëjta shije ndonëse propozohet nën ambalazhe të ndryshme.

Tashmë ne jemi ndarë në dy klasa të dallueshme edhe me sy të lirë për disa ditë me rradhë, votuesish dhe jovotuesish, por problemi eshte se pas disa dekadash votimi e mosvotimi, pasi bojatisja të përsëritet me insistim mbi lekurë, do të kthehemi patjetër në dy raca të ndryshme dhe më mirë kështu. Ne që do jemi raca krejt-e-bardhë do kërkojme më në fund një status minoriteti ndaj mazhorancës gishtmavi dhe do mëtojmë fill pas kësaj për një territor tonin: më pas kur të bëjmë votime, premtojmë se do t’i marrim në provim votuesit për të kuptuar a ia kanë haberin apo jo, a i njohin ndopak idetë dhe njerëzit që votohen dhe a i kanë të gjitha letrat medikolegale në rregull. Gjithsesi fushatën antielektorale po e lëmë të hapur që tani. Mos votoni (për mua!)!

“…Lum kush do të rrojë/të të shohë zonjë….”

Ervin Hatibi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit