E ardhmja e Khabib Nurmagomedov është ende në dilemë, pasi do të jetë Komisioni i Sportit në Nevada ai që do të vendosë se kur do të rikthehet në kafaz kampioni dagestanez dhe Conor McGregor, të përfshirë në incidentet pas duelit mes tyre, në eventin UFC-229. Për momentin të dy sportistët janë të pezulluar, të paktën deri në dhjetor, kur komisioni do të mblidhet sërish dhe do të marrë një vendim të dytë, pasi të hetojë ngjarjet.
Por sipas menaxherit të Khabib, Ali Abdelaziz, së shpejti fansat e rusit do të mësojnë një lajm të madh, që do t’i çmendë fare: “Lajme të reja do të vijnë së shpejti për Khabib dhe stafin e tij. Gjëra të reja që do t’ju çmendin fare”, shkruan menaxheri i kampionit nga Dagestani në faqen e tij zyrtare në “Twitter”, duke paralajmëruar fansat për disa risi.
Për momentin askush nuk mund të thotë se çfarë ka ndërmend Nurmagomedov, teksa janë të shumta opsionet për të ardhmen: Një revansh me McGregor, një duel me Georges St-Pierre apo një sfidë boksi me Floyd Mayweather. Madje ka zërë sa dagestanezi mund të kalojë në WWE, ku ka marrë edhe një ofertë.