Policia e Kosovës konsiderohet viktimë e një menaxheri të një ndërmarrje private. Për këtë arsye Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër Fatbardh Xhaferit, nën dyshimin se ka dëmtuar buxhetin e Policisë së Kosovës gati 160 mijë euro në një tender për furnizim me karburante.
Xhaferi, menaxher në “HIB Petrol”, akuzohet se si person përgjegjës-menaxher i kontraktimeve në kompaninë private “HIB Petrol” SH.P.K nga Ferizaj, në një tender të datës 4 mars 2009, për furnizim me karburante për Policinë e Kosovës ka prezantuar ofertën sipas Prokurorisë së rreme me 0.00 fitim.
Në bazë të kësaj oferte kompania është shpallur fituese e tenderit, pasi kriter kryesor për dhënie të kontratës ishte çmimi i ulët.
Kontrata në mes të Policisë së Kosovës dhe Kompanisë është lidhur ë 5 prill 2009, mirëpo, sipas Prokurorisë, me rastin e llogaritjes se pagesës së shërbimeve në fatura të prezantuara, Fatbardh Xhaferi e ka kalkuluar çmimin e transportit mbi vlerën e tregut në shumë prej 0.0855 euro për litër, dhe në këtë mënyrë, në periudhën 07.04.2009 – 20.05.2010 ka realizuar përfitim material kundërligjor në shumë prej 153.917,41 eurosh në dëm të buxhetit të Policisë së Kosovës.
Me këtë veprim Xhaferi akuzohet se ka kryer veprën penale mashtrimi në detyrë, e dënueshme deri në dhjetë vjet burgim.
I akuzuari mohon të të ketë kryer vepër penale. Ai ka thënë se nuk është informuar se është ngritur aktakuzë kundër tij nga prokurorja Drita Hajdari.
“Unë zyrtarisht nuk di asgjë dhe pa e ditur zyrtarisht kurrfarë komenti nuk mund të jap”, ka thënë Xhaferi, duke pohuar se është intervistuar nga Policia.kohaislame