Alban Meha është një prej shumë futbollistëve të Kombëtares shqiptare që jo vetëm i përkasin besimit mysliman por edhe që praktikojnë ritet e kësaj feje.
Por në një kohë kur e gjithë bota zien nga reziku ISIS, një mysliman nuk shihet me sy të mirë as në një vend të përparuar si Gjermania. Pikërisht për këtë arsye e përditshmja e këtij vendi “Westline.de” është ndalur te ylli i Paderborn, i njohur jo vetëm për goditjet e tij të dënimit, por edhe për besimin e tij.
“Feja Islame është një nga gjërat më të rëndësishme për mua. Nëse arrin sadopak të kuptosh islamin si fe, do të mësosh edhe pse kjo botë ekziston dhe kjo për mua është një gjë esenciale”, shprehet Meha.
Meha ka folur edhe për sulmin ndaj revistës “Charlie Hebdo” dhe ISIS.
“Nëse njeh sadopak Islamin, do të shikosh dhe kuptosh se ai nuk ka lidhje fare me ata persona që vrasin dhe bëjnë terror.
ISIS dhe shumë radikalë nuk ka fare lidhje me Islamin, por janë thjesht sekte fetare që e përdorin atë për të shpërndarë terror kudo. Islami është sinonimi i paqes, çka shpeshherë është edhe keqkuptuar. Edhe në media janë bërë shumë gabime në mënyrën sesi paraqitet feja Islame, kjo jo për shkak të mungesës së njohjes së thellë të kësaj feje”, ka shtuar Alban Meha.