3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Medresetë në trojet shqiptare gjatë sundimit osman

Më të lexuarat

“Sikur dituria të mos kishte meritë tjetër, përveç faktit që i bën injorantët që të ndjejnë frikë dhe respekt ndaj teje dhe i bën dijetarët të të duan dhe nderojnë, kjo do të ishte arsyeja më se e mjaftueshme për kërkimin e saj, pa përmendur këtu gjithë të mirat e tjera të saj në këtë jetë dhe në tjetrën.”[1]

“Perandoria Osmane na ka lënë të prapambetur, e jo vetëm kaq por nuk ka patur shkolla për të arsimuar masën e popullsisë qoftë me minimumin e arsimit”, kjo ishte fjala e parë e thënë dhe e shkruar pothuajse në çdo tekst të historisë dhe çdo lënde tjetër përgjatë gjysmë shekulli nga 1944-1990, por që po vazhdon akoma edhe sot të jetojë në mendjet e zemrat e njerëzve për arsye se realisht nuk është punuar mjaftueshëm për të vërtetuar të kundërtën, por dhe se nuk është aq e lehtë të heqësh nga njerëzit një bindje të dëgjuar për vite e vite me radhë.

Si qëndron e vërteta?

Gjatë historisë janë ngritur dhe janë rrënuar shumë popuj, shtete, mbretëri dhe perandori. Suksesi i tyre ka ardhur nga shkaqe të ndryshme, por jetëgjatësia e tyre ka qenë e diktuar domosdoshmërish nga niveli arsimor që ata kanë patur, ose thënë ndryshe nga angazhimi që kanë patur kundrejt DIJES-DITURISË, sa më shumë të thelluar në dije, më jetëgjatë e më të suksesshëm normalisht dhe më të zhvilluar kanë qenë këta popuj, dhe anasjelltas, sa më shumë e lënë mbas dore dituria, po aq shumë kanë qenë të prapambetur, të pazhvilluar dhe jetëgjatësia e tyre ka qenë e shkurtër. Në historinë islame angazhimi me dituri është i njohur tashmë, pasi vetë Shpallja filloi me urdhërimin e Profetit Muhamed (a.s.) që të lexojë duke iu drejtuar: “Lexo me emrin e Zotit tënd i Cili krijoi gjithçka” (Alak, 1)dhe shumë e shumë ajete e hadithe që urdhërojnë-inkurajojnë dhe përgëzojnë njerëzit që të kërkojnë dituri, që të jenë të dijshëm. Vlerësimi i fesë Islame për dijen është akoma më i madh se për njeriun që përkushtohet vetëm në adhurim. Për këtë dhe gjeneratat brez pas brezi që nga profeti Muhamed (a.s.) e në vazhdim, ishin totalisht të angazhuar me nxënien e diturisë, fetare që ishte dija parësore, por dhe dije të përgjithshme të dobishme për këtë botë. Vend-mësimet e tyre veçanërisht ishin xhamitë, por dhe shtëpitë e dijetarëve, apo shtëpi të tjera që ishin lënë posaçërisht për njerëzit e dije e kështu me radhë[2] dhe nuk ka patur në historinë islame të 4-5 shekujve të parë një institucion të mirëfilltë në të cilin brezat të mësonin, e pavarësisht kësaj njerëzit pothuajse të gjithë angazhoheshin në nxënien e dijes. Viti 1066-67 (459 hixhri) është viti që hap një faqe të re të historisë së umetit islam në përgjithësi, pasi Alp-Arsllani, sulltani selxhuk[3] urdhëron vezirin e tij Nizamulmulk që të ndërtojë në Bagdad ‘vendin në të cilin do të mësohej’ ose thënë ndryshe MEDRESE, e para prej të cilave u ndërtua në Nishabur. Deri në këtë periudhë kohore, ashtu si e përmendëm më lart, mësimet e besimit dhe çdo lloji mësimi tjetër merreshin kudo e gjithandej veçanërisht në xhami, por dhe në dyqane kur ishte mundësia, në librari, apo në shtëpitë ku jetonin dijetarët. Mbas këtij viti, mbas këtij shembulli të mirë që ndërtoi Sulltani, do të kishte një vend të veçantë për nxënien e diturisë, dhe gjithkush që kishte mundësi ndërtonte një Medrese –objekt- dhe ia dedikonte njerëzve që jepnin e merrnin mësim, duke e emërtuar me emrin e tij.[4]Pra kuptimi i fjalës ‘MEDRESE’është: Vendi në të cilin nxënësi lexon, mëson dhe nxë dije, dhe kuptimi i ngushtë i fjalës lidhet me institucionet e arsimit të mesëm e të lartë, që ushtronin veprimtarinë e tyre arsimore mbi të ashtuquajturin ‘Mektebe Sibjan’[5] Në shek. XV-XVI Perandoria Osmane i kushtonte një rëndësi të madhe arsimimit në të gjitha shkallët, arsimit të ulët, arsimit të mesën dhe atij të lartë (sibjanet-mektebet-medresetë), numri i të cilave gjatë shek. XV arrinte në 60 shkolla fillore vetëm në vilajetin e Rumelisë (territorin osman në Ballkan), në Anadoll 154, në Amsja 200, në Erzurum 110, kur në të njëjtën periudhë kohore në Evropë nuk flitej fare për shkolla. Fëmijët hynin në shkollë 5-6 vjeç,niveli fillestar Mekteb-Sibjanet, zgjaste 4 vjet, në të cilin kryesisht mësohej osmanishtja, arabishtja dhe persishtja (jo të detyrueshme), mësohej leximi i Kur’anit, historia, retorika, dhe dije tjera fetare e jo fetare të nivelit fillestar. Ndërsa Medresetë përfaqësonin dy nivelet e tjera arsimore, ku Medrese e ulët nënkuptonte nivelin e mesëm të arsimit dhe Medrese e lartë ishte niveli i lartë arsimor, pra shkolla e lartë, me këtë emërtim njiheshin edhe universitetet në mbarë botën islame në këtë kohë. Në medresetë në varësi të llojit dhe nivelit që ishin mësohej: gramatikë e sintaksë e gjuhës arabe, logjikë, teologji (mësime të ndryshme fetare), retorikë, astronomi, gjeometri, letërsi, shkencat juridike islame, hadith. Ndërsa në Medresetë e larta-universitetet mësohej: teologji islame, shkencat filozofike, inxhinieria, arkitektura, mjekësia, farmakologjia, etj. Të gjitha medresetë kishin bibliotekat e tyre të veçanta.[6] Me zhvillimin e qyteteve, të qendrave tregtare e kulturore, në shekujt XVII-XVIII, numri i shkollave islame jo vetëm që nuk ra, por përkundrazi u rrit, veçanërisht nga fundi i shek. XVII ato u shtuan shumë.[7]

Në trojet shqiptare

Paralel me islamizimin masiv të trevave shqiptare, krahas të tjerave, u morën masa për organizimin e arsimit islam, pak a shumë sipas modelit mbarë osman. Shkollat islame u shtrinë gjerësisht në këto territore. Mejtebet, si shkollë fillore islame, kanë ekzistuar në çdo vendbanim të rëndësishëm mysliman. Zakonisht ka pasur në çdo qytet e fshat ku ka ekzistuar xhami.[8] Institucionet e para arsimore në trojet shqiptare datojnë gjatë shek. XV, ku në Shkup u ndërtuan dy medresetë e para, në vakëfet e njohura të dy komandantëve Is’hak Bej 1445 dhe Isa Bej 1469, më pas në Prizren po në shek. XV, në gjysmën e dytë të shek XVI në Pejë,[9] dhe gjatë shek. XVI pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Maqedoni, etj., ka pasur medrese pasi shkolla fillore islame ka patur shumë. Shembuj të tillë gjejmë në Shkup, Manastir, Kumanovë, Shkodër, Elbasan, Prizren, Berat (5 medrese), Gjirokastër, Kavajë, Peqin, etj., ka patur dy apo më shumë medrese, dhe në kohën kur ka patur kaq medrese, Shkollat Fillore (Mejtebe) nuk diskutohet që kanë qenë në numër shumë më të madh.[10] Të dhënat më të shumta dhe më të sakta mbi gjendjen e qyteteve shqiptare na e jep kronikani i njohur Evlija Çelebiu, i cili gjatë shek. XVII, kur dhe ka jetuar ka vizituar pothuajse çdo qytet ku jetonin shqiptarët 1-2 apo më shumë herë, gjatë viteve 1660-62, na ka lënë të dhëna të bollshme për të skicuar qytetet e banuar nga shqiptarët gjatë kësaj periudhe kohore.

Evlija Çelebiu – Muhamed dhil-li ibn Dervishi – nëpër trojet shqiptare 1660-1662[11]


TOTALI 301 Xhami 177 Mesxhide 45 Medrese 112 Shkolla Fillore 4347 Dyqane

Në këtë tabelë kemi shënuar dhe Xhamitë-e Mesxhidet(vend falje të vogla jo me madhësinë e xhamive), pasi pothuajse çdo xhami ka patur mekteb apo mejteb (shkollë fillore), dhe në qytetet ku myslimanët ishin mbi 80-90% normalisht kishte dhe shumë medrese. Ndërsa ‘Dyqanet’ i kemi shënuar si të dhëna që vërtetojnë madhësinë e qytetit në këtë periudhë kohore. Kjo pasqyrë e të dhënave gjatë shekujve në vazhdim, shek. XVIII-XIX, do të vinte në rritje dhe shkollat islame do të shtoheshin shumë e më shumë, që në një farë mënyre na japin disa të dhëna, ndër to dhe Sami Frashëri në Kamus-ul-Alam, libër të cilin e ka shkruar në fund të shek. XIX, më saktë gjatë viteve 1889-1898. Tabela e mëposhtme e të dhënave na jep të përmbledhura këto shifra[12]

Këto të dhëna e tregojnë qartë se si ka qenë ecuria e arsimit islam-osman në mbarë trevat shqiptare gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, ku rritja është e konsiderueshme në numër, nga rreth 45 medrese në fund të shek. XVII, në mbi 100 të tilla në fund të shek. XIX, nga 112 shkolla fillore bashkë me shkollat e Kur’anit, në mbi 700 shkolla fillore, rreth 40 shkolla ku mësohej Kur’ani përmendësh, rreth 90 shkolla turke (shkolla të tilla i kemi pas reformimit që u bë në arsimin osman gjatë shek XIX.) Reformat e Tanzimatit të filluara në Perandorinë Osmane aty nga gjysma e shek. XIX, prekën edhe arsimin. Reformat synonin t’u hiqnin privilegjet ulemave mbi arsimin. Në vitin 1846 u hartua një projekt për krijimin e sistemit arsimor tre shkallësh, shkolla fillore e cila zgjaste 4-5 vjet, shkolla e mesme (Ruzhdije), e cila do të ishte 6 vjet dhe Universiteti. [13] Qëllimi kryesor i këtyre reformave ishte laicizimi i shkollave, prandaj dhe emërtimi ‘medrese’ nga kjo periudhë zyrtarisht fillon të pakësohet. Pas reformës arsimore, Porta e Lartë hapi për shqiptarët myslimanë një sërë shkollash të reja shtetërore fillore (iptidaije), qytetase (ruzhdije) dhe pastaj gjimnaze (idadije). Sipas statistikave të viteve fundit të shek. XIX, në të katër vilajetet e atëhershme (të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës), në të cilën shqiptarët përbënin një tërësi kompakte të shumicës së popullsisë, kishte 1187 shkolla turke nga të cilat 1125 shkolla fillore, 57 shkolla qytetase e 5 shkolla të mesme.[14] Të dhëna më të plota se këto që kemi shënuar deri më tani nuk disponojmë, por jemi të sigurt që në arkivat osmane gjithçka është e shënuar dhe e dokumentuar në mënyrë të detajuar dhe hollësisht, dhe do të ishte në të mirë të myslimanëve shqiptarë që të hulumtoheshin. Disa të dhëna i kemi nga studiues të ndryshëm të cilët kanë mundur të zbulojnë të dhëna për qytete të veçanta si Berati, Shkodra, etj. Një detaj interesant është edhe fakti se, në vitin shkollor 1894-1895, rrjeti i shkollave zyrtare e fetare turke(osmane) në qytetin dhe në rrethin e Shkodrës përfshinte 101 shkolla, 75 nga të cilat ishin të sistemit të vjetër, të mbajtura dhe të drejtuara nga hoxhallarët, dhe 26 shkolla të sistemit të ri.[15] Kjo pra, është një pjesë e së vërtetës mbi Arsimin Fetar, që ishte arsimi zyrtar gjatë sundimit Osman në trojet shqiptare, e vërtetë e cila nuk ka asnjë lidhje me ‘Prapambetjen’ e shqiptarëve, pasi, një popull nuk mund të jetë i prapambetur me kaq shumë institucione arsimore ku mësonin bij të këtij vendi, që më pas vazhdonin universitetet më të mira që gjendeshin në Perandorinë Osmane, por dhe në mbarë Evropën gjatë shek. XIX dhe fillim të shek. XX. E keqja reale shqiptarëve nuk i erdhi gjatë 5 shekujve të sundimit osman, por i erdhi nga më pak se 1 shekulli vetëqeverisje që kemi patur, ngaqë asnjë nga udhëheqësit shqiptarë nuk erdhi me reforma përmirësuese të nevojshme e të domosdoshme për kohën ku kanë jetuar, por quajtën reforma mbylljen e këtyre shkollave dhe medreseve (gjatë viteve 1920-1930) dhe pasoja ishte që fëmijët e lindur gjatë këtyre viteve u rritën pa njohur besimin në Zot dhe ishin pikërisht këta që morën drejtimin e Shqipërisë mbas Luftës së Dytë Botërore, dhe e keqja e tyre ishte e pafund, deri aty sa të ndalonin besimin në Zot e të persekutonin klerikët e besimtarët. Prandaj ajo që kërkohet në të ardhmen është arsimimi i brezave më baza të shëndosha, duke filluar me mësimin e besimit deri në mësimin se si ata të punojnë në fusha e lëmi të ndryshme e të jenë praktikë jo teorikë. [1] Ibn Hazem el Andaluzi, Shërimi i shpirtrave, Nektari 2007, Tiranë, fq. 20. [2] Për më shumë shih librin e Ziya Kazici, Historia e Arsimit Islam, Feneri, Tiranë 2001 [3] Në këtë periudhë turqit-selxhukë kishin pranuar Islamin dhe kishin filluar të nxënë territore islame nga Bagdadi e në Lindje të tij. [4] Ziya Kazici, Historia e Arsimit Islam, fq. 34-35. [5] Po aty. Ziya Kazici… [6] Bajrush Ahmeti, Perandoria Osmane, përhapja e Islamit në trojet shqiptare dhe në viset fqinje, Prishtinë 1997, fq. 80-85. [7] Ludovik Shllaku, Shkollat Klerikale, Camaj-PIPA Shkodër 2002, fq. 38 [8] Po aty, fq. 35. [9] Bajrush Ahmeti, Perandoria Osmane, përhapja e Islamit në trojet shqiptare dhe në viset fqinje, Prishtinë 1997, fq.80-85 [10] Ludovik Shllaku, Shkollat Klerikale, Camaj-PIPA Shkodër 2002, fq. 16-23. [11] Shqipëria para tre shekujsh –Evlija Çelebiu ‘Muhamed Dhil-li ibn Dervishi, përkthyer nga Sali Vuçiterni, BESA 2000 [12] Sami Frashëri, “Viset Shqiptare në KAMUSUL AL-ALAM”, LOGOS-A 2004 [13] Petrika Thëngjilli, Historia e Perandorisë Osmane, ShBLU Tiranë 1997, fq. 207-209 [14]Historia e Popullit Shqiptar II, Toena, Tiranë 2002, fq. 246-248. [15] Jup Kastrati, “Arsimi popullor”, Nr. 2 – 1962, fq.62, cituar nga Ludovik Shllaku, Shkollat Klerikale… fq. 62.

Edmond Sharka
Revista Drita Islame, Tetor 2013

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit