-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Medresetë në Kosovë gjatë periudhës osmane

Më të lexuarat

Hyrje

Me depërtimin e osmanëve në Kosovë dhe me vendosjen e administrimit të tyre (shek. XIV – XV), dhe pas pranimit të Islamit nga pjesa më e madhe e popullatës së saj, ata, siç është e ditur, kanë sjellë në këto anë të njëjtat parimet të cilat i kishin përvetësuar nga arabët dhe persët[1]. Në mesin e këtyre, bëjnë pjesë edhe shkollat fetare myslimane – mejtepet dhe medresetë -, të cilat, pas xhamive, i hasim shumë herët në Kosovë.

Në të vërtetë, fillet e para të veprimtarisë arsimore-edukative islame në trojet tona datojnë qysh nga periudha më e hershme e krijimit të bërthamave të para të komunitetit shqiptar të islamizuar. Kjo veprimtari në fillimet e saj është zhvilluar në xhami, ose pranë xhamisë. Pikërisht për këtë arsye edhe historia e veprimtarisë së arsimimit islam ndërlidhet me historinë e ngritjes së xhamive të para në këto troje, që ka filluar në vitet e para të vendosjes së pushtetit osman.

Historikisht xhamia ka luajtur rol shumë më të gjerë dhe më kompleks se sa roli i saj si faltore apo si vend ku kryhej rituali i faljes (namazit). Ajo ka qenë institucioni themelor islam, me të cilën kanë qenë të lidhura ngushtë jeta fetare, arsimore-edukative, kulturore, politike dhe shoqërore e myslimanëve qysh në fillimet e saj.

Më vonë, afër xhamive u ndërtuan godina për arsimin fillor, të quajtura mejtepe, numri i të cilave u rrit aq shumë, saqë në çdo fshat kishte të tilla, madje në shumë raste kishte edhe më tepër se një[2].

Pas mejtepeve, si institucione klasike të arsimit osman, medresetë, që prej themelimit të perandorisë e deri në fund të saj, kanë ofruar arsimimin dhe përgatitjen e një lloji dhe niveli të caktuar të dijetarëve, i cili përputhej me nevojat e shtetit dhe të shoqërisë në çështjet fetare, juridike dhe shkencore. Meqenëse ato financoheshin nga vakëfet, medresetë nuk lidheshin financiarisht me shtetin. Por pavarësisht kësaj, zyrtarët që u diplomuan nëpër medrese (kadilerët, myftilerët, myderrizët, imamët, etj.), kishin ndikim mbi popullatën si përfaqësues, nga njëra anë të rregullave zyrtare të shtetit, dhe nga ana tjetër të ideologjisë së tij. Për këtë arsye shteti i kushtoi rëndësi të madhe medreseve, të cilat kishin strukturën e tyre hierarkike[3]. Shteti gjithashtu nuk hezitonte të ndërhynte në punët e brendshme të këtyre institucioneve. Megjithatë, qëllimi themelor i medreseve, ose arsimimit të medreseve, ishte të nxirrte “besimtarë të përgatitur” dhe myslimanë të cilët do të mund të mbronin fenë islame kundër sfidave intelektuale nga jashtë bashkësisë[4].

Medresetë e para

Në bazë të vakëfnameve dhe burimeve të tjera të publikuara deri sot, mund të konstatohet se medresetë e para në trojet shqiptare janë ngritur në fillim të shek. XV. Medreseja më e vjetër e ngritur në këto troje është medreseja e Is’hak Beut në Shkup e hapur para vitit 1411[5]. Kurse Medreseja më e vjetër në Kosovë është ajo e themeluar në Vushtrri brenda viteve 1444-1455 nga Gazi Aliu beu, pastaj para vitit 1516 në Pejë nga Mehmet Beu, pastaj e Gazi Mehmet Pashës në Prizren e vitit 1537, Medreseja e Besharet Begut në Prishtinë, e ngritur nga Besharet Begu qysh para vitit 1566, etj.[6] Pas këtyre u hapën edhe në qytete të tjera, saqë në shek. XVIII, sipas të dhënave që na ofron udhëpërshkruesi i njohur Evlija Çelebiu, në trojet shqiptare numri i tyre ishte shtuar, aq sa kishte qytete me më shumë se një medrese[7]. Në shek. XIX dhe në fillimi të shek. XX në Kosovë ekzistonin 16 medrese: katër në Prizren, dy në Prishtinë, dy në Gjakovë, dy në Pejë, dy në Vushtrri, një në Mitrovicë, një në Gjilan, një në Opojë dhe një në Dobërçan, në të cilat ndiqnin mësimet një numër i madh i nxënësve nga treva të ndryshme, madje edhe jashtë Kosovës. Të gjitha medresetë nuk kanë qenë të të njëjtit nivel[8]. Disa prej tyre për shkak të lëndëve që mësoheshin aty dhe autoritetit që gëzonin myderrizët e tyre, krahasoheshin me medresetë e larta të rangut të fakultetit “Fatih” të Stambollit, si medreseja “Mehmet Pasha” në Prizren, “Medreseja e Madhe” në Gjakovë (e ndërtuar në vitin 1707), etj.

Lëndët mësimore

Studentët në medrese regjistroheshin pas përfundimit të shkollës fillore (mejtepit), ose në periudha të më vonshme, edhe shkollën e mesme të ulët (mektebi rushdije). Kohëzgjatja e mësimit në medrese ka qenë 12-16 vjet. Pas kryerjes së medresesë, studentëve – të cilët quheshin softe ose talebe[9] – u lëshohej ixhazetnameja/diploma për kryerjen e studimeve dhe studentit i jepej licenca që të mësonte edhe të tjerët. Kishte disa lloje të ixhazetnameve, duke filluar nga ato të përgjithshme (‘amme), e deri tek ato të veçanta për një fushë apo fusha të caktuara (hassa), siç është hifzi, kiraeti, hadithi, tefsiri, akaidi, e drejta islame, kaligrafia, tesavufi, medicina, matematika, zanatet e veçanta, etj.[10]

Në këto medrese, jepnin mësim myderrizët, të cilët kanë qenë njerëz shumë të arsimuar, shumica e të cilëve të shkolluar në qendrat e ndryshme të arsimit dhe kulturës islame. Disa kanë qenë specialistë vetëm për një lëndë, ndërsa të tjerët për shumë lëndë.[11]

Në medresetë e Kosovës, janë mësuar të njëjtat lëndë si në medresetë e tjera të këtij niveli në Perandorinë Osmane. Edhe pse nga burimet e kohës nuk mund të jepet në mënyrë të qartë dhe të hollësishme programi mësimor i medreseve, megjithatë, duke parë biografitë e mësuesve dhe të dijetarëve (ulemasë, myderrizëve), diplomat e tyre, vakëfnametë, etj., mund të krijojmë një ide të përgjithshme se çfarë mësohej në medrese.

Në medresetë e kohës mësoheshin këto lëndë me disiplinat e tyre: Komentimi i Kuranit (tefsir), shkenca për Traditën (‘ilm el-hadith), doktrina/apologjetika (‘akaid), e drejta e Sheriatit (fikh) dhe burimet e së drejtës së Sheriatit (usul el-fikh), e drejta e trashëgimisë sipas Sheriatit (faraid), gramatika dhe sintaksa e gjuhës arabe (sarf, nahu), etj. Nxënësit për disa vite mësonin gramatikën dhe sintaksën e gjuhës arabe. Mësimi zhvillohej duke lexuar, duke sqaruar tekstet dhe duke mësuar përmendsh rregullat e morfologjisë dhe sintaksës, e përveç gramatikës dhe sintaksës, mësoheshin edhe leksikografia (‘ilm el-luga), retorika (‘ilm el-belaga) dhe metrika (‘ilm el-’arud).[12]

Ndonjëherë kishte ndryshime në renditjen dhe numrin e këtyre studimeve dhe lëndëve. Në medresenë “Mehmet Pasha” në Prizren, në bazë të dokumenteve arkivore të kësaj shkolle[13], dihet se mësoheshin 20 lëndë me disiplinat e tyre: 1. Kur’ani Kerim, 2. Texhvid, 3. E drejta e Sheriatit (‘Ilmi fikh), 4. Burimet e së drejtës së Sheriatit (‘Ilmi Usuli fikh), 5. Dogmatikë/apologjetikë (‘Ilmi Kelam), 6. Shkencat natyrore-fizikë (Hikmeti Tabi’ijje), 7. Teologji (Hikmeti ilahijje), 8. Logjikë (‘Ilmi mantik), 9. Komentim i Kur’anit (‘Ilmi tefsir), 10. Shkenca e Traditës (‘Ilmi hadith), 11. E drejta trashëgimore (‘Ilmi feraid), 12. Matematikë (Hisab), 13. Histori e pejgamberëve (Tarih-i enbija), 15. Metafora (‘Ilmi bejan), 16. Retorik (‘Ilmi bedi’), 17. Kaligrafia (Husn-i hatt), 18. Bukurshkrim (Imla), 19. Gramatikë (‘Ilmi sarf), 20. Sintaksë (‘Ilmi nahv)

Gjuha arabe, sipas praktikës së shumëgjuhësisë në Perandorinë Osmane, ka qenë gjuhë e shkencës, persishtja gjuhë e poezisë, kurse turqishtja gjuhë e administratës dhe e dijeve laike. Kjo traditë në Perandorinë Osmane, si bartëse e kulturës dhe qytetërimit islam, ka zgjatur gjithnjë deri në shek. XIX, dhe, si rrjedhojë, shkenca islame bazohej në njohjen e gjuhës arabe, jo vetëm për të njohur dhe studiuar Kur’anin e Hadithin, por për të njohur edhe shkencat e tjera, si metrikën, retorikën, stilistikën, gramatikën, poetikën dhe disa disiplina të tjera, të cilat studioheshin dhe komentoheshin në gjuhën arabe në tërë Botën Islame[14].

Tekstet shkollore

Në bazë të ixhazetnameve që kemi marrë në shqyrtim dhe burimeve të tjera[15], si tekste në medresetë tona, me ndonjë ndryshim, janë përdorur:

– “Texhvid”- ka të bëjë me studimin e artikulimit dhe të vetive të shkronjave arabe, në mënyrë që të mësohet të kënduarit e drejtë dhe të bukur të Kur’anit. Tek ne, më së shumti, është përdorur “Karabash Texhvidi”, të cilin e ka shkruar ‘Abdurrahman Karabashi’ por edhe texhvide të tjerë.

– “Munijja” (“Munjetu ‘l-Musal-li”) e Saduddin Muhammed bin el-Kashgarit.

– “Halebija” (“Sherhu ‘l-Munijja”) – koment i veprës së më sipërme, nga autori Ibrahim bin Muhammed bin Ibrahim el-Halebi. Autori ka dy komentime: Ai i shkurti me titullin “Gunjetu ‘l-Mutemli fi sherhi Munjetu ‘l-Musal-li”, që njihet me emrin e popullarizuar “Halebi sagir” (Halebi i vogël), për t’u dalluar nga komentimi tjetër i gjerë me emrin e popullarizuar “Halebi kebir” (Halebi i madh), që të dy këto vepra shumë të njohura ndër ulematë tanë.

-“Durrijekta”, e autorit Imam zade Ahmed Es’ad el-Konavi.

– “Kuduri” (“Muhtesaru ‘l-Kuduri”)– I shkruar nga njëri prej përfaqësuesve më të njohur të shkollës juridike hanefi, Ebu ‘l-Husein Ahmed b. Muhammed el-Kuduri el-Bagdadi “Muhtesaru ‘l-Kuduri”.

– “Multeka ‘l-ebhur” – Është një nga shkrimet themelore të fikhut hanefi, e shkruar në mënyrë të thukët dhe koncize, me stil të lehtë, andaj dhe ka qenë shumë i popullarizuar dhe është përdorur gjatë si doracak dhe si libër mësimi i fikhut nëpër medrese. Veprën e ka shkruar Ibrahim b. Muhammed el-Halebi.

-“Mevkufati” – Komentim dhe përkthim në gjuhën turke i veprës së më sipërme “Multeka”. E ka shkruar Muhammed efendi Mevkufati. Përveç titullit të lartshënuar, ky komentim, në burime të ndryshme, njihet edhe me emra të tjerë, me pak ndryshime, si “Terxheme-i Multeka ‘l-ebhur”, “Sherh Multeka ‘l-ebhur”, “Sherh-i Kitab Multeka el-ebhur”, “Terxheme-i Multeka ‘l-ebhur me’a sherhi bit-turkijjeti li ‘l-Mevkufati”.

– “Bergivi Sherhi” (“Kadi zade”) – Është koment i veprës së Birgeviut “Risale-i Birgevi” dhe ka të bëjë me elementet e besimit islam. E ka shkruar Ahmed Mehmed Emin Islamboli Kadi Zade.

– “T’alimu ‘l-Mute’al-lim”, – vepër mbi sjelljen fetare-morale dhe me edukatën e nxënësit. E ka shkruar Burhanuddin ez-Zarnuxhi.

– “Pendi ‘Attar” – Emri i plotë dhe i drejtë i saj është “Pend-name”, e poetit mistik pers Feriduddin ‘Attari.

– “Gülistan” – vepër që përmban rrëfenja moralizuese në vargje në gjuhën perse. Autor është i mirënjohuri Ebu ‘Abdullah Muslihuddin Sa’adi esh-Shirazi.

– “Emsile”- përmban shembuj për foljet në gjuhën arabe (me përkthim në gjuhën turke) nga një autor anonim.

– “Bina” – shpjegon foljet në gjuhën arabe. Si autori i mundur i kësaj vepre merret Abdullah ed-Dinkuz.

– “Maksud” (“el-Maksud fi ‘t-tasrif”) – Vepër nga morfologjia e gjuhës arabe. Rreth autorit të saj ka disa mendime. Rëndom përmendet Imami ‘Azam Ebu Hanife Nu’man Thabit el-Kufi.

– “Izzi” – “Tasrifu ‘l-Izzi” – trajton të njëjtën temë sikurse “Maksud” në gjuhën arabe. Autor i saj është Abduluehhab Izuddin ez-Zenxhani.

– “Merahu ‘l-eruah” – gramatikë e morfologji arabe, e autorit Ahmed b. ‘Ali b. Mes’ud.

– “Merah Sherhi” – Është komentim i veprës së sipërpërmendur. Ka disa komentime me këtë emër.

– “‘Auamil” – Vepër e shkurtër mbi sintaksën e gjuhës arabe, njihet edhe me emrat “el-’Auamilu ‘l-mije ‘l-xhedide” dhe “el-’Auamilu fi n-nahui”. E ka shkruar Muhammed b. Pir ‘Ali el-Birgevi.

– “Iz’har” – është vepër e shkurtër mbi sintaksën arabe, e përdorur shumë në medresetë e kohës. Autor i veprës është Pir Ali efendi el-Birgevi.

– “Kafija” (“el-Kafije fi ‘n-nahu”) Është vepër nga gramatika arabe e shkruar nga Xhemaleddin Ebu ‘Amr Osman b. Ebi Beker b. el-Haxhibi.

– “Mulla Xhami” – është gramatikë e gjerë e gjuhës arabe dhe zhvillohet në gjuhën arabe. Njihet sipas emrit të autorit Mevlana ‘Abdurrahman b. Ahmed el-Xhami. Titulli i saktë i kësaj vepre është “el-Feuaid ed-Dijaijje”.

– “Isaguxhi” (“Isagoxhi”) – Vepër nga logjika, në gjuhën arabe e autorit Etheruddin Mufeddal b. Omer el-Ebheri.

– “Fenari” – Edhe ky është një koment i veprës “Isaguxhi” të Etheruddin el-Ebheriut, të cilin e ka bërë Shemsuddin Muhammed b. Hamza el-Fenari. Njihet me emrat “el-Feuaidu ‘l-Fenarije” ose “Sherh el-Isaguxhi lil-Fenari”.

– “El-Kamusu ‘l-muhit” – është fjalor i gjuhës arabe të cilin e ka shkruar Muhammed Mexhduddin Firuz’abadi. Në gjuhën turke e ka përkthyer Sejid Ahmed ‘Asim efendiu. Tek ne më shumë është përdorur përkthimi në gjuhën turke se origjinali.

– “Sherhu ‘l-’Akaidi n-Nesefijje” – është doracak për apologjetikën islame. Është komentim i bërë veprës “Akaid en-Nesefi” të autorit Nexhmuddin Ebu Hafsa Omer b. Muhammed en-Nesefi. Komentimi është i Saduddin Mes’ud bin Omer Taftazanit.

– “Sherhu ‘l-Hidajeti ‘l-Hikme” – Është komentimi i bërë veprës “Hidajetu ‘l-hikme” të autorit Etheruddin el-Ebheri. Autor i komentit është Kadi Mir Husein el-Mibidi.

– “Sherhu ‘l-’Aka’idu ‘l-’Adudijje li Deuani” – Vepër në gjuhën arabe nga dogmatika, e autorit ‘Aduddin ‘Abdurrahman b. Ahmed el-Ixhi. Kurse komentimin e ka shkruar Muhammed Xhelaluddin Deuani.

– “Mutau-uel” – “Sherh telhisu ‘l-Miftah” – është doracak mbi stilistikën në gjuhën arabe e autorit Saduddin Mes’ud b. Omer Taftazani.

– “Durru ‘l-Muhtar”(“ed-Durru ‘l-Muhtar fi sherhi Tenuiri ‘l-ebsar”) – është vepër nga jurisprudenca islame dhe e drejta e Sheriatit në gjuhën arabe, e autorit Muhammed Haskefi el-Hanefi. Në të vërtetë është koment i veprës “Tenuiru ‘l-ebsar” të Dimeshkiut.

– “Ued’ijje” – “err-Rrisaletu ‘l-’Adudijje fi ‘l-ued’i” – është shpjegim i shkurtër për etimologjinë e fjalës në gjuhën arabe (uad’), të cilën e ka shkruar ‘Aduddin ‘Abdurrahman b. Ahmed el-Ixhi. Është e njohur me emrin “Risale fi ‘l-Ued’i” dhe sipas autorit “Risale el-’Adudijje”.

– “Veledijje” – është libër mbi debatin për fillestarët. Autor i veprës është Muhammed Saçakli Zade. Njihet edhe me emrin “Risale mine ‘l-Edeb li Saçkali Zade” dhe me emrin “Err-Rrisale-i ‘l-veledije”.

– “Sherhi shemsijje” – Vepër mbi logjikën. Emri i plotë është “Tahriru ‘l-kaua’idi ‘l-mantikijje fi sherhi err-Rrisaleti ‘sh-shemsijje” e autorit Kutbuddin Muhammed er-Rrazi et-Tahtani.

– “Enuaru ‘t-Tenzil ue Esraru ‘t-Te’uil” – është koment i Kur’anit (tefsir) i autorit Omer bin Muhammed bin ‘Ali Ebul-Hajr Nasiruddin el-Bejdaui.

– “El-Keshshaf” (“Hakaiku’t-tenzil”) – komentim i Kur’anit nga Ebu ‘l-Kasim Mahmud bin Omer ez-Zamahsheri.

– “Sahihu ‘l-Buhari” – autor: Muhammed bin Isma’il bin Ibrahim el-Buhari. Ka përjetuar disa komente, më të njohurit dhe që janë mësuar në medresetë tona janë: “Umdetu ‘l-Kari fi sherh Sahihu ‘l-Buhari”, nga Bedruddin bin Muhammed, i njohur me emrin ‘Ajni al-Hanefi dhe komenti “Fet’hu ‘l-Bari fi Sherh Sahihu ‘l-Buhari i autorit Ibn Haxher el-Askalani.

– “Shemaili sherif” – Është përmbledhje e haditheve që bëjnë fjalë për personalitetin dhe jetën e pejgamberit Muhammed a.s. e autorit Hafidh Ebi ‘Isa Muhammed et-Tirmidhi.

– “Miratu ‘l-Usul fi sherh Mirkatu ‘l-Usul” – Këtë vepër dhe komentimin e saj nga lëmi i filozofisë së të drejtës së Sheriatit e ka shkruar më 1470-1471, dijetari i njohur, i treti “shehu ‘l-islam” me radhë i Perandorisë Osmane, Mulla Muhammed bin Feramerz bin Ali, i njohur si Mulla Husrev (vd. 885/1480).

– “Dela’ilu ‘l-hajrat fi sheuariki ‘l-enuar” – e Ebu Abdullah Muhammed b. Suleyman el-Xhezuli.

– “Ilmi Feraiz” – vepër e shkurtër mbi ndarjen e trashëgimisë mes trashëgimtarëve, e autorit Siraxhuddin Muhammed b. Aburrashid es-Sixhavendi.

– “Muhtesaru ‘l-Me’ani sherif” – e ka shkruar Saduddin Mesud bin Omer Taftazani”.

–“Kaside-i Burde”. Titulli i plotë i kësaj kasideje është “El-Keuekibu ‘d-Durrijje fi med’hi Hajri ‘l-berijje”, e autorit Sherefuddin Abu ‘Abdullah Muhammad b. Sa’id al-Busiri.

– “Et-Tarikatu ‘l-Muhammedijje ue es-Siretu ‘l-Ahmedijje” e autorit Muhammad Pir ‘Ali el-Bergivi.

– “Mesabihu ‘s-sunne” – është nga fusha e hadithit e autorit Husein b. Mes’ud el-Begaui esh-Shafi’.

– “Tenkihu ‘l-usul ue teuzihu’t-tenkih” – është nga jurisprudenca islame, e autorit Burhan esh-Sheria Mahmud b. Sadri esh-Sheria el-Eu-uel Ahmed b. Ubejdullah el-Mahbub el-Hanefi.

– “El-Hidaje” – nga fusha e jurisprudencës islame e autorit Burhanuddin b. Ebi Beker el-Merginani.

– “Muhtesaru ‘l-Uikaje” – është vepër për jurisprudencën islame (fikh), e autorit Sadr esh-Sheria eth-Thani.

– “Sherhu ‘l-Menar” – komentim i veprës “Menaru ‘l-Enuar” e autorit Ebu ‘l-Berekat Hafidhud-din en-Nesefi.

– “El-Mugni” – (“el-Mugni fi usuli ‘l-fikh”) – vepër e njohur e drejtimit juridik hanefi, të cilin e ka shkruar Xhelaluddin Omer el-Habbaz el-Huxhandi.

– “Kenzu ‘d-dekaik” – e Hafidhud-din Ebu el-Berekat Abdullah b. Ahmed b Mahmud en-Nesefi.

– “El-Kasidetu ‘n-Nunijje” – poezi mbi besimin, e autorit Mevlana Hidr-bej b. Xhelaluddin.

– “Esh-shifa bi t’arifi hukuki ‘l-Mustafa” – përmbledhje e thënieve nga profeti Muhamed a.s. dhe detyrat e myslimanit për të respektuar atë. E ka shkruar Ebu ‘l-Fadl ‘Ijad b. Musa el-Jahsubi es-Sebti.

– “Kasidetu Bedu ‘l-Emal”– kaside nga apologjetika islame, e autorit Siraxhuddin Ebu Muhammed ‘Ali Osman el-Fergani.

Ekzemplarë të këtyre veprave, gjenden në bibliotekat e institucioneve që, në kuadër të fondeve dhe koleksioneve të tyre, ruajnë edhe vepra e dorëshkrime në gjuhët orientale, por edhe ndër posedues privatë dhe individë me kulturë dhe vetëdije historike mbi vlerat fetare islame dhe tradicionale[16].

Arkitektura

Medresetë në Kosovë ishin të tipit të medreseve të vogla në formë të shkronjës “L”, rëndom në oborrin e xhamisë, ose si komplekse të veçanta. Nga ana arkitektonike, janë ndërtuar sipas shembullit të arkitekturës osmane, por me një lloj transformimi, nën ndikimin e traditës vendase të ndërtimit. Nuk kanë qenë të mbuluara me kupola, nuk kanë pasur pretendime monumentale dhe u përgjigjeshin tërësisht mundësive të donatorëve, andaj arkitektura e tyre njëjtësohet me arkitekturën ndërtuese tradicionale. Si rezultat i kësaj, hasen edhe elemente të arkitekturës së thjeshtë ndërtuese, siç janë çardakët-divanhanet dhe lokalet për pritjen e mysafirëve, të cilat nuk paraqiten si pjesë përbërëse e medreseve të vendeve të tjera[17].

Të gjitha medresetë në Kosovë janë ndërtuar në sajë të vakëfeve dhe të nismave individuale të banorëve vendas, si përshpirtërore të tyre. Për mirëmbajtjen e tyre janë lënë objekte ekonomike, si dyqane, mullinj, ara, male, etj., ose të holla të gatshme, në mënyrë që të siguroheshin të ardhurat e sigurta dhe të rregullta, për personelin mësimor dhe për mirëmbajtjen e medreseve. Nxënësit e kishin të siguruar banimin, diku edhe ushqimin, e diku merrnin edhe bursa.

Roli kombëtar i medreseve

Mbështetur në plan-programet mësimore të këtyre medreseve, si dhe në nivelin mjaft të lartë profesional dhe intelektual të myderrizëve të tyre, gjë që pasqyrohet në veprat e tyre të mbetura në dorëshkrim, mund të arrihet në përfundimin se këto medrese kanë formuar një shtresë intelektuale fetare e akademike të admirueshme. Në këto medrese janë shkruar, kopjuar, komentuar e krijuar vepra të shumta, nga fusha e disiplina të ndryshme fetare, shkencore, e letrare, përfshirë edhe letërsinë shqipe alamiado, e cila ka prodhuar efekte shumë pozitive në zhvillimin kulturor të masave popullore shqiptare edhe jashtë objekteve të medresesë.

Në këto institucione arsimore zuri fill dhe u intensifikua përpjekja për futjen e gjuhës shqipe në shërbime të fesë islame në xhami dhe jashtë saj, përkatësisht thellimi i punës në drejtim të shqiptarizimit sa më të plotë të xhamisë dhe institucioneve të tjera islame[18]. Në këtë drejtim dallohen Tahir ef. Gjakova, Sheh Mala nga Rahoveci, Selim ef. Drejta nga Vushtrria, Mehmet Sezai nga Prishtina, Ymer Shemsiu e Vejsel Xhelaludin Guta nga Ferizaj, Hysen ef. Statovci nga Prishtina, Mehmet Salihu nga Opoja e shumë të tjerë, të cilët janë autorë të njohur veprash fetare, didaktike dhe atdhetare, disa prej të cilave të shkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab, në radhë të parë për nevoja të nxënësve dhe të studentëve, e pastaj edhe të masës së gjerë të komunitetit mysliman.

Shumë nga myderrizët dhe nxënësit e medreseve kanë marrë pjesë dhe kanë luajtur rol konstruktiv në të gjitha lëvizjet politike shqiptare, si në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në Lidhjen e Pejës “Besa Besë”, kryengritjet e ndryshme, etj. Veprimtarët politikë më të dalluar nga radhët e myderrizëve janë haxhi Ymer Prizreni, Halim ef. Gjergjizi, Haxhi Zeka, Ali ef. Mici, Hasan ef. Shllaku, Ismail ef. Yvejsi, Hafiz Ymer Guta, Haxhi Rrystem Shporta, e shumë e shumë të tjerë, të cilët aktivitetin tyre politik e paguan me internime e burgosje. Më vonë u dalluan sheh Mehmet Sezai, hfz. Abdullah Hizri, Asim ef. Luzha, Mulla Idriz Gjilani, Haki ef. Sermaxhaj dhe një plejadë e tërë e myderrizëve.

Si përfundim

Me një fjalë, medresetë në Kosovë ishin një pjesë e pandarë e jetës publike, të cilat qëndronin mbi baza intelektuale dhe që rrënjët i kishin te feja. Nga ana strukturore ato ishin pjesë e sistemit të vakëfeve, ndërsa nga ana financiare ishin të pavarura dhe i zhvillonin aktivitetet nën mbikëqyrjen e shtetit. Ato vazhduan të funksionojnë kështu për një periudhë disa qindra vjeçare.

[1]. Ekmeleddin Ihsano?lu, Institucionet studimore-shkencore dhe arsimore osmane, në: Historia e Shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman, vëll. II, AIITC, Tiranë, 2009, f. 366.

[2]. Ziya Kaz?c?, Islam medeniyeti ve müesseseleri tarihi, M. Ü. Ilahiyat Fakültesi Vakf? Yay?nlar?, Nu: 191, Istanbul, 2011, f. 325-326.

[3]. Ziya Kaz?c?, Islam medeniyeti…, po aty, f. 441.

[4]. Po aty, f. 442.

[5]. Hasan Kaleši, Najstariji vakufski dokumenti u Jugoslaviji na arapskom jeziku, Prishtinë, 1972, f. 90; Dr. Nehat Krasniqi, Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri në fillimet e Rilindjes Kombëtare, IA, Prishtinë, 2017, f. 231.

[6]. Dr. Nehat Krasniqi, Zhvillimi i kulturës shqiptare…, po aty, f. 232; I njëjti, Kontribute albanologjike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2011, f. 222 e tutje.

[7]. Më gjerësisht, shih: Evlia Çelebi, Shqipëria 350 vjet më parë, përkthyer nga Sali Vuçiterni, “Horizont”, Tiranë, 2000; Evlija Çelebiu, Në Shqipëri dhe në viset fqinje: Kosovë, Mali i Zi, Ohër, përgatitur nga Robert Elsie, përkthyer nga Abdurrahim Myftiu, SHB. “55”, Tiranë, 2008.

[8]. Medresetë në Perandorinë Osmane rradhiteshin sipas niveleve akademike të cilat përcaktoheshin sipas pagës ditore të myderrizit, si 20 akçe, 30, 35, 40, 45 dhe 50 akçe. Medresetë e Kosovës i kanë takuar rangut të medreseve 20 akçe. Shih: Cahid Baltaci, Osmanli Medreseleri (XV-XVI Yüzyillarda), vëll. 1-2, M.Ü. Ilahiyat Fakültesi Vakfi Yayinlari, nu. 198, Stamboll, 2005.

[9]. Fjala “softa” është me prejardhje nga persishtja “suhte”, që d.m.th. “i djegur, i dashuruar pas dijes”, kurse fjala “talebe” është njëjësi i “tul-lab”, që rrjedh nga arabishtja, që d.m.th. “kërkues i dijes”. Ziya Kaz?c?, Islam medeniyeti…, po aty, f. 383.

[10]. Haso Popara, Idžazetname u rukopisima Gazi Husrev-begove biblioteke, në: “Anali Gazi Husrev-begove biblioteke, knjg. XXV-XXVI, Sarajevë, 2007, f. 5.

[11]. Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gjurmime Albanologjike, I/1, 1962, Prishtinë, f. 94.

[12] Hasan Kaleši, Najstariji vakufski…, po aty, f. 23.

[13] Arkivi i Kosovës, Fondi i dokumenteve osmane, i pa rregulluar, dokumenti/shehadetnameje e Fahri ef. Iljazit nga Gjakova. Shih edhe shehadetnamenë e Mehmet Salihut nga Bresana e Opojës, një kopje e së cilës gjendet në duart tona.

[14] Fehim Nametak, Književnost bosnaskohercegova?kih Muslimana na turskom jeziku do XVII stolje?a, Godišnjak institut za jezik i književnost, Sarajevë, 1982, f. XI/119, Cituar sipas: Jusuf Rami?, Izu?avanje arapskog jezika kod nas, në: “Zbornik Radova”, nr. 2, Sarajevë, 1987, f. 237.

[15] Cahid Baltaci, Osmanli Medreseleri…, vëll. 1, po aty, f. 87-90; Murat Akgündüz, Osmanli medreseleri –IXI Asir, 2 baski, Beyan, Stamboll, 2012, f. 156; Omer Naki?evi?, Arapsko-islamske znanosti i glavne škole od XV do XVII vijeka (Sarajevo, Mostar, Prusac), Starješinstva IZ, Sarajevo, 1999, f. 87-107; Kasim Dobra?a, Katalog arapski, turskih i perzijskih rukopisa, svezak prvi, Sarajevo, 1963 dhe svezak drugi, Srajevo 1979; Zejnil Faji?, Katalog arapskih, turskih, perzijskih i bosanskih rukopisa, vëll. III, London/Sarajevo, 2000; Sadik Mehmeti, Dorëshkrimet orientale në Arkivin e Kosovës, Prishtinë, 2008. etj.

[16]. Ndër bibliotekat e institucioneve që ruajnë këso pasurish janë: Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Prishtinës, Biblioteka e Arkivit të Kosovës, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren, Biblioteka e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, etj., pastaj nëpër teqe, xhami dhe trashëgimtarë të ulemasë më të hershme shqiptare.

[17]. Madžida Be?irbegovi?, Prosvjetni objekti islamske arkitekture na Kosovu, në: “Starine Kosova”, nr. VI-VII, Prishtinë, 1972-1973:81-96.

[18]. Muhamet Pirraku, Kultura Kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, IA, Prishtinë, 1989, f. 384.

Dr. Sadik Mehmeti, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit