Abstrakt: Në këtë punim autori sjell të dhëna të panjohura për veprimtarinë edukativo-arsimore të medresesë “Pirinaz” të Prishtinës dhe rrethanat politiko-shoqërore, në të cilat veproi kjo medrese. Aktiviteti i kësaj medreseje deri më sot nuk ka qenë objekt studimi, për se edhe këto të dhëna marrin vlerë më të madhe, pavarësisht se bëhet fjalë për vitet e fundit të veprimtarisë së kësaj vatre shkollore islame dhe kombëtare (1935-1945). Të dhënat e paraqitura këtu, kryesisht janë nxjerrë nga dokumentet arkivore të hulumtuara në Arkivin e Kosovës, po dhe nga burime të tjera.
Fjalët çelës: sibjan mekteb, medrese, myderriz, “Pirinaz”, Hamdi ef. Ibrahimi, Ajet ef. Mardoçi etj.
Hyrje
Në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, në Kosovë punuan disa shkolla fetare islame, siç ishin sibjan mektebet dhe medresetë, të cilat kishin një traditë mjaft të gjatë. Këto shkolla datonin që nga koha e Perandorisë Osmane dhe hapeshin në vende me popullsi të fesë islame. Mësimin në këto shkolla e zhvillonin në gjuhët arabe e turke ulemaja shqiptare – myderrizët dhe mualimët e shquar, ndërsa komentimin e bënin në gjuhën shqipe.(1)
Në atë kohë në Kosovë, përveç sibjan mektebeve, vepronin edhe medresetë, numri i të cilave në fillim ishte i madh, pothuajse nuk kishte qytet në Kosovë pa një ose edhe disa medrese. Ato i mbanin qytetarët myslimanë dhe vakëfet. Mirëpo, ato institucione fetare islame në periudhën e sundimit të asaj Mbretërie, nuk kishin jetë të rehatshme, sepse qarqet qeveritare pengonin me të madhe veprimtarinë e këtyre shkollave, për se ato patën ndërprerje të kohëpaskohshme veprimtarie, madje disa prej tyre edhe do të mbylleshin përgjithmonë.
Shumë sosh mbylleshin ende pa filluar mirë punën. Mbyllja e atyre institucioneve bëhej thjesht për shkaqe politike, sepse “sipas qarqeve qeveritare, tek nxënësit e këtyre shkollave po zgjohej me të madhe vetëdija kombëtare, ndërsa mësuesit e tyre cilësoheshin si njerëz shumë të rrezikshëm”.(2)
Gjendja e institucioneve arsimore-islame në Prishtinë dhe më gjerë
Në Prishtinë në atë kohë vepronin dy medrese: medreseja “Sulltan Selimi III” dhe medreseja “Pirinaz”.(3)
Derisa medreseja “Sulltan Selimi III” ishte mbyllur më 19204, ajo e “Pirinazit” veproi deri më 19275, kur u mbyll me pretekstin se po përgatiste ithtarë të Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës.(4)
Mbyllja e kësaj medreseje pati shkaktuar një indinjatë të thellë në radhët e popullatës myslimane. Me gjithë ndërhyrjen e myftinjve, imamëve dhe të disa individëve të tjerë që gëzonin autoritet në popull, që medreseja të vazhdonte punën, pushteti serb nuk e lejoi rihapjen e saj në Prishtinë. Protestat e shumta që u bënë tek Ulema Mexhlisi me seli në Shkup, dhe tek autoritetet serbe, gjithashtu, nuk patën dhënë rezultate. Megjithëkëtë, pas shumë përpjekjesh të disa individëve me autoritet, në radhë të parë të Myftiut të Prishtinës Mehmet Sezai (1874-1947), medreseja “Pirinaz” qe rihapur përsëri, veçse në Podujevë.(7)
Një nga arsyet e shumta që kjo medrese të rihapej mu në Podujevë, ishte se “atje kishte shumë ithtarë dhe simpatizantë të çështjes shqiptare, (dhe) në ballë të së cilës qëndronte myftiu Mehmet ef. Sezai.”(8)
Mirëpo, edhe kjo vatër e rëndësishme e arsimit fetar e kombëtar, nga qarqet qeveritare do të mbyllej pas dy vjetësh (1929), me arsyetimin se ishte bërë çerdhe kryesore e nacionalizmit shqiptar, prandaj paraqiste rrezik të madh për interesat e tyre hegjemoniste.(9)
Në korrik 1928 Këshilli i Vakëfit të rrethit të Prishtinës, në mbledhjen e vet, mori vendimin që t’i drejtohej me lutje Ministrit të Fesë, për hapjen e sërishme të medresesë “Pirinaz“ të Prishtinës, me status të përkohshëm dhe me premtimet se do të angazhoheshin për realizimin e vendimit të myftiut suprem, sipas të cilit parashihej hapja e medreseve të reformuara. Propozohej që të hapeshin medrese jo vetëm në Prishtinë, po edhe në Podujevë, Gjilan e gjetiu.(10) Kërkesën e Këshillit të Vakëfit të Prishtinës e miratoi Ministri i Fesë dhe, më 1928, filloi sërish punën medreseja “Pirinaz” e Prishtinës. Mësimdhënës dhe drejtor i saj u emërua Hamdi ef. Ibrahimi-Gërçina.(11)
Kështu u hapën sërish medrese në Kosovë dhe kështu u bë realizimi i kërkesave të Konferencës së Parisë Fetare Islame, bërë në Mitrovicë gjatë vitit 1927, në të cilën u përkrah reformimi i medreseve ekzistuese.(12)
Përderisa në Mbretërinë SKS shkollat fetare islame nuk patën një zhvillim normal, sepse patën ndërprerje të kohëpaskohshme pune, megjithatë, me konstituimin e Mbretërisë Jugosllave në dhjetor 1929, gjendja e shkollave fetare ndryshoi për të mirë në janar 1930, kur u miratua Ligji i Bashkësive Fetare Islame (BFI). Në nenin 18 të atij ligji thuhej se hapja e shkollave fetare si edhe emërimi i mësimdhënë- sve të tyre, janë në kompetencë të BFI-së.(13)
Ndonëse me aprovimin e atij ligji mendohej se shkollat fetare islame kishin arritur një pavarësi të plotë, megjithatë praktika e dëshmoi
të kundërtën. Organet shtetërore filluan të ndërhynin përsëri, sidomos Ministria e Arsimit, e cila përsëri impononte planet dhe programet mësimore të atyre shkollave. Kriteret që i sanksiononte ajo ministri për hapjen e shkollave, e vështirësonin shumë punën. Mirëpo, me ndërhyrjen e Ulema Mexhlisit të Shkupit, ishte arritur një marrëveshje për zbutjen e këtyre kritereve. Kështu, jo vetëm që rrjeti i këtyre institucioneve po zgjerohej, por po bëheshin përpjekje edhe për arritjen e një autonomie të tyre. Pas një kohe të shkurtër, me vendimin e Mini- strisë së Drejtësisë, nr. 17531, datë 5 mars 1931, BFI dhe institucionet shkollore të saj fituan një autonomi të plotë.(14)
Në vitin 1931, sipas burimeve arkivore, në territorin e Kosovës vepronin gjithsej 10 medrese: dy medrese në Prishtinë dhe nga një në Prizren, Vushtrri, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe në Bresanë të Opojës.(15) Mirëpo, sipas rregullores së vitit 1935 të Ulema Mexhlisit, në vendet ku kishte më shumë se një medrese, duhej të bë- hej detyrimisht fuzionomi i tyre dhe të funksiononte vetëm një medrese, kurse myderrizët, sipas mirëkuptimit të tyre dhe nën inspektimin e Vakëfit të rrethit, do t’i ndanin lëndët dhe orët16. Kështu, medreseja “Sulltan Selim III” do të fuzionohej në medresenë “Pirinaz” deri në vitin 1942. Fuzionimi bëhej me pretekstin e unifikimit të planprogrameve dhe punës në medrese.(17)
Reformimi i medresesë „Pirinaz”
Sido që të ketë qenë, një ndër medresetë më aktive në atë kohë, në Kosovë ishte medreseja “Pirinaz”, e cila gjendej në oborrin e xhamisë me të njëjtin emër. Nuk dihet se kur ishin ndërtuar xhamia(18) e medreseja, por mendohet se medreseja kishte nisur punën nga mesi i shek. XIX.(19)
Medreseja ka pasur dy dhoma për nxënës dhe ders-hanen, e cila si ndërtesë ishte e ndarë nga dhomat e banimit të nxënësve. Në mes të secilës nga këto dy dhoma kishte një korridor, kurse secila dhomë kishte oxhakun për ndezjen e zjarrit. Ndonëse medreseja ishte e ndarë,
megjithatë, së bashku me xhaminë dhe tyrben, përbënin një kompleks.(20)
Medreseja “Pirinaz”, si edhe medresetë e tjera në Kosovë në atë kohë, vepronte në kuadër të Ulema Mexhlisit me qendër në Shkup, i cili më 12 janar 1935, të gjitha medreseve ekzistuese në territorin e tij, u kishte dërguar një Udhëzues në dhjetë faqe, për reformimin dhe punën e medreseve ekzistuese. Një udhëzues i tillë, në të cilin jepeshin udhëzime për reformat dhe punën e medresesë, sipas të cilit duhej punuar më tutje, i qe dërguar edhe medresesë “Pirinaz” të Prishtinës. Udhëzuesi, i cili gjendet në Arkivin e Kosovës(21), për aktivitetin e medreseve në atë kohë jep të dhëna me rëndësi dhe deri tash të panjohura. Të dhënat që ofron ky dokument, janë me interes dhe shërbejnë për njohjen sa më të mirë të aktivitetit të medresesë “Pirinaz”, sidomos për ata që do të shkruajnë historinë e zhvillimit dhe rritës së shkollave islame në këto anë.
Planprogrami i medresesë „Pirinaz” më 1935
Duke iu referuar këtij dokumenti, mësojmë se në medresetë ekzistuese në territorin e Ulema Mexhlisit të Shkupit, mësimet zhvilloheshin mbi bazën e planprogramit mësimor të përpiluar nga Ulema Mexhlisi.
Në vitin 1935 në medresenë e reformuar “Pirinaz” zhvilloheshin
tetë (8) lëndë mësimore me bazë fetare. Në klasën e parë 5 lëndë, kurse në të dytën, të tretën dhe të katërtën nga 6 lëndë. Klasa e parë, e tretë dhe e katërt kishin gjithsej nga 17 orë në javë, kurse e dyta 18 orë në javë. Fondi i përgjithshëm i orëve javore për të gjitha klasat mësimore ishte 69. Lëndë bazë, që mësonin nxënësit prej klasës së parë e deri në klasën e katërt, ishin: Kurani, Gjuha arabe dhe Gjuha turke.(22)
Plani mësimor i medresesë “Pirinaz” dhe i medreseve të tjera të reformuara në territorin e Ulema Mexhlisit të Shkupit në vitin 1935, sipas dokumentit, dukej kështu:
Tabela nr. 1 Plani mësimor i medresesë së reformuar “Pirinaz” më 1935
Në medrese, shkruan në dokumente, për lëndën e Itikadatit (Dogmatika islame) për klasën e parë përdorej libri i Imam Gazaliut “Ihja‘Ulumud-din”, kapitulli “Kavaid il-akaid”, dhe për klasën e dytë po ai, por me shpjegime më të gjera. Për lëndën e Ibadatit përdorej libri i Hasan esh-Shurunbalit (vd. 1069/1658) “Merak ul fel-lah”, për klasën e tretë prej faqes 2-65, kurse për klasën e katërt prej faqes 65-136. Për lëndën e Ahlakut nxënësit e klasës së tretë përdornin librin “Ihja ‘Ulumud-din”, vëllimi III, faqe 2-69, dhe nxënësit e klasës së katërt, të njëjtin libër, vëllimi II, faqe 138-185 dhe 265-321. Aty shkruan edhe për njësitë që duheshin zhvilluar për secilën lëndë dhe për secilën klasë veç e veç. Ilahitë ishin lënë sipas përzgjedhjes së myderrizit, por për klasën e katërt këshillohej sidomos ilahia “Kasidetu Bed ul-emal” e autorit Ali Osman el-Fargani (vd. 575/1179). Në kuadër të gjuhës turke, nxënësit njiheshin edhe me rregullat e gjuhës persiane.(23)
Pas kryerjes së medresesë, nxënësit merrnin tituj të ulët fetarë dhe kryenin detyrën e imamit, myezinit etj.. Mirëpo, nëse ndonjëri prej tyre dëshironte t’i vazhdonte studimet dhe të specializohej në shkencat islame, këtë mund ta bënte para ndonjë myderrizi të njohur, i cili në fund, pas një testimi mjaft rigoroz, i lëshonte ixhazetnamenë (diplomën).(24)
Kohëzgjatja e shkollës, gjithnjë sipas dokumentit, ishte katër vjet dhe vertikalisht ajo kishte katër klasa. Viti mësimor në medrese zgjaste 10 muaj, nga fillimi i shtatorit deri në fund të qershorit. Pushimi vjetor rëndom zgjaste dy muaj, në korrik dhe gusht. Brenda këtij harku kohor kishte edhe pushime dimërore.(25)
Gjatë vitit shkollor medresetë nuk punonin gjatë muajit të Ramazanit, festave fetare islame dhe shtetërore. Medreseja, në konsultim me Ulema Mexhlisin e Shkupit, mund të ndërpriste punën e saj edhe për shkak të të ftohtit të madh dhe të ndonjë epidemie.(26)
Në medrese mund të regjistroheshin vetëm djemtë që nuk ishin më
të vegjël se 11 vjeç e as më të mëdhenj se 16 vjeç dhe ata duhej ta kishin mbaruar patjetër shkollën fillore shtetërore.(27) Regjistrimi i kandidatëve të rinj bëhej nga data 25 gusht deri më 1 shtator.(28)
Sistemi i vlerësimit të nxënësve mbështetej në shkallëzimin katërshifrash, dy (2) deri në pesë (5), si më poshtë: 2 = dobët, 3 = mirë, 4 = shumë mirë, 5 = shkëlqyeshëm. Nxënësit, pas kryerjes së klasës së katërt, i lëshohej dëftesa.(29)
Provimet e pjekurisë
Sipas dokumentit, në fund të çdo viti shkollor organizoheshin provimet e pjekurisë për kalimin e nxënësve në klasa më të larta. Ky kalim bëhej në bazë të suksesit që tregonte nxënësi në provime. Komisionin provues e përbënin: myftiu i rrethit, i deleguari i Vakëf Mearifit të rrethit dhe myderrizët. Në provime nxënësit përgjigjeshin në dy mënyra: me gojë dhe me shkrim. Me gojë nxënësi u shtrohej provimeve në të gjitha lëndët, kurse me shkrim vetëm në lëndën e gjuhës arabe dhe të gjuhës turke.(30)
Për mbarëvajtjen e provimeve drejtoria e medresesë ishte e obliguar të mbante procesverbale, sipas formularëve të dërguar posaçërisht për këtë nga Ulema Mexhlisi i Shkupit dhe një kopje e tyre, përmes myftiut, duhej t’i dërgohej Ulema Mexhlisit, ndërsa një kopje tjetër të mbetej në arkivin e medresesë. Gjithashtu Ulema Mexhlisit duhej t’i dërgohej edhe nga një kopje e provimit me shkrim të secilit nxënës.(31)
Këto procesverbale përmbanin datën e mbajtjes së provimeve, emrat e anëtarëve të komisionit provues, emrin e mbiemrin e nxënësit, datën kur ishte regjistruar në medrese, cilit provim i shtrohej dhe të cilit vit, suksesin e treguar në lëndët mësimore, pastaj rubrikën në të cilën shkruante se nxënësi kaloi apo jo klasën, i lëshohet dëftesa apo jo dhe në fund regjistri përfundimtar i nxënësve që kalonin klasën dhe i atyre që e përsërisnin.(32)
Ndërkaq, në fletën e provimeve me shkrim, përveç përgjigjes së nxënësit, emrit e mbiemrit, shënohej edhe vendi se nga ishte nxënësi, si dhe suksesi i treguar në provimin me shkrim. Këto të dhëna plotësuese ua kemi bashkëngjitur të dhënave të tjera të shënuara në procesverbale, ndonëse për disa nxënës mungojnë (shih tabelat).
Gjatë hulumtimeve, kemi gjetur dy procesverbale të tilla me fletët e provimeve me shkrim të nxënësve të klasës së dytë dhe të katërt të medresesë “Pirinaz”, të cilat po i sjellim në vazhdim. Këto të dhëna na mundësojnë të njohim emrat dhe vendlindjen e 72 nxënësve të medresesë “Pirinaz”, shumica e të cilëve më vonë do të kryenin detyra të ndryshme fetare e kombëtare, si imamë, mualimë, mësues në shkollat shqipe etj., në Kosovë e më gjerë.
Në vitin 1935, sipas këtyre dokumenteve, në medresenë “Pirinaz” provimet e pjekurisë ishin mbajtur nga 18 deri 27 prill, me qëllim të aplikimit të tyre sipas klasave, me kërkesë të Ulema Mexhlisit të Shkupit, nr. 40/35, dt. 12 janar 1935.
Komisionin provues të medresesë “Pirinaz” e përbënin:
1. Hajrullah Mehmedi, kryetar
2. Daut Osmani, anëtar, i deleguar i Vakëf Mearifit të Rrethit
3. Hamdi ef. Ibrahimi, myderriz
4. Ahmed ef. Ajeti, myderriz
Sipas dokumenteve, në klasën e dytë mësimet i kishin ndjekur gjithsej 33 nxënës, prej tyre 11 kishin përsëritur klasën. Shumica e nxë- nësve vinin nga fshatrat e rrethit të Prishtinës.
Se çfarë suksesi kishin treguar në lëndët mësimore dhe në provimin me shkrim, më së miri shihet nga tabela:
Tabela nr. 2. Suksesi i nxënësve të klasës së dytë të medresesë “Pirinaz” më 1935
Nga tabela shihet se suksesi i nxënësve të klasës së dytë ishte i mirë, sidomos në lëndët: Kuran, Itikadat dhe Gjuhë arabe. Njëri prej nxënësve ishte hafëz i Kuranit. Nga përgjigjet në provimin me shkrim të klasës së dytë, mësojmë se shumica e tyre kishin të bënin me diturinë, edukatën, ndalimin e alkoolit, mirësjelljen etj.. Nga këto thënie lakonike e plot këshilla, shumica prej tyre hadithe të Pejgamberit a.s., të përkthyera nga gjuha arabe, sa për ilustrim, po veçojmë:
– ”Vlera e dijetarit ndaj të paditurit, është si vlera e Hënës ndaj yjeve të tjera. Dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve”!
– “Dije se çdo nxënës doemos duhet ta dëgjojë mësuesin kur flet, sepse vlera e mësuesit është si vlera e t’et”!
– “Të pasurit, edhe kur flet gabim, i thonë: – ia ke qëlluar! Ndërsa kur i varfri ia qëllon, të gjithë i thonë: gabove! Ç’është kështu?! Them: Humbje e qartë!”
– “Nuk është jetim ai që i kanë vdekur prindërit, por ai që nuk ka dije dhe edukatë”!
– ”Qeshë fëmijë dhe u plaka. Jeta më shkoi në injorancë. Ah sikur të mos më kishte lindur nëna! Mjerë për mua, vdiqa fëmijë!”.
Ndërkaq, sipas dokumenteve, në klasën e katërt kishin arritur gjithsej 39 nxënës, të cilët në medrese ishin regjistruar në vitin 1931. Se çfarë ishte suksesi i tyre, mësojmë nga tabela në vazhdim:
Tabela nr. 3. Suksesi i nxënësve të klasës së katërt të medresesë “Pirinaz” më 1935
Duke shikuar këtë tabelë, mund të konstatojmë se suksesi i arritur në provime të klasës së katërt ishte mjaft i mirë. Në shumë lëndë ishte arritur nota shkëlqyeshëm (5). Në të gjitha lëndët mësimore suksesi mesatar ishte nota shumë mirë (4). Suksesi më i mirë ishte arritur në lëndët Kuran dhe Ibadat. Nga gjithsej 39 nxënës, dëftesat për kryerjen e medresesë kishin arritur t’i merrnin 29, 10 të tjerë kishin përsëritur klasën.
Nga përgjigjet në provimin me shkrim të klasës së katërt sjellim:
“Mos fli natën, as në tregje mos shko, në je vërtet kërkues i diturisë”!
– “Kush e kalon jetën me mendjemadhësi, do të humbasë, ngase iblisi i tij bëri mendjemadhësi, prandaj mallkimin e Allahut e meritoi deri në amshueshmëri”!
Medreseja „Pirinaz” më 1942-1943
Sikurse është e ditur, pas vitit 1941 në Kosovë u krijuan rrethana
të reja, më të favorshme, për popullatën e këtyre anëve. Kështu në kohën e formimit të “Shqipërisë Etnike”, medreseja “Sulltan Selim III” e Prishtinës u rihap dhe u nda nga medreseja “Pirinaz”, dhe që të dyja vepronim me të njëjtin planprogram, por me myderriz të ndryshëm. Medresenë “Pirinaz” e drejtonte myderriz Ahmet ef. Mardoçi33, kurse atë “Sulltan Selim III”, myderriz Haxhi Iljas ef. Hashani34. Fuzionimi e më pastaj edhe ndarja e medresesë “Sulltan Selim” nga ajo “Pirinaz”, bëri që disa nxënës të kishin filluar njërën medrese, e pastaj të kishin kaluar në medresenë tjetër, dhe më pastaj përsëri të ishin rikthyer tek medreseja e parë. Ky fakt paraqet një problem shtesë për studiuesit e veprimtarisë së këtyre medreseve. Sepse, p.sh. në vitin shkollor 1942/1943, në medresenë “Sulltan Selim” do të gjejmë nxënës që mësimet do t’i kenë nisur në medresenë “Pirinaz” dhe anasjelltas.
Sido që të ketë qenë, sipas një liste të hartuar nga myderrizi dhe drejtori i medresesë “Sulltan Selim”, Haxhi Iljas Hashani (Shasivari), shihet se kjo medrese më 1943 kishte 29 nxënës, që vërtetohet edhe me dëshmitë që po Haxhi Iljas Shasivari ua kishte lëshuar nxënësve të tij për t’i përdorur për nevoja të ndryshme.35 Kjo listë, mendojmë, duhet të shënohet, sepse shumë nga këta nxënës, për disa vite, kanë qenë nxënës të “Pirinazit”:
1. Hasim Ymeri
2. Xhemajl Sallahi
3. Sadri Prestreshi
4. Idriz Kelmendi
5. Hamdi Bislimi
6. Hilmi Isufi
7. Riza Konjusha
8. Mustafë Maxhera
9. Azem Shabani
10. Hamit Hamza
11. Aziz Rrustemi
12. Qazim Jusufi
13. Rrustem Rizahi
14. Adem Ahmeti
15. Rexhep Zaifi
16. Ramiz Beqiri
17. Sylejman Sefa
18. Haki Jahiri
19. Zenullah Idrizi
20. Abdurrahamn Emini
21. Ali Abdyli
22. Hamit Ajdini
23. Mustafë Haxhija
24. Bajram Rexhepi
25. Idriz Ibrahimi
26. Nezir Alija
27. Kadri Abdullahu
28. Emin Rrustemi
29. Asllan Jusufi
Në anën tjetër, medreseja “Pirinaz” në vitin shkollor më 1943/1944 kishte 35 nxënës.(36)
Gjatë hulumtimeve tona në Arkivin e Kosovës, kemi gjetur një numër të dëshmive të lëshuara nga Ahmet ef. Mardoçi për një numër të nxënësve të medresesë “Pirinaz”, po edhe dëshmi të lëshuara nga Haxhi Iljas ef. Shasivari për nxënësit e medresesë “Sulltan Selim”. Këto dokumente janë të një rëndësie të veçantë për të gjithë ata që dëshirojnë të shkruajnë dhe të njohin veprimtarinë e këtyre medreseve, prandaj në vazhdim po japim emrat e nxënësve të medresesë “Pirinaz”, së bashku më të dhënën për nxënësit se kur e kishin nisur medresenë, për aq sa shënon aty, e këtë po e vëmë midis kllapash:
1. Sabit (Bajram) Prekopuca – Gumnasellë (1932)
2. Shaban Ajeti – Sibovcë (1936)
3. Faik Ramadani – Llapashticë (1936)
4. Sherif Bahtijari – Gumnasellë (1933)
5. Jusuf Elezi – Grashticë (1936)
6. Idris Mehmeti – Majanc (1932)
7. Musa Haliti- Ballaban (1936)
8. Rexhep Osmani – Milloshevë (1933)
9. Destan Sherifi – Shipitullë (1940)
10. Habib Hamiti – Gllogovc (1932)
11. Ramadan Elezi – Ballaban (1937)
12. Eshref Jetullahu – Shipitullë (1933)
13. Haki Zahiri – Busi (1937)
14. Ismail Ibrahimi – Dyz (1937)
15. Jakup Beqiri – Ribar (1940)
16. Muharrem Rrustemi – Cërnillë
17. Sait Fazlija – Keqekollë (1940)
18. Ymer Haxhi Zejnullahu – Sibovci i Epërm (1939)
19. Abdullah Kajtazi – Lladovc (Llap) (1937)
20. Demir Salihu – Sllovi (1932)
21. Osman Jusufi – Sibovci i Poshtëm (ka ardhur nga medreseja e
Podujevës)
22. Hashim Sejdija – Llapashtica e Poshtme (1939)
23. Bajram Murati – Llapashtica e Poshtme (ka ardhur nga medreseja
e Podujevës)
24. Beqir Zeqiri – Lupçi i Epërm (1942)
25. Sabit Bajrami – Gumnasellë (1933)
26. Salih Hajrullahu – Sllovi
27. Rexhep Sylejmani – Strofc
28. Elmaz Daduti – Sllovi
29. Muharrem Adili-Prishtinë
30. Xhafer Murseli- Koliq
31. Dibran Latifi-Shajkofc
32. Bejtullah Hasani-Shajkofc
33. Rrahim Ramadani-Majanc.(37)
Në këtë kohë, sipas dokumenteve që disponojmë, shkollimi në medresenë “Pirinaz” dhe “Sulltan Selim” të Prishtinës deri në ixhazetname, zgjaste 8 vjet dhe aty mësoheshin këto lëndë:
– Ilmi sarf – (morfologji e gjuhës arabe)
– Ilmi nahv – (sintaksë e gjuhës arabe)
– Ilmi me’an? – (retorikë)
– Ilmi bejan (metaforë)
– Ilmi bed’i – (estetikë)
– Ilmi mantik (logjikë)
– Ilmi fikh (jurisprudencë islame/fikh)
– Ilmi kelam (apologjetikë)
– Ilmi tefsir (komentim i Kuranit)
– Ilmi had?th (shkenca e Hadithit)
– Ilmi usuli fikh (Bazat e së drejtës së Sheriatit)
– Histori
– Gjeografi
– Matematikë.(38)
Një rëndësi e veçantë i kushtohej mësimit të gjuhëve, “në mënyrë që nxënësit të ishin sa më të përgatitur në misionin e tyre për t’i shërbyer popullatës”.(39)
Gjuhët që mësoheshin atë kohë në medrese ishin:
– Gjuhë shqipe
– Gjuhë turke
– Gjuhë arabe
– Gjuhë persiane dhe
– Gjuhë serbe.(40)
Kurse mësimi dhe leximi i Kuranit me texhvid mbetej lënda kryesore, së cilës i kushtoj vëmendje e veçantë në të gjitha klasat e medresesë.(41) Sipas kësaj, studenti deri në ixhazetname duhej të përvetësonte shumë lëndë dhe t’u nënshtrohej disa provimeve në fusha të ndryshme, dhe në fund fare, myderrizi kryesor, pas një vlerësimi mjaft rigoroz dhe kompetent, i lëshonte ixhazetnamenë, më se studenti merrte titullin myderriz, ose, siç i thuhej ndryshe, “bëhej ixhazetli”, dhe licencohej për t’u dhënë mësim edhe të tjerëve.
Ndërkaq, sipas një Rregulloreje, datë 15.11.1943, të hartuar nga drejtoria e këtyre dy medreseve, mësojmë se:
1. “Të gjithë nxansit e instituteve të medreseve Pirinazi dhe Sulltan Selim në Prishtinë, janë të detyruem me u regjistruem qysh në fillim të vitit. Asnji nuk mund të vazhdojë pa qenë i regjistruem.
2. Krejt studentat e instituteve të përmendun janë të detyruem me u gjendun prezent nër të gjitha orët e mësimeve të ditës.
3. Asnji nxanës nuk mundet të mungoj prej mësimeve pa arsye dhe pa lejen e myderrizit.
4. Ç’do nxanës asht i detyruem të vazhdoj minimal (ma së paku) dy te tretat e vitit me rregull. Përkundrazi humb të drejtën e provimeve dhe të drejtën si nxanës. Po në këtë mënyrë asht dhe kursesi nji nxanës nuk arsyeton mungesat e bamuna.
5. Ç’do nxanës qoft përkohsisht që detyrohet të largohet prej shkolle duhet të diftoj arsye dhe të lajmëroj myderrizin. Përkundrazi kur të kthehet nuk do të pranohet në shkollë.
6. Kurse do të largohet prej shkolle, ç’do nxanës asht i detyruem të lajmëroj për tu çregjsitrue. Në qoftë se nuk veprohet kështu nuk lëshohet asnjë certifikatë ose dëftesë.
7. Ç’do nxanës asht i detyruem tu shtrohet provimeve vjetore.
8. Në shkollë duhet të mbahet nji pastërti, rregull dhe disiplinë e pëlqyeshme dhe si i përshtatet nji instituti fetar; ata që shkaktojnë ç’rregullim do tu hiqet vrejtja.
9. Asht reptsisht e ndalueme shëtitja e nxansave në orët e mësimit nëpër rrugët e qytetit dhe pa leje.
10. Të gjithë nxansit janë të detyruem tu binden urdhrave të eprorve
të tyne.
11. Atyne që u nevojitet certifikatë për punra zyrtare do ti drejtohen drejtoris (myderrizit) së shkollës ose zyrës së Vakfit Mysliman në Prishtinë.
12. Të gjithë nxansit janë të detyruem dhe të ngarkuem me u bindun pikave të kësaj rregullore. Kush vepron kundër kësaj do ti hiqet vrejtja dhe kjo në qoft se përsëritet nxansi do të përjashtohet nga shkolla.
Si përfundim
Medreseja “Pirinaz” pushoi së vepruari në vitin 1948, kur me një vendim arbitrar dhe me disa arsyetime banale e të paqëndrueshme nga ana e pushtetit të atëhershëm, u mbyllën të gjitha medresetë në Kosovë. Roli dhe kontributi i medreseve në përgjithësi, dhe i asaj “Pirinaz” në veçanti, në ngritjen e vetëdijes fetare dhe kombëtare mbetet edhe sot e kësaj dite i pandriçuar, siç mbetet i pandriçuar edhe kontributi i myderrizëve që kanë dhënë mësime në ato medrese, dhe i shumë nxënësve të atyre medreseve, që më vonë do të bëheshin personalitete të shquara në fusha të ndryshme.
_____________________
1 Dr. Abdulla R. Vokrri, Shkollat dhe arsimi në anën e Llapit brenda viteve 1878-1944, Prishtinë 1995, fq. 74.
2 Dr. Hakif Bajrami, Qëndrimi i Jugosllavisë Monarkiste ndaj arsimit dhe kulturës së shqiptarëve në Kosovë (1918-1941), në: “Kosova”, nr. 12, Prishtinë, 1983, fq. 201.
3 Në dokumentet e kohës, sidomos në ato osmane, kjo medrese përmendet me emrat “Piri Naziri”, që është më e saktë, pastaj “Pirinazir” e “Pirinazër”, ne, meqë është bërë e njohur me emrin popullor “Pirinaz”, e quajtëm me këtë emër.
4 Dr. Abdulla R. Vokrri, Shkollat dhe arsimi në Kosovë ndërmjet dy luftërave botërore (1918-1941), Prishtinë, 1990, fq. 197. Kurse sipas studiueses Maxhida Beqirbegoviç, medreseja “Sulltan Selim III” kishte vepruar deri në vitin 1921, kur qe rrënuar edhe ndërtesa e saj. Shih: Madžida Be?irbegovi?, Prosvjetni objekti islamske arhitekture na Kosovu, në: “Starine Kosova”, nr.VI-VII, Prishtinë, 1972, fq. 86.
5 Dr. Abdulla R. Vokrri, Shkollat dhe arsimi në Kosovë ndërmjet dy luftërave botërore (1918-1941), po aty, fq. 197.
6 Hajdar Salihu, Poezia e bejtexhinjve, Prishtinë, 1987, fq. 459.
7 Dr. Abdulla R. Vokrri, Shkollat dhe arsimi në anën e Llapit…, vep. cit., fq. 79.
8 Muhamet Pirraku, Gjurmë të veprimtarisë arsimore e letrare të Hysen Statovcit, në: “Gjurmime albanologjike”, SSHF, Prishtinë, 16 – 1987, fq. 198.
9 Dr. Abdulla R. Vokrri, Shkollat dhe arsimi në anën e Llapit…, vep. cit., fq. 81.
10 Dr. Haki Kasumi, Bashkësitë fetare në Kosovë, Prishtinë, 1988, f. 124.
11 Hamdi ef. Ibrahimi-Gërçina, deri në fund të vitit 1941, kur edhe ndërroi jetë, ishte myderriz dhe drejtor i kësaj medreseje. Ka nxjerrë një numër të konsiderueshëm të ixhazetlinjve. Në bazë të ixhazetnameve që ua ka lëshuar nxënësve të tij, mësojmë se Hamdi efendiu mësimet i kishte nisur në Prishtinë para myderrizëve të shquar të Prishtinës, si Abdullah efendi Sylejmani, Ali efendi Ali Haskoji (Bellaçevci) dhe Sabit efendiu, ndërsa i kishte plotësuar në Stamboll para myderrizëve Adem Nuriu i biri i Mustafës të birit të Nezirit, që ishte nga Gjakova, dhe më pastaj te myderriz Mustafa efendiu i njohur si Avdo Misli Hoxha, tek i cili kishte marrë edhe ixhazetnamenë.
12 Haki Kasumi, Shkollat fetare islame në Kosovë ndërmjet dy luftërave botërore, në: “Gjurmime albanologjike”, SSHH, XII, 1982, f. 157.
13 Dr. Abdulla R. Vokrri, Shkollat dhe arsimi në anën e Llapit…, vep. cit., fq.89.
14 Dr. Abdulla R. Vokrri, Shkollat dhe arsimi në anën e Llapit…, vep. cit., fq.88, si dhe: Haki Kasumi, Shkollat fetare islame…, vep., cit., f. 159.
15 Dr. Haki Kasumi, Bashkësitë fetare në Kosovë, Prishtinë, 1988, f. 125.
16 Arkivi i Kosovës, Fondi Sresko Vakufsko-Mearifsko Poverenstvo Prizren, 1935, k. 6, dok. nr. 403.
17 Po aty.
18 Në Arkivin e Bashkësisë Islame të Kosovës kemi hasur në një shënim ku ceket viti i ndërtimit të kësaj xhamie: 1470 (shek.XV), ndonëse një shënim i tillë është mirë të verifikohet edhe nga ndonjë burim tjetër.
19 Sipas studiueses M. Be?irbegovi?, (Prosvjetni objekti islamske arhitekture na Kosovu, po aty, fq. 86) kjo medrese do të ketë nisur punën në fillim të gjysmës së dytë të shek XIX, kurse në një dokument tjetër (Arkivi i Kosovës, BFI-Zyra e Vakëfit Prishtinë 1943, k. 37), thuhet se kjo medrese ka nisur punën nga viti 1873. Megjithatë, data e ndërtimit të xhamisë, sipas
së cilës është quajtur kjo medrese, si dhe data e themelimit të medresesë “Pirinaz” dhe e aktivitetit të saj në dekadat e para, për t’u ndriçuar kërkojnë gjurmime të mëtejme.
20 Madžida Be?irbegovi?, Prosvjetni objekti islamske arhitekture na Kosovu, po aty, fq. 86.
21 Arkivi i Kosovës, Fondi Sresko Vakufsko-Mearifsko Poverenstvo Prizren, 1935, k. 6, dok. nr. 403.
22 Po aty.
23 Po aty.
24 Po aty.
25 Po aty.
26 Po aty.
27 Në dokumentet e mëvonshme saktësohet se, për t’u regjistruar në medrese, kandidati duhej të kishte mbaruar shkollën fillore dhe të ishte 14 vjeç. Më i vogël se kaq nuk mund të pranohej në medrese. (Shih: AK, Fondi Bashkësia e Fesë Islame, Zyra e Vakëfit Prishtinë, 1943, kutia 37).
28 Po aty.
29 Arkivi i Kosovës, Fondi Bashkësia e Fesë Islame, Zyra e Vakëfit Prishtinë 1935, k. 7, dok. 726.
30 Arkivi i Kosovës, Fondi Sresko Vakufsko-Mearifsko Poverenstvo Prizren, 1935, k. 6, dok. nr. 403.
31 Po aty.
32 Arkivi i Kosovës, Fondi Bashkësia e Fesë Islame, Zyra e Vakfit Prishtinë 1935, k. 7, dok. 726.
33 Ahmet efendi Ajeti-Mardoçi ka marrë ixhazetnamenë te Hamdi efendi Ibrahimi. Me vendimin nr. 1843/32, datë 20 tetor 1932 të Ulema Mexhlisit është emëruar myderriz i dytë në me dresenë “Pirinaz”, kurse nga viti 1941 e deri më 1948, kur u mbyll kjo medrese, ka qenë myderriz i parë dhe drejtor i saj. Ka nxjerrë disa ixhazetlinj, në mesin e tyre edhe përkthyesin e
Kuranit në gjuhën shqipe – Haxhi Sherif ef. Ahmetin. Shih: Arkivi i Kosovës, Fondi Bashkësia e Fesë Islame, Zyra e Vakëfit Prishtinë, 1952, si dhe: Ixhazetnamenë e Sherif ef. Ahmetit, një kopje e së cilës gjendet në bibliotekën tonë personale.
34 Haxhi Iljas ef. Shahsivari-Hashani (1886-1959), ishte myderrizi kryesor i medresesë së “Sulltan Selimit III” derisa u mbyll kjo medrese, por ishte i angazhuar edhe në “Pirinaz”, sepse medreseja “Sulltan Selim” kishte njohur disa ndërprerje të dhunshme dhe në periudhën midis dy luftërave botërore nuk kishte një kontinuitet, madje një kohë edhe ishte fuzionuar në medresenë “Pirinaz”. Në vitin 1942, medreseja “Sulltan Selim” qe ndarë nga ajo “Pirinaz”, dhe Haxhi Iljas efendiu ishte zgjedhur myderriz i saj. Në vitin 1948 edhe kjo medrese u mbyll. Haxhi Iljas ef. Shasivari mësimet i kishte nisur në medresenë “Sulltan Selim III” të Prishtinës para myderrizëve Nazif efendiu i biri Mehmedit të birit të Halimit nga Prishtina, kurse i kishte përfunduar në medresenë “Mehmet Pasha” dhe me datën 23 xhemadul-evvel 1328/2 qershor 1910 mori ixhazetnamenë tek myderrizi i njohur hfz. Abdylaziz Hivzi efendiu i Prizrenit. (Shih: Ixhazetnameja e Haxhi Iljas ef. Shasivarit, një kopje e së cilës gjendet në bibliotekën tonë personale). Haxhi Iljas efendiu ka qenë veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe kundër shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga trojet e veta. Ka qenë përkrahës dhe ithtar i ideve dhe pikëpamjeve të Ferat bej Dragës.
35 Po aty
36
Po aty.
37 Këto dëshmi dhe certifikata të lëshuara nga myderrizët për nxënësit e medresesë “Pirinaz” dhe “Sulltan Selim”, ruhen në Arkivin e Kosovës në fondin: Bashkësia e Fesë Islame, Zyra e Vakëfit Prishtinë, viti 1943-1945, kutia nr. 53.
38 Arkivi i Kosovës, Fondi Bashkësia e Fesë Islame, Zyra e Vakfit Prishtinë 1943, k. 37.
39 Po aty.
40 Po aty.
41 Po aty.
Buletini 2
Revistë hulumtuese, shkencore e Fakultetit të Studimeve Islame