1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Mediat në Serbi të hidhëruara pse Smajlaj e bëri shqiponjën në Beograd dhe tregoi se është nga Shqipëria

Më të lexuarat

Shqiptari Izmir Smajlaj është shpallur kampion Evrope në garën e kërcimit së gjati në Kampionatin Evropian të Atletikës që u mbajt në Beograd.

Ai ka befasuar të gjithë me kërcimin e tij 8.08 metra.

Pas fitores, Smajlaj ka bërë me duar shqiponjën, dhe kjo ka bërë që mediat në Serbi ta “sulmojnë” menjëherë.

“Shqiptari Izmir Smajlaj çuditërisht mori medaljen e artë në kërcim së gjati në Kampionatin Evropian në Beograd, ndërsa më vonë i paprovokuar provokoi publikën korrekte në “Arena” e cila e përshëndeti atë me duartrokitje”, shkruan mediumi serb “Vesti-online”, transmeton Koha.

“Kur u bë e qartë se fitoi çmimin e parë për kërcimin e tij prej 8.08 metra, ai bëri me duar shqiponjën dykrenore (përshëndetje karakteristike e shqiptarëve) dhe ka bërë me gisht kah fanella e tij ku shkruante Shqipëria”, shkruan më tej ky medium.

“Çfarë të thuhet? Komplekset janë të pashërueshme”, ka shkruar “Vesti-online”.

Me tone të ngjashme ka raportuar edhe mediumi tjetër serb, “Blic”.

“Organizimi i mrekullueshëm i Evropianit në atletikë nuk ka mundur të kalojë pa incidente të cilat i ka nxitur shqiptari Izmir Smajlaj, rrjedhimisht fitues i garës në kërcim së gjati”, shkruan ky medium.

“Smajlaj ka mundur ta përshëndes publikun, por ai në vend të kësaj, me duar ka bërë shqiponjën dykrenore që është simbol i Shqipërisë, dhe duke treguar kah fanella e tij ku shkruante emri i vendit nga vjen ai”, ka shtuar “Blic”.

Më tej, ky medium thotë se megjithëse e fitoi çmimin e par, “suksesin e prishi me këtë gjest të panevojshëm”.

Si duket, në Serbi ende nuk janë pajtuar me atë incidentin e 14 tetorit, 2014 kur flamuri me mbishkrimin “Autochthonous” dhe me hartën e trojeve etnike shqiptare valoi mbi stadiumin në Beograd në kohën kur po luhej ndeshja Serbi – Shqipëri, me ç’rast pati përleshje mes lojtarëve e për më tepër, lojtarëve serbë në ndihmë u dolën edhe fansat e tyre të cilët pushtuan fushën e gjelbër dhe sulmuan lojtarët shqiptarë.

Pas këtij incidenti, ndeshja ishte ndërprerë, ndërsa FIFA, me një vendim të mëvonshëm i kishte dhënë Shqipërisë 3 pikë në tavolinë, të cilat i ndihmuan kombëtares që të kualifikohej në Evropianin e futbollit 2016 në Francë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit