Deputetët e rinj në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës Serbe sot pa paralajmërim morën pjesë në fillim të seancës së Kuvendit të Kosovës, ku dhanë betimin si deputetë.
Është fjala për nëntë deputetët e Listës Serbe dhe një nga Iniciativa qytetare serbe.
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetushmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane”, thuhet në tekstin e betimit për Kuvend të Kosovës, në të cilën u betuan nëntë deputetët e rinj të Listës Serbe.
Ndryshe, lidhur me kthimin e Listës Serbe në Kuvend kanë reaguar nga kjo parti.
Lista Serbe ka thënë se e kanë bërë kthimin në Kuvend në mënyrë që vendet në legjislativin e Kosovës të jenë në duar të sigurta, shkruan mediumi në Serbi, Nova.rs.
“Vendimi i sotëm strategjik ka penguar drejtpërdrejt realizimin e planit të Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjet që garantojnë të drejtat e popullit serb në Kosovë… Synimi i Kurtit dhe Rada Trajkoviqit, por edhe të tjerëve si ajo, ishte të votonin ndryshimet kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, heqjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe, të drejtën e përfaqësimit në institucione etj”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe. /Telegrafi/