11.5 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

“Më të mirët e bijve të Ademit..!”

Më të lexuarat

Dhjetë hadithet e kësaj dite ndryshojnë nga hadithet e mëparshme, sepse nëpërmjet tyre, Resulull-llahu (a.s) përmend disa prej të dërguarve të përzgjedhur të All-llahut, si dhe gratë më të nderuara e të lavdëruara të historisë njerëzore.

Këto hadithe lexohen me një emocion ndryshe, duke të tërhequr drejt botës dhe gjurmës së secilit prej personazheve që përmenden me shumë nderim në këto fjalë të mrekullueshme profetike.

Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Transmetimet e kësaj dite, kanë si bosht kryesor përshkrimin e detajeve të ndryshme të një a disa prej të dërguarve, a grave më të spikatura në përkushtim dhe besim.

1. “Katër gratë më të nderuara të botëve janë: Merjemi, e bija e Imranit, Hatixheja, e bija e Huvejlidit, Fatimeja, e bija e Muhammedit dhe Asja, e shoqja e Faraonit!” – (Hadithi nr. 3714, f. 226. Ahmedi, Tirmidhiu, Ibn Hibbani dhe Hakimi, nga Enesi).

2. “Më të mirët e bijve të Ademit janë pesë: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai dhe Muhammedi. Dhe, më i miri i tyre është Muhammedi!” – (Hadithi nr. 3981, f. 243. Ibn Asakir, nga Ebu Hurejra).

3. “Ibrahimi ishte i pari njeri që priti mikun!” – (Hadithi nr. 6202, f. 387. Ibn Ebid-Dunja, nga Ebu Hurejra).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Ai është babai i 31- të i të dërguarit tonë (a.s)… Thuhet, se një herë, ai ftoi një person të hante me të dhe, kur u ulën, Hz. Ibrahimi (a.s) i tha: “Thuaj: Bismil-lah!” Personi ia ktheu: Nuk e di se çfarë është All-llahu!? Ndërkohë zbriti Xhibrili (a.s) dhe i tha Ibrahimit (a.s): “O Mik i All-llahut, All-llahu e ushqen këtë njeri qëkur e ka krijuar, edhe është femohues, a po të dhimbset ty një kafshatë buke për të?”] – (vëll. 4, f. 687-688).

4. “Davudi ishte më adhuruesi në mesin e njerëzve!” – (Hadithi nr. 6204, f. 387. Tirmidhiu dhe Hakimi, nga Ebud-Derda).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, Hz. Davudi (a.s) ishte njeriu më adhurues i kohës së tij, ose në mënyrë absolute. Dhe, me fjalën “adhurim” nënkupton falënderimin dhe mirënjohjen ndaj All-llahut! Thuhet se, ai e kishte ndarë natën në disa orë në krejt familjen e tij, saqë nuk kishte moment që dikush prej familjes së tij të mos ishte duke iu falur All-llahut!” – (vëll. 4, f. 689).

5. “Ejjubi ishte më i buti i njerëzve, më durimtari i tyre, më frenuesi i zemërimit të tij!” – (Hadithi nr. 6205, f. 387. El-Hakim Et-Tirmidhi, nga Ebu Ebza).

6. “Zekerijai ishte zdrukthëtar!” – (Hadithi nr. 6207, f. 387. Ahmedi, Muslimi dhe Ibn Maxheh, nga Ebu Hurejra).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Ky hadith tërheq vëmendjen se asnjeri nuk duhet të ketë komplekse ndaj punës dhe fitimit nga duart e tij, sepse vetë i dërguari i All-llahut (në këtë rast, Hz. Zekerija), me gjithë gradën e tij të lartë, zgjodhi këtë zanat. Hadithi tërheq vëmendjen edhe se tregëtia nuk e nënçmon njeriun dhe se ajo është fisnikëri. Posedimi i zanateve nuk i prek gradat e njerëzve të nderuar!” – (vëll. 4. f. 690).

7. “Të gjithë arabët rrjedhin nga fëmijët e Ismailit, të birit të Ibrahimit!” – (Ibn Sad, nga Aliu).

8. “Fisniku, i biri i fisnikut, i biri i fisnikut, i biri i fisnikut: Jusufi, i biri i Jakubit, i biri i Is’hakut, i biri i Ibrahimit!” – (Hadithi nr. 6459, f. 402. Ahmedi dhe Bukhariu, nga Ibn Omeri. Etj.).

9. “Do të zbresë Isai i biri i Merjemit, gjyqtar dhe prijës i drejtë! Ai do të marshojë shteg, shteg, haxhi ose umrexhi, pastaj do të vijë te varri im derisa të më japi selam dhe, unë do t’ia kthej!” – (Hadithi nr. 7742, f. 473. Hakimi, nga Ebu Hurejra).

10. “Nuk ka ngrënë njeri ushqim më të mirë sesa nga puna e dorës së tij! I dërguari i All-llahut, Davudi, hante nga puna e dorës së tij!” – (Hadithi nr. 7833, f. 479. Ahmedi dhe Bukhariu, nga Mikdadi).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 19 janar 2017

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit