0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Më shumë se dy orë diskutim me Kurtin, Lajçak: Takim i gjatë e i hapur, por jo i lehtë

Më të lexuarat

Ka përfunduar pas dy orësh takimi i kryeministrit Albin Kurti me pesë emisarët specialë për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak pas takimit me Kurtin në një deklaratë për media tha se kanë biseduar për Propozimin për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, ndërsa u shpreh se kanë pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë që ofron ky plan, raporton Telegrafi.

“Ne jemi këtu me një delegacion të fuqishëm të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe këshilltarëve të lartë të Gjermanisë, Francës e Italisë që është sinjal se ne jemi të zotuar për një normalizim të raporteve Kosovë-Serbi… I kaluam më shumë se dy orë me kryeministrin dhe kjo tregon se takimi ishte i gjatë, jo i lehtë, por i sinqertë dhe i hapur”, tha Lajçak para mediave.

Ai tha më tej se qëllimi i takimit me Kurtin ishte të diskutojnë Propozimin për normalizimin e raporteve me Serbinë të prezantuar në shtator dhe dhjetor.

“Nuk do të bëjë ndonjë deklaratë dramatike sepse jemi në mes të misionit dhe do të udhëtojmë edhe për në Beograd”, tha ai.

“…Ne kemi pritur kuptim më të mirë të mundësisë që ofron ky propozim… shpresoj të arrijmë aty dhe të shfrytëzohet potenciali i plotë i këtij propozimi…ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, ka thënë ai.

Ndryshe, në takimin me Kurtin ishte ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i deleguari amerikan Gabriel Escobar.

Kësaj radhe me Lajçakun dhe Escobarin ishin edhe tre këshilltarët e jashtëm të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

Jens Plettner, Emmanuel Beaune dhe Francesco M. Talo po ndihmojnë dialogun Kosovë-Serbi. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit