3 C
Pristina
Thursday, December 5, 2024

Me shokët e Profetit të Mëshirës – Ka’b ibnu Malik

Më të lexuarat

 

Duke trajtuar jetëshkrimin dhe historinë e shokëve të profetit Muhamed a.s, nuk është thjesht se po tregojmë disa ngjarje dhe tregime sa për të kaluar kohën. Në fakt, po flasim për jetëshkrimin e tyre për faktin se umeti ynë është larguar nga vlerat dhe civilizimi islam dhe duke sjellë jetëshkrimin e shokëve të Profetit a.s, synojmë që këtë umet ta afrojmë me vlerat e veta. Që ta bëjmë këtë, na lipset që t’u tregojmë njerëzve mbi vlerat dhe thesaret e kësaj feje. Herë pas here, ne kemi nevojë të shohim pas, atje, në historinë tonë të parë, në të shkuarën tonë të largët me qëllim që të përmirësojmë të tashmen.

E sjellim jetëshkrimin e shokëve të Profetit a.s., pasi në këtë botë me dallgë e shtrëngata, na lipsen modele dhe shembuj nga jeta e njerëzve më të mirë pas Profetit a.s.

Një prej personave të formuar në klimën e Mësonjëtores Profetike është dhe Ka’b ibnu Malik. Ai nuk është një sahabi shumë i njohur, siç janë shumë të tjerë, por njihet vetëm për një rast të vetëm, që përbën një nga ngjarjet e rëndësishme në jetën e myslimanëve. Ajo bën fjalë për disa njerëz të cilët nuk i shkuan pas të dërguarit të Zotit në një betejë të vetme, një prej të cilëve ishte vetë Kabi. Është pikërisht kjo ngjarje dhe pasojat që rrodhën më pas ato që e bënë të njohur atë.

Një numër i kufizuar njerëzish nuk e ndoqën Profetin a.s dhe u bë zhurmë e madhe, po ç’mund të themi sot për një umet që nuk e ndjek atë dhe traditën e tij? Profeti Muhamed a.s. erdhi që ta ringjallë këtë umet dhe ta vendosë në binarët e duhur me qëllim që të jetojë siç i ka hije. Profeti a.s. erdhi që ky umet të lidhet me Zotin dhe të jetojë nën dritën e udhëzimit të Tij. Të mos ndjekësh Profetin a.s., do të thotë të mos jetosh për Zotin, të mos kesh si preokupim fitimin e xhenetit dhe fitimin e kënaqësisë së Zotit. Të mos ndjekësh Profetin a.s. sot, do të thotë të jetosh për të ngrënë, për të pirë, për t’u veshur bukur etj… dhe në fund të vdesësh pa pasur një mision sublim për të përmbushur. Është fyese për njeriun të besojë se është krijuar vetëm për të ngrënë e për të përmbushur epshet e tij. Jeta e njeriut merr realisht vlerë vetëm kur ka si motivin më të madh kënaqësinë dhe bindjen e Zotit.

Ka’b ibnu Malik nuk e ndoqi Profetin a.s. në një betejë, ndërkohë që sot mosndjekja e Profetit a.s. merr forma nga më të ndryshmet. Të jetosh vetëm për grumbullimin e parave është mosndjekje e Profetit a.s.; të jetosh vetëm për ndjekjen e modës është mosndjekje e Profetit a.s.

Ka’bi ishte nga banorët e Medines dhe një nga poetët e Profetit a.s. Ai përbënte llogoren mbrojtëse të Profetit a.s. dhe të myslimanëve nëpërmjet fjalëve dhe poezive të tij. Ka’bi jetoi shumë gjatë dhe vdiq në vitin 51 hixhri, gjatë kalifatit të Muavije ibnu Ebi Sufjanit. Ai ka qenë i pranishëm në momentet dhe betejat më të rëndësishme të Profetit a.s. Ishte pjesë e grupit të Akabesë, ku iu dha besa profetit Muhamed a.s. për ta mbrojtur nga idhujtarët dhe që përbën fillimin e migrimit të myslimanëve për në Medine.

Historia e tij nuk është histori thjesht e dikujt që ka jetuar këtu e 14 shekuj më parë, por është historia e secilit prej nesh, që herë pas here harron porositë e Profetit a.s. dhe i largohet rrugës së tij.

Ka’bi rrëfen: “Kur myslimanët u bënë gati për në Tebuk, Profeti a.s. deklaroi haptazi se do të shkonte për t’u përballur me forcat bizantine”.

Ishte hera e parë që Profeti a.s. deklaronte haptazi se me cilën ushtri do të ndeshej, ndërkohë që në betejat e tjera e mbante sekret, madje fillimisht ushtria nisej në një drejtim të kundërt. Kurse për këtë betejë, ai deklaroi haptazi, pasi ishte një betejë goxha e vështirë për shumë arsye. Zhvillohej në muajin gusht, ku temperaturat shënonin maksimumin, distanca ishte një mijë kilometra larg, hurmat që përbënin dhe ushqimin kryesor nuk ishin pjekur akoma. Për të gjitha këto vështirësi kjo betejë njihet ndryshe edhe si beteja e vështirësisë. Vetë Zoti e ka konsideruar të vështirë, pasi thotë:”…ata që e ndoqën (Profetin) në momentin e vështirë…” (Teube, 117)

Aq e vështirë ishte gjendja ekonomike në atë kohë për myslimanët, saqë thuhej se kishte njerëz që një kokërr hurmë e hanin për tre ditë.

Ka’bi vazhdon: “Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur të mos marr pjesë në ndonjë nga betejat e Profetit a.s, përveç Bedrit… Kurrë nuk kam qenë në gjendje më të mirë dhe më i pasur, seç isha gjatë kohës që myslimanët përgatiteshin për në Tebuk. Madje në këtë kohë kisha dy deve për të udhëtuar. Kisha marrë pjesë në luftëra të tjera dhe isha nga ata që kisha dhënë besën e Akabes. Kur të gjithë përgatiteshin për luftë, saqë numri i luftëtarëve i kaloi tridhjetë mijë, unë mendoja që ka akoma kohë për t’u përgatitur. Dilja të blej pajisjet, por sërish kthehesha duarbosh, ngaqë mendoja se e kam në dorë të përgatitem kur të dua”.

Shpesh na ndodh të gjithëve diçka e tillë. E vëmë orën për t’u zgjuar në mëngjes për të falur sabahun në kohë, e dëgjojmë zilen, i hapim sytë, por e fikim orën dhe themi: Të qëndroj dhe një minutë shtrirë sa të marr veten, ja ku jam, unë i hapa sytë… Pastaj zhytemi sërish në gjumë dhe nuk zgjohemi veçse pasi të ketë lindur dielli.

Ka’bi vetëm një herë nuk e ndoqi profetin Muhamed a.s., kurse ka njerëz të tjerë që gjithë jetën nuk e ndjekin atë dhe traditën e tij. Gjithçka e fesë u duket e rëndë sa mali. Ai e di që shokët me të cilët shoqërohet janë të këqij dhe negativë, megjithatë thotë: E kam në dorë situatën, kur të dua largohem prej tyre, madje shumë shpejt do të ndryshoj shoqëri… e megjithatë e sheh veten gjithmonë e më shumë të përfshirë nga e liga. Prandaj sa herë të të vijë në mendje një vepër e mirë, mos e vono, por menjëherë zbatoje.

Ka’bi thotë: “Edhe pasi ushtria u nis, unë thosha që i arrij kur të dua. Vazhdova të ushqej veten me shpresa derisa u bë e pamundur ta arrija ushtrinë. Kjo gjë më tronditi dhe sikur erdha në vete. Sa herë që dilja rrugëve të Medines, shihja vetëm njerëz që kishin arsye (shëndetësore) për të mos dalë në luftë, ose hipokritë, ose gra dhe fëmijë, ose burra si Aliu që Profeti a.s i kishte lënë për të mbrojtur Medinen. Për shkak të kësaj më kaploi një mërzi shumë e madhe. Vazhdova kështu derisa Profeti a.s u kthye në Medine. Me të ardhur, fillova të mendoj se çfarë t’i them për të mos u zemëruar me mua. Pyesja dhe njerëz të ndryshëm se çfarë mund t’i thosha Profetit a.s.”

Ai e kishte këtë siklet se çfarë do i thoshte Profetit a.s kur të dilte para tij. Vallë, çfarë do i thuash Profetit a.s. kur të dalësh para tij Ditën e Kiametit? Çfarë do i thuash kur të dalë para hauzit dhe të thërrasë:”Umeti im, umeti im!” ndërkohë që engjëjt do të largojnë duke i thënë:”Jo, o Muhamed, sepse ti nuk e di çfarë kanë bërë këta pas teje!”

Gjatë rrugës së kthimit, Profeti a.s. kishte pyetur disa prej shokëve të tij: “Po Ka’bi, si nuk erdhi?” Dikush i kishte thënë me ironi: “Është duke u ngrohur në xhyben e tij!”

Me të mbërritur në Medine Profeti hyri në xhami dhe fali dy rekate namaz dhe u ul duke pritur njerëzit. Hipokritët filluan të vijnë, i dilnin përpara dhe i parashtronin arsyet e tyre përse nuk kishin marrë pjesë në betejë. Ka’bi thotë: “Kur shkova atje, pashë me dhjetëra njerëz që kishin vajtur para meje, të cilët shpiknin arsye të ndryshme që Profeti a.s. t’i falte. Isha i sigurt që ata gënjenin. Profeti a.s. ua pranonte justifikimet edhe pse e dinte se gënjejnë. Kur erdhi radha ime, mendoja akoma nëse ishte më mirë t’i tregoja të vërtetën, apo ta gënjeja dhe unë. Pasi u larguan njerëzit, Profeti a.s. më pa në sy dhe më tha: “Hajde!” Kur iu afrova dhe u ula para tij, më pyeti: “Po ty, çfarë të pengoi për të mos ardhur me ne? A nuk e pate blerë dhe devenë?”

Unë i thashë: “O i dërguar i Zotit! Nëse do të kisha qenë para dikujt tjetër, do të dija si t’i shpëtoj zemërimit të tij, pasi shquhem për gojëtari. Por ti je i dërguari i Zotit dhe nëse të them sot një gënjeshtër të cilën Zoti e di që është gënjeshtër dhe ti mendon se është e vërtetë, kam frikë se Zoti do të bëjë ty të më urresh. Nëse të them të vërtetën, ti do të zemërohesh, por e lus Zotin që të më falë. Prandaj për Zotin do të të them të vërtetën. Për Zotin, kurrë nuk kam qenë në gjendje më të mirë dhe më i fuqishëm se atë ditë. Kurrë nuk kam pasur pasuri më shumë se atë ditë dhe nuk kam asnjë arsye për mospjesëmarrjen në luftë. Asnjëherë më parë nuk kam pasur dy kafshë udhëtimi siç kisha këtë herë.”

Po ti, a mund të jesh kaq i sinqertë si Ka’b ibnu Malik? A mundesh t’i ruhesh gënjeshtrës në jetën tënde? Realisht gënjeshtra është gjëja më e shëmtuar për njerëzit. Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Njeriu gënjen dhe e insiston me gënjeshtra derisa të shkruhet te Zoti si gënjeshtar. Njeriu është i sinqertë dhe insiston me sinqeritet derisa të shkruhet te Zoti si i sinqertë”.

Nëse sot i bën bisht diçkaje duke gënjyer, vallë si do i bësh bisht Zotit Ditën e Gjyqit të madh? Çfarë do i thuash Atij dhe si do të justifikohesh? Fillimisht ji i sinqertë me veten tënde, pranoji të metat e tua, hidhi në një letër dhe vendos një plan për t’u shkëputur prej tyre.

Profeti a.s. kur e dëgjoi shokun e tij, tha: “Ky u tregua i sinqertë”. Kjo tregonte që Profeti a.s. e kishte kuptuar që të tjerët kishin gënjyer.

Më pas Profeti a.s. i tha: “Ngrihu dhe prit derisa çështjen tënde ta gjykojë vetë Zoti”.

Të thuash të vërtetën dhe të tregohesh i sinqertë nuk do të thotë që gjithçka më pas të shkojë vaj. Ti mund të gënjesh dhe të shpëtosh nga sikleti, por do të vuash gjithë jetën. Ose të tregosh të vërtetën, të vuash momentalisht, por të ndihesh i qetë në zemër gjithë jetën.

Ka’bi e vazhdon kështu rrëfimin e tij: “U çova dhe të gjithë njerëzit që më takonin më thoshin: “Ç’bëre kështu? Kthehu tek i dërguari i Zotit dhe kërkoji falje!”, duke më kritikuar se pse i kisha thënë të vërtetën dhe nuk i kisha thënë një arsye. Vazhduan të më kritikojnë saqë u nisa të kthehem dhe të përgënjeshtroj të gjitha ç’kisha thënë dhe t’i tregoja një arsye që më kishte detyruar të mos i bashkohesha ushtrisë. Por, para se të bëja këtë, pyeta disa njerëz: “A është tjetër kush veç meje, që ka thënë ato që thashë unë?” “Po – më thanë – është Hilal ibnu Umeje dhe Murare ibnu Ebi Rebi. Edhe ata i thanë njëlloj siç i the ti dhe u tha njëlloj siç të tha ty.” Të dy këta kishin marrë pjesë në betejën e Bedrit. Atëherë thashë: “Jo, nuk do i ndryshoj fjalët që i thashë Profetit a.s.”

Profeti a.s. urdhëroi që asnjë nga myslimanët të mos u flasë këtyre të treve 50 ditë. E gjitha kjo, jo se nuk faleshin, as se nuk agjëronin, por sepse kishin lënë rrugën e Profetit a.s. dhe nuk kishin marrë pjesë me të në këtë betejë.

Ka’bi tregon: “Medina më dukej si një qytet që nuk e njihja. Toka e saj më dukej sikur do më

zinte frymën.” Këtë e përshkruan dhe Zoti në Kur’an në ajetin vijues:

“Edhe atyre të treve, që mbetën pas, toka, me gjithë gjerësinë e saj, u dukej e ngushtë. Kjo ngaqë të ngushta u dukeshin dhe zemrat dhe u bindën se nuk ka strehim prej Zotit, veçse tek Ai. Prandaj Ai ua fali atyre, në mënyrë që të pendohen…” (Teube, 118)

Ka’bi thotë: “Unë isha i ri, jo si dy të tjerët që ishin të moshuar, dhe shkoja në xhami shpesh, ku gjeja të dërguarin e Zotit. Kur i jepja selam, ai e kthente fytyrën mënjanë. Unë pyesja veten:“Vallë, a ma ktheu selamin? A i lëvizi buzët?”

Kur falesha, zgjidhja vendin pas Profetit a.s. Nganjëherë e shihja me bisht të syrit dhe kur shihja që ai po më shikon, unë ulja sytë përtokë.”

Profeti a.s e donte Ka’bin, por në këtë rast ai kishte bërë diçka të paparashikuar.

Ka’bi vazhdon e thotë: “Pranë shtëpisë time, ishte shtëpia e djalit të xhaxhait, Ebul Katades. Një ditë teksa u lodha nga kjo gjendje, kalova murin mes nesh dhe i thashë: “O Ebul Katade, paqja e Zotit qoftë mbi ty!” Ai nuk më ktheu fare përgjigje. Unë sërish i thashë: “Paqja e Zotit qoftë mbi ty!”, por ai sërish nuk më ktheu përgjigje. Pastaj i thashë: “Pash Zotin, a e di që unë e dua Zotin dhe të dërguarin e Tij?”- por ai nuk më ktheu përgjigje. Përsëri i bëra të njëjtën pyetje dhe përsëri ai nuk m’u përgjigj. Atëherë fillova të qaj dhe i thashë për të tretën herë: “O Ebul Katade, pash Zotin, a e di që unë e dua Zotin dhe të dërguarin e Tij?” Ai m’u përgjigj: “Këtë e di më mirë vetë Zoti dhe i dërguari i Tij.” Atëherë kalova përsëri murin dhe vazhdova të qaj, saqë m’u tha zëri nga të qarët.

Vetëm një herë ndodhi që ai nuk e ndoqi profetin Muhamed a.s dhe u ndëshkua kaq rëndë. Imagjino sikur të mos e kishte ndjekur atë për njëzet vite rresht. Reflekto mbi të gjitha shkarjet e tua në të shkuarën dhe ktheju rrugës së Zotit me sinqeritet.

Një ditë, teksa lëvizja në treg, ku nuk më fliste asnjë, dëgjoj zërin e një prej bujqve të ardhur nga Siria, që thoshte: “Kush më tregon ku ndodhet Ka’b ibnu Malik?” Njerëzit nuk i flisnin, por i bënë me shenjë nga unë. Kur erdhi tek unë më dha një letër nga mbreti i Gasasinëve. Në letër shkruhej: “Kemi dëgjuar që miku yt të ka braktisur. Nuk ke përse të qëndrosh i vetëm dhe i braktisur, prandaj eja tek ne të të mbajmë pranë dhe të të ngushëllojmë!”

Ka’bi ishte poet dhe shumë i njohur. Kjo ishte një sprovë tjetër për të provuar sinqeritetin dhe përkushtimin e tij ndaj Islamit.

Ai tregon: “Kur e lexova qava dhe i thashë vetes: “Kaq shumë të ka rënë vlera para të dërguarit të Zotit dhe myslimanëve, o Kab, saqë armiqtë e Islamit të kanë lakmi?” Më pas e mora letrën dhe e dogja.”

Periudha që nuk u foli kush me gojë ishte 50 ditë, aq sa kishte zgjatur udhëtimi dhe qëndrimi në Tebuk. Pas kësaj kohe, Profetit a.s. i shpallen ajete të cilat do të marrin emrin “ajetet e pendimit” dhe vetë surja do të marrë këtë emër “Teube” (pendimi). Ishte një pendim, jo nga gjynahet e bëra, por për shkak se nuk kishte marrë pjesë në përcjelljen e mesazhit hyjnor me Profetin a.s. “Zoti ia pranoi pendimin Profetit, muhaxhirëve dhe ensarëve, që e ndoqën atë në çastin e vështirë, në një kohë që zemrat e një grupi prej tyre gati u lëkundën. Më pas Ai ua pranoi pendimin, me të vërtetë që Ai është i butë dhe i mëshirshëm me ta. (Ai ua pranoi pendimin) Edhe atyre të treve që mbetën pas, saqë toka, me gjithë gjerësinë e saj, u dukej e ngushtë. Kjo ngaqë të ngushta u dukeshin dhe zemrat dhe u bindën se nuk ka strehim prej Zotit veçse tek Ai. Prandaj Ai ua fali atyre, në mënyrë që të pendohen. Zoti është pranues i pendimit dhe mëshirues. O ju që keni besuar, jini të devotshëm ndaj Zotit dhe jini nga fjalëdrejtët.” (Teube, 117-119)

Ajetet e sipërcituara iu shpallën Profetit a.s. në pjesën e fundit të natës. Ai për herë të parë i lexoi ato në namazin e mëngjesit të asaj dite. Pasi përfundoi namazin, Profeti a.s. u drejtua nga shokët e tij dhe u tha: “Zoti ia pranoi pendimin Ka’b ibnu Malik”.

Dita kur Zoti të pranon pendimin është dita më e lumtur në jetën tënde. Nuk është as dita e fejesës, as dita e martesës, as dita e lindjes së fëmijës së parë… por dita kur Zoti të pranon pendimin.

Menjëherë njerëzit u drejtuan për tek shtëpitë e të treve. Ka’bi nuk e kishte falur namazin në xhami, por mbi tarracën e shtëpisë, pasi ndihej i vetmuar. Ai tregon: “Një burrë u ngjit në kodër dhe thirri: “O Ka’b ibnu Malik, gëzohu!” Unë thashë me vete: “Një burrë që më thërret me emër?!” pastaj falënderova Zotin dhe rashë në sexhde.

Një burrë tjetër ishte nisur me kalin e tij të vijë të më përgëzojë, por zëri i atij që thirri nga kodra erdhi më shpejt. Kështu kur erdhi i dhashë xhyben që mbaja veshur, megjithëse nuk kisha tjetër. Pas kësaj dola dhe u nisa drejt xhamisë. Rrugës takohesha me njerëz që më uronin që Zoti e kishte pranuar pendimin tim. Kur hyra në xhami, Talha ibnu Ubejdullah u çua dhe më përqafoi. Ishte i vetmi nga muhaxhirët që më përqafoi dhe nuk ia harroj këtë. Kur më pa Profeti a.s., më kërkoi t’i shkoja afër kurse fytyra i ndriste si hëna. Kur i shkova pranë tij më tha: “Ulu!” dhe unë u ula. Kurse ai vazhdoi:”Gëzohu me ditën më të bukur që kur të ka lindur nëna o Ka’b. Zoti ta pranoi pendimin”.

Pastaj Profeti a.s. recitoi ajetet e shpallura nga Zoti i tij.

I thashë: “O i dërguar i Zotit, meqë Zoti ma pranoi pendimin, do të jap sadaka të gjithë pasurinë time!”

Profeti a.s. tha: “Jo o Kab, mbaj një pjesë të pasurisë për vete dhe familjen!”

I thashë: “Atëherë do të jap sadaka hisen time nga plaçka e luftës në Hajber. Si shenjë e pendimit tim o i dërguar i Zotit, është se pas kësaj dite nuk do të them veçse të vërtetën.”

Teksa e tregon këtë ngjarje shumë vite më vonë, Ka’bi thotë: “Deri sot nuk kam folur veçse të vërtetën dhe uroj që t’i përmbahem kësaj derisa të vdes”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit