-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Me raportet e progresit, Komisioni Evropian synon përshpejtimin e zgjerimit

Më të lexuarat

Vetëm pak javë para përfundimit të mandatit pesëvjeçar, Komisioni Evropian (KE) do të miratojë dhe bëjë publike paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e përfshira në këtë proces.

Do të jetë kjo paketa e fundit që miratohet nga përbërja e tashme e Komisionit, i cili është në largim e sipër.

Sipas planit, kjo pritet të ndodhë në takimin e Kolegjit të KE-së, më 30 tetor në Bruksel.

Plani i mëhershëm ishte që këto dokumente të miratoheshin më 16 tetor, por u shty për dy javë, për shkak të disa rrethanave.

Kur ishte përmendur 16 tetori për miratimin e paketës së zgjerimit, besohej se Komisioni i ri Evropian do të ishte i gatshëm ta niste mandatin që më 1 nëntor.

Por, ndërkohë, seancat për dëgjimin dhe votimin e kandidatëve për komisionarë të rinj u shtynë për dy javët e para të nëntorit, ndaj Komisioni i ri nuk do të jetë gati para 1 dhjetorit.

Sipas burimeve nga BE-ja, të cilat kanë pasur mundësi t’i shohin raportet e progresit në versionet e tyre të punës, pra si drafte, kësaj radhe pritet që ato të theksojnë një lloj përparimi për të gjitha vendet kandidate dhe për Kosovën si të vetmen “kandidate potenciale”.

Qëllimi i Komisionit është që, në njërën anë, të jetë objektiv në vlerësimin e gjendjes reale të vendeve nga procesi i zgjerimit, por, në anën tjetër, të mos jetë shumë kritik ndaj tyre, me qëllim që ta evitojë mundësinë që ndonjë vend anëtar i BE-së t’i përdorë pikërisht këto raporte për ta penguar avancimin e procesit.

Në pjesën politike të dokumentit strategjik për zgjerimin do të nënvizohen të arriturat kryesore gjatë vitit të fundit.

Në mesin e tyre pritet të përmendet vendimi i Këshillit Evropian nga dhjetori i vitit 2023 për t’i hapur negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, pastaj vendimi me kusht për t’i hapur negociatat edhe me Bosnje e Hercegovinën, si dhe dhënia e statusit të vendit kandidat Gjeorgjisë.

Mali i Zi, gjithashtu, shënoi një hap përpara me miratimin e raportit kalimtar për përmbushjen e kritereve nga kapitulli 23, që ka të bëjë me sundimin e ligjit.

Shqipëria, vetëm disa ditë para miratimit të Raportit të ri të Progresit për të, e hapi grup-kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE.

Të gjitha këto dhe të tjera do të përfshihen si të arritura në raportet e progresit për këto vende dhe në dokumentin për strategjinë e zgjerimit.

I vetmi vend për të cilin nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim, është Kosova.

Ajo e ka dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 aplikacionin për anëtarësim në BE, por ajo kërkesë nuk është shqyrtuar ende.

Kështu, Kosova mbetet e vetmja nga dhjetë vendet e procesit të zgjerimit, që nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Por, edhe për Kosovën, Raporti i Progresit pritet të jetë voluminoz dhe të analizojë reformat dhe performancën në të gjitha fushat, sikurse për të gjitha vendet tjera nga ky proces.

Raporti i Progresit për Kosovën dhe ai për Serbinë pritet të përmbajnë kritika për të dyja këto vende për mungesë të gatishmërisë për t’i zbatuar obligimet që dalin nga dialogu i tyre për normalizimin e marrëdhënieve, i lehtësuar nga BE-ja.

Kjo nuk do të jetë ndonjë befasi, pasi pakënaqësinë për mungesën e përparimit në dialog, në BE e kanë shprehur tashmë edhe publikisht.

BE-ja vazhdimisht rikujton Kosovën dhe Serbinë se rrugëtimi i tyre evropian varet edhe nga dialogu për normalizimin e raporteve mes tyre.

Një e arritur në raportet mes BE-së dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor është miratimi i Planit për Rritje dhe Reforma.

Fjala është për një paketë prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë janë grante pa kthim, ndërsa pjesa tjetër është në formën e kredive të favorshme.

Me këtë paketë synohet t’u ndihmohet vendeve të rajonit që të përgatiten për përparimin drejt integrimit në BE.

Pjesa që do të kërkojë më shumë nga vendet e rajonit në këto raporte të progresit, ka të bëjë me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe reformat e administratës publike.

Ndonëse ka dallime mes vendeve kandidate sa i përket nivelit të progresit në këto fusha, të gjitha janë ende larg nga arritja e nivelit që kërkon BE-ja.

Komisioni Evropian pritet që, në veçanti, të bëjë ftesë për më shumë progres në sigurimin e një gjyqësori të pavarur, për respektimin e lirisë së shprehjes dhe për depolitizimin e administratës publike.

Nga vendet e rajonit edhe me këto dokumente pritet të kërkohet që të vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e migrimit, përfshirë përshtatjen me politiken e azilit dhe të vizave të BE-së.

Pasi të miratohen nga Komisioni Evropian, këto raporte të progresit dhe paketa e zgjerimit do të shqyrtohen në muajin dhjetor edhe në Këshill nga vendet anëtare.

Në bazë të tyre, pritet edhe të merren vendime për hapjen apo mbylljen e kapitujve në procesin e negociatave të anëtarësimit për disa vende kandidate, sidomos për Malin e Zi dhe për Serbinë.

Gjithashtu, gjatë muajit dhjetor, pritet të zhvillohet edhe një samit i përbashkët i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit