1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

“Me incidentet në Al-Aksa, Izraeli vë në sprovë pulsin e muslimanëve në botë”

Më të lexuarat

Jasmin Rexhepi, aktivist humanitar nga Shkupi, thotë se i gjithë komuniteti ndërkombëtar tashmë 69 vite bie në të njëjtën sprovë – çështjen palestineze

SHKUP (AA) – Dhuna e ushtruar nga ana e forcave izraelite të sigurisë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, ditëve të fundit është në fokus të opinionit botëror. Intelektualë të shumtë, politikanë, organizata ndërkombëtare, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe aktivistë humanitarë dënojnë sjelljen e Izraelit ndaj muslimanëve dhe këtë shkelje të lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut.

Jasmin Rexhepi, aktivist humanitar nga Shkupi, duke komentuar situatën në Al-Aksa për Anadolu Agency (AA) thotë se i gjithë komuniteti ndërkombëtar tashmë 69 vite bie në të njëjtën sprovë – çështjen palestineze.

“Ajo përbëhet nga një sërë shkeljesh të ligjeve dhe konventave të betejës ndërkombëtare nga ana e udhëheqjes aktuale izraelite, ndër të cilat më të rënda janë mos-njohja e Palestinës si shtet, pushtimi i Bregut Perëndimor, bllokada dhe agresioni në Gaza, mos-kthimi i refugjatëve palestinezë në fshatrat e tyre të shkatërruara dhe kolonizuara, kolonët izraelitë të paligjshëm dhe vendbanimet e tyre të paligjshme si dhe shkatërrimi dhe përvetësimi i trashëgimisë kulturore dhe fetare të palestinezëve”, thekson Rexhepi

Nga pjesa e fundit, thotë ai, si çështje më e ndjeshme dallohet ndalimi i kryerjes së lutjeve fetare për muslimanët në Al-Aksa.

“Ky ndalim është shkak i vendosjes së detektorëve të metalit në hyrjet e xhamisë, të cilat palestinezët i refuzuan. Në vendet tona detektorë të metalit ka në hyrje të çdo institucioni, prandaj opinioni publik botëror mendon se palestinezët protestojnë padrejtësisht. Në fakt, bëhet fjalë për shënimin e një territori të sundimit dhe pushtetit për vendime nga autoritetet izraelite për palestinezët”, thotë Rexhepi.

Sipas tij, kjo ka të bëjë me detektorë të mëdha dhe kompleks, si dhe kafaze për kontrollin e turmës dhe hyrjes. Ai thotë se pika të tilla të kontrollit ka kudo ku palestinezët dalin nga lagjet e tyre për në qytete të tjera.

“Këto janë pika kontrolli që synojnë të komplikojnë dhe vonojnë hyrjen në xhami. T’i bëjnë vizitorët të ndjehen të poshtëruar, t’i dekurajojnë ata që të mos vijnë shpesh, duke reduktuar në atë mënyrë numrin e vizitorëve dhe duke u justifikuar përmes masave të sigurisë. Ndërsa, numri i reduktuar i vizitorëve, përsëri është në favor të politikës së përvetësimit të vendeve të shenjta dhe xhamive nga ana e autoriteteve izraelite, e kështu, pas shumë përpjekjeve, ekstremistët hebrenj të hyjnë me forcë dhe t’i kryejnë lutjet e tyre në Al-Aksa. Ndërkohë, duke shkaktuar incidente, autoritetet pushtuese do ta bëjnë të njëjtë gjë si me xhaminë Ibrahim. Domethënë, do të ofrojnë një ditë për lutje të hebrenjve, pastaj kështu me radhë ta ndryshojnë çdo të dytën ditë, që në fund të lënë vetëm një ditë për muslimanët, duke e arsyetuar atë vendim me numrin e reduktuar të vizitorëve, e cila do të rezultojë me arritjen e madhe të ëndrrës sioniste – ndërtimi i tembullit hebre, pjesë arkeologjike e të cilës është Muri i Vajtimit”, deklaron Rexhepi.

Kur bëhet fjalë për pjesët arkeologjike dhe përvetësimi i objekteve historike, shton Rexhepi, “duhet të përmenden edhe mbi gjashtëdhjetë tunelet nën Qytetin e Vjetër dhe xhaminë Al-Aksa, të cilat kur do të dobësohen do të shkaktojnë rënien e mureve të kompleksit Al-Aksa dhe mundësinë për të ndërtuar tempullin hebre”.

Sipas mendimit të tij, këto plane, provokime dhe dhunë e ushtruar janë vetëm për të vënë në sprovë pulsin e muslimanëve dhe qeveritë e tyre në botë.

“Për incidentin e parë në xhaminë Al-Aksa në vitin 1967, kryeministrja e atëhershme e Izraelit, Golda Meir, ka thënë ‘Atë natë nuk kam fjetur nga frika se të gjithë arabët dhe muslimanët do të vijnë në Jerusalem për të mbrojtur xhaminë Al-Aksa. Por, pasi që nuk kishte asnjë reagim, thash lehtë do t’ia kalojmë me të gjithë ato’. Jerusalemi është një qytet i shenjtë për hebrenjtë, të krishterët dhe muslimanët”, përkujton Rexhepi.

Ndër të tjera, ky aktivist humanitar thotë se xhamia Al-Aksa është xhamia e tretë e shenjtë për muslimanët, duke shtuar se “ata si atëherë, ashtu edhe tani, në mënyrë të shkujdesur u referohen dhe u lejojnë autoriteteve izraelite që t’i përvetësojnë objektet fetare dhe objektet kulturore-historike palestineze e të krishtere, duke mos iu referuar numrit të viktimave në njerëz që këto incidente mbartin”.

Gjithashtu, Rexhepi i referohet faktit se të krishterët palestinezë, siç thotë ai, janë të vetëdijshëm për këtë problem, masovikisht u japin mbështetje bashkëqytetarëve të tyre dhe dalin bashkë në protesta, ku keqtrajtohen, rrihen dhe burgosen njëlloj.

“Atë mizori e kujtoj çdo herë kur shoh ngjarjet, sepse personalisht e kam përjetuar në sulmin ndaj anijes humanitare ‘Mavi Marmara’ në vitin 2010”, shprehet Rexhepi, duke apeluar, “Derisa qytetarët protestojnë dhe ngrenë zërin për të mbrojtur xhaminë e shenjtë dhe për të mundësuar të drejtën për të kryer lutjet brenda saj, qeveritë dhe krerët e vendeve muslimane dhe arabe janë të heshtur, sikurse të mos ketë ndodhur asgjë. Përveç reagimit të presidentit turk, zëri i vetëm në mbrojtje të Al-Aksas dhe Palestinës, mbretërit arabë dhe emirët janë përfshirë thellë në luftërat reciproke për frone, duke përmbushur thënien e vjetër romake ‘përçaj dhe sundo’ në favor të Izraelit dhe aleatëve të tij”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit