Organizata të ndryshme radikale serbe, që janë të ndaluara edhe në Serbi, si janë ‘Obraz’, ‘Srpski çetnicki pokret’, ‘Pokret 1389’, ‘Delije’, ‘Grobari’, pastaj mbi 1000 motoristë, 55 sish nga Rusia, do të jenë në Mitrovicë më 28 qershor.
Në anën tjetër strukturat paralele serbe kanë filluar përgatitjet për pritjen e këtyre grupeve të ekstremit të djathë, që luftojnë për Serbinë e madhe.
Merret vesh se të shtunën në veri të Mitrovicës pritet të mbahet një koncert i madhe, ku do të performojnë grupe të ndryshme serbe, raporton koha.
Për situatën e pritshme, që lidhet me këtë ardhje të serbëve në Kosovë, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka takuar përfaqësuesit joserbë të lagjeve të veriut të Mitrovicës.
Ai ka kërkuar prej tyre angazhim që të ruhet qetësia dhe të kenë besim tek institucionet, në mënyrë që situata të menaxhohet më lehtë. “Qëllimi i strukturave ilegale në veri është të provokojnë konflikt ndëretnik, andaj çdo përshkallëzim i situatës shkon në favor të atyre që nuk e duan Kosovën”, është shprehur Bala.
Ai ka kërkuar nga të gjithë maturi dhe kontribut për qetësim të situatës, ndërsa që për çdo rast t’u drejtohen organeve si policisë, Komunës, EULEX-it apo KFOR-it, në mënyrë që të parandalohet çdo incident. Shqiptarët që jetojnë në veri përkundër provokimeve të vazhdueshme kanë dhënë provimin e pjekurisë dhe përgjegjësisë qytetare, ka pohuar ai.
Përfaqësuesit e lagjeve veriore thanë se gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës kanë qenë të provokuar dhe kanë jetuar në presion të vazhdueshëm. Sipas tyre popullata nuk do të bie pre e provokimeve të grupeve kriminale, të cilat do të qëndrojnë në veri të Mitrovicës dhe të Kosovës gjatë festës së Vidovdanit, 28 qershori i vitit 1389, që lidhet me betejën e Kosovës.
Sami Mehmeti, zyrtarë policor në Mitrovicë, ka theksuar se policia ka rritur praninë e saj dhe ka shtuar numrin e policëve në këtë pjesë të Kosovës gjatë këtyre ditëve. Mehmeti ka shtuar se gjendja e sigurisë është e qetë dhe se policia është e gatshme për çdo rast./Indeksonline/kohaislame