8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

“MCMIX, MCMXXIV”

Më të lexuarat

Shkruan: Ismail Bardhi

Në emër të Allahut!

“MCMIX, MCMXXIV”

“Çfarë më pret? Ç’do të më sjellë ardhmëria? Unë nuk e di, ngase nuk parandiej asgjë. Kur merimanga nga një pikë e fortë lëshohet në thellësi, ajo sheh pandërprerë para vetes vetëm hapësirën e zbrazët, në të cilën askund nuk mund t’i vërë këmbëzat e veta, sado që t’i tundë ato në ajër. E ajo që e shtyn më tutje është fija e vet e hollë që e lëshon nga shpina. Kështu ndodh edhe me mua: para meje vazhdimisht një hapësirë e zbrazët; ajo që me shtyn përpara është një pasojë, që shtrihet pas meje. Kjo jetë është aq tërësisht, aq tmerrshëm e kthyer mbrapsht, sa kjo nuk durohet dot.”
Kierkegaard: Ose – ose.
27 qershori i vitit 1909 është dashur të mos harrohej kurrë, sepse atë ditë ka ndodhur ngjarja ndofta më e trishtueshme e kohës, si për Lindjen, ashtu edhe për Perëndimin. Për Lindjen, për arsye se e ka humbur “lindjen”; për Perëndimin, për arsye se ka mbetur në “perëndim”. Një varg nga Mehmet Akif Ersoji, duket sikur është shkruar pikërisht për atë rast: “Şu uğursuz gecenin yok mu sabahı?” “A thua vallë kjo natë ogurzezë nuk ka të gdhirë?!?” Më e pakuptimta në gjithë këtë ngjarje “të madhe” është se ajo përfundon në një mënyrë shumë nënçmuese, kur katër persona, një ermen, një çifut, një shqiptar dhe një gjeorgjian, përkrahës të “Bashkimit dhe Përparimit”, ia sjellin “fermanin” sulltanit: “Ty populli nuk të do!” Përgjigjja ironike e sulltanit ka qenë: “A nuk mundi ky ‘Bashkim dhe Përparim’ të gjejë njerëz më të denjë!?!” (Me siguri këtë e ka thënë ngaqë po këta katër kanë qenë shkaktarë për një gjendje tmerruese të kësaj Perandorie, dhe ndoshta ka qenë i sigurt se këta nuk i sjellin asgjë të mirë askujt, përveç kobit.)

Çfarë ndodhi, çfarë ishte ai moment, ai mëngjes? E para, i jepet fund një Perandorie shumëshekullore, dhe, e dyta, shkohet drejt asaj që të marrë fund një frymë institucionale shpirtërore me rëndësi të veçantë për rendin dhe qetësinë, siç ishte hilafeti, sepse atributi më i lartë që vetë Zoti ia përshkruan njeriut është halifetullahi fi’l-erd.

Nuk është për t’u habitur që erdhi deri te ndërprerja e sulltanatit, pa marrë parasysh se një gjë e tillë ka qenë e dhimbshme, ngaqë kishte lëshime të mëdha kulturore, ekonomike, politike, ushtarake dhe shtetërore, edhe pse historia kur flet për këtë periudhë, atë e përshkruan si një kohë kur edhe të krishterët, edhe çifutët kanë qenë të mbrojtur, në mos edhe të privilegjuar, dhe kur nuk është bërë kurrfarë dallimi mes tyre dhe muslimanëve. Kishat, sinagogat, kanë qenë aty, dhe jo vetëm që nuk janë prishur, por përkundrazi kanë pasur status të veçantë. Pra, fundi i një perandorie njerëzore. Nëse dëshironi t’i biem shkurtë, në këto njëqind vitet pas Perandorisë Osmane a keni dëgjuar që muslimanët në emër të Islamit të kenë prishur kishë apo sinagogë? E sa i përket xhamive, medreseve, teqeve, monumenteve kulturore të frymës së Perandorisë Osmane (pra, Islamit) atyre u është zhdukur çdo gjurmë. Kjo ka ndodhur në tërë hapësirën e Ballkanit. Me qindra xhami, medrese e teqe sot nuk ekzistojnë. Nëse dëshirojmë ta përjetojmë këtë padrejtësi për së gjalli, mjafton të hidhet një shikim se si sot në Perëndim çdo xhami, çdo mesxhid, çdo dhomë për falje nëpër bodrume kalon nëpër fazat më jonormale, tamam brenda një injorance dhe diskriminimi mendor e njerëzor.

Nga katër “postierët” e kobit të lartpërmendur. këtu dua të flas vetëm për dy: për çifutin dhe shqiptarin. Sa i përket çifutit, është për t’u habitur bukëshkelja dhe mosmirënjohja e tij, kur dihet se çifutët nga Spanja u larguan për arsye se atje filluan t’i shfarosnin një nga një, dhe kërkoheshin edhe pas guri edhe pas druri dhe atë jo nga muslimanët, por nga të krishterët. Dhe a e dini se kush u doli në ndihmë çifutëve asokohe? Muslimanët, Islami. Ata u pranuan dhe mirëpritën nëpër vendet si Stambolli, Bosnja, Shqipëria, Kosova, Shkupi, pra vetëm atje ku kishte muslimanë. Shumë kohë më pas, kjo padrejtësi ndaj çifutëve vazhdoi dhe shkoi aq larg saqë e tronditi botën me holokaustin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me qindra mijëra dhe miliona çifutë, por edhe jevgj dhe të tjerë ishin viktima. Është për t’u habitur se hasim edhe në shkrime bashkëkohore se ky ka qenë një gjenocid i organizuar dhe i kontrolluar mirë edhe nga vetë zionistët. Mua kjo nuk më intereson shumë, meqenëse nuk është diçka e hajrit, dhe ngaqë metodat e këtilla sot u kanë rënë mbi kokë muslimanëve. Mua më intereson padrejtësia që i bëhet dikujt, ndaj jam me ata që janë djegur, janë shkrumbuar nëpër furra apo, shprehur me terminologjinë e Islamit jam me mazllumët. Dhe sërish, edhe në atë kohë, muslimanët ishin të vendosur në mbrojtjen e vëllezërve të tyre nga Lindja si bijtë e Ademit. Atëherë, si është e mundur që ata ta harrojnë këtë mirësi dhe pandërprerë të vazhdojnë me intrigat e tyre antimuslimane?!? Këtu më mundon një çështje: pse çifutët nuk e kanë të njëjtën urrejtje ndaj popullit gjerman, siç e kanë ndaj muslimanëve, edhe pse nga ata janë poshtëruar, persekutuar dhe zhdukur. Në lidhje me këtë më vjen ndërmend kërkesa/refuzimi nga çifutët ortodoksë, të cilët e shohin si të rrezikshëm krijimin e shtetit të Izraelit, duke thënë se krijimi i shtetit të tillë është fundi i tyre. Ja, kjo është një urtësi shumë e madhe që përputhet edhe me mësimet e Kur’anit ku nuk shohim të përmendet as shtet e as kufi, e lëre më politizimi i Islamit apo Islami shtetëror.

Sa i përket atij shqiptarit (Esat pashë Toptani), fundi i tij erdhi shumë më shpejt nga që “duhej” t’i vinte dhe atë nga dora e një shqiptari. Kur jemi këtu duhet thënë se edhe ne shqiptarët me sa duket e ndoqëm të njëjtën rrugë: nuk ditëm t’i ruajmë qenien tonë, nuk ditëm t’i gëzohemi hapësirës ku ishim të lirë dhe bashkë, dhe pranuam jo vetëm ndarjen e trojeve, por edhe shkatërrimin psikik dhe fizik të popullit. Akoma nuk i është dhënë përgjigje pyetjes: a thua vallë ne u çliruam plotësisht, ashtu siç u çliruan të tjerët? Ne shkuam aq larg saqë u ndihmuam edhe armiqve tanë të kahmotshëm dhe morëm pjesë nëpër lëvizjet e ndryshme; historianët thonë se edhe në krijimin e Greqisë kanë marrë pjesë shqiptarët, diçka që i çmend grekët, vetëm që ta dëshmojmë tjetërsimin tonë, apo t’i lajkatohemi një “fuqie” të re. E njëjta ndodhi edhe me serbët. Pra, çka fituam, përpos “pas-”eve tmerruese: në kulturë ngelëm më të vonuarit; në shtetformim më të shkatërruarit, saqë gjendemi në një situatë ku nuk kemi as dëshirë për t’u bashkuar. Këtë e thonë vetë “kokat” shqiptare.

Jam i vetëdijshëm për fjalët e rënda, por dëshiroj të them se këto fjalë ia them vetvetes, pra e përjetoj dhimbjen, sepse në “perandorinë” e re të Europës që sapo ka nisur me hapërimin, e tashmë shkon drejt shkatërrimit të vet, jo që nuk na dëgjohet fjala, por madje edhe tallen me ne. Mirëpo, e vërteta është e këtillë, ndaj këtë e them si thirrje që ne të ndalemi dhe të mendojmë a thua ç’ndodh me ne që vetëm humbasim? A nuk mjafton vrapi ynë herë nga Lindja herë nga Perëndimi, herë nga Veriu e herë nga Jugu; mbështetu tek ai, tek ky… Ja, e shihni se prapë vazhdojmë me gabimet e stërgjyshërve tanë. Akoma kurrsesi nuk mund të çlirohemi nga e kaluara jonë kinse ne e kemi pranuar Islamin “me dhunë”, edhe pse politikisht jemi më antimuslimanët në Europë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë me këto lajkatime që bëjmë, çfarë do të na sjellin ato, çfarë fizionomie do të fitojmë ne. Shpresoj që historia te mos përsëritet, sepse akoma nuk na janë shëruar plagët nga periudha pas-osmane.

Ne e kemi të freskët shprehjen “varreza turke” (lexo: varreza të shumë kombeve të Ballkanit). Nuk ka pëllëmbë toke rreth nesh që nuk e dëshmon një gjë të tillë. Shprehja “varreza turke” është e njohur në të folmen qendrore të Ballkanit thuajse dy shekuj. Njësoj si në rastin e shumë shprehjeve gjuhësore të ngjashme, edhe këtu bëhet fjalë për një domethënie që, kryesisht, mbetet e pashqyrtuar përgjatë gjithë ekzistimit të saj. Ajo përmban një shtrembërim të kuptimit që është kusht për ruajtjen dhe thellimin e ngatërrimit.

“Turke” do të thotë, para së gjithash, muslimane, dhe atë në ato forma që janë krijuar gjatë pranisë së gjatë të sulltanatit osman në Europë. Kur bëhet fjalë për përkatësinë etnike të banorëve të atyre varrezave, nëse ai nocion përdoret në domethënien e tij moderne, atëherë ajo, krahas asaj që është muslimane, mund të jetë edhe shqiptare, boshnjake, malazeze, serbe, kroate, rome, torbeshe, pomake e kështu me radhë. Ajo mund të jetë edhe individuale edhe grupore. Duke pasur parasysh se ata pjesëmarrës të bashkësisë ballkanike të muslimanëve kanë qenë në lidhje të ngushtë politike e kulturore me Perandorinë Osmane, persekutimi dhe shkatërrimi i tyre është identifikuar, kryesisht, me ndërprerjen e pranisë së “pushtetit turk” në Europë. E gjithë ajo që ka qenë në harmoni me atë është konsideruar si një ndërmarrje çlirimtare. Kështu, vrasja e pesë milionë muslimanëve të Ballkanit, si dhe persekutimi i po aq të tjerëve, nga viti 1820 deri më 1920, është paraqitur, kryesisht, si përmbajtje thelbësore e fushatave çlirimtare, në të cilat viktimat janë satanizuar, ndërsa vrasësit e tyre janë shenjtëruar. (Vrasje dhe interpretime të njëjta ndodhën edhe thuajse gjatë gjithë shekullit të kaluar.) Numri më i madh i atyre të vrarëve nuk është varrosur kurrë ashtu siç e meritojnë njerëzit. Varrezat e stërgjyshërve të tyre mbeteshin pa pronarë, ndaj shumë shpejt shndërroheshin në gërmadha dhe vende të shënuara të çdolloj shpërfilljeje njerëzore. Kështu, ato e pasqyronin fotografinë për pronarët e tyre, ashtu siç atë e ofronin vrasësit, edhe para ndërmarrjeve të tyre edhe pas arritjeve vrastare dhe shkatërrimtare. Në lidhje me këtë është edhe citimi i thënies: “Kalon si pranë varrezave turke”, pra pranë hiçit.

Po, varrezat… Mirëpo, do të ishte shumë mirë ta rikthenim pak kujtesën tonë dhe të shohim se çka ndodhi dhe si ndodhi pas kësaj periudhe, pra pas shuarjes të Perandorisë Osmane? Pandërprerë luftëra, djegie, shkatërrime, krijime të shteteve të reja, grabitje dhe frika të ndryshme; nga një shtet u krijuan shumë shtete, nga shumë shtete një shtet; akoma nuk mbaron ky proces në hapësirën e Ballkanit. A thua është ky dënim për tradhtinë në fjalë? Shkrimet e shumta nga autorë të ndryshëm të hapësirës së Ballkanit akoma nuk janë ndalë nga thirrja për luftëra të tjera dhe spastrime etnike. Ja për shembull, lufta kundër terrorizmit ka marrë përmasat më të rrezikshme dhe më të ashpra kundër njerëzimit, sepse këtu dënohet njerëzimi, e jo faji apo gabimi/krimi: i pafajshmi ec me frikë, sikur të ishte fajtor, e në anën tjetër kjo metodë vetë është duke krijuar mundësitë dhe kushtet për terrorizëm. Çdokush është “terrorist” potencial (Murakami), e sidomos në këtë kohë të një shkence të çmendur, që vetëm e dëshmon këtë. Jam i bindur se ne e dimë se e gjithë kjo është një mashtrim dhe një lojë e rrezikshme e botës, vetëm për arsye që të jetojmë me padrejtësi dhe me të pavërtetën. Kjo luftë vërtet është duke na çmendur.

Më ka lënë përshtypje një fragment se: “Sa u shkon për dore kjo, dëshmon më së miri fakti se pak nga pak sipas matricës së vjetër nis ndonjë luftë e re. Me zgjidhjen e nyjave krijohet një e re. Pse? Ngaqë historianët nuk e kanë të qartë se ç’duhet të bëjnë me lëmshin sikur, për çudi, t’u shkonte për dore që ta zgjidhnin atë”. Pas kësaj më shfaqet një pyetje: ku qëndron ky “mëkat” i madh, ky kob i zi, ky “tmerr” (këto janë fjalë të poetëve shqiptarë), që neve nuk na largohen këto gjëma që na kanë rënë mbi kokë? A thua vallë është në sindromën e Skënderbeut, një njeriu që për muslimanët ka qenë “murted”, e për të krishterët “renegat”; dukuri që të dy fetë e dënojnë/ndëshkojnë. Kjo sindromë vazhdon të ekzistojë edhe mbi kokat e sotme te përfaqësuesit politikë shqiptarë, por edhe në diskursin politik. Ata vazhdojnë me pretendimet e tyre se Perandoria Osmane (lexo: Islami) është fajtore për një gjë të tillë, ndaj shkohet nga ajo që dikush thotë “nuk jam musliman, edhe pse mbaj emër të tillë”, “nuk më intereson feja”, e deri te fenomeni i paparë botëror i “ateizmit shtetëror”. E tërë bota ngeli gojëhapur ndaj këtij “prodhimi” shqiptar.

Nëse mendoni se me këtë shkrim mendoj për rikthimin e së kaluarës, kjo do të ishte provë se vuani nga sindroma në fjalë dhe nga mospasja e arsyes së shëndoshë. Unë vetëm dëshiroj që të kaluarën ta studiojmë më mirë dhe në mënyrë korrekte, që të shohim se nga jemi duke shkuar. Ne nuk guxojmë ta harrojmë vetveten tonë, këtë e them duke iu nënshtruar domosdoshmërisë që ma imponon rrethi/vendi, ose ajo frika se “jam i rrezikuar”, dhe mendoj se duhet të kemi shtet të qëndrueshëm, edhe pse në shpirt nuk më interesojnë fare as shtetet e as kufijtë. Gëzohem që ka edhe shumë mendimtarë të nivelit botëror që kanë shkruar dhe menduar për shkatërrimin e Perëndimit (Spengler); fundin e historisë (Fukuyama); vdekjen e njeriut (Guenon), e deri te barazimi i globalizmit me barbarizmin (Ivan Supek).

T’i kthehemi tani pjesës tjetër të titullit, pra vitit 1924, kur hilafeti si institucion shpirtëror i muslimanëve u ndalua nga vetë “muslimanët”, në të vërtetë u hesht, duke u munduar ta heshtë ekzistimin e shpirtit. A ka mundësi të jetohet pa shpirt? Assesi. Ashtu është edhe me hilafetin musliman. Është fakt se kjo ndërprerje u hesht në mënyrë të planifikuar, edhe pse Zoti në Kur’an thotë se po nëse nuk jeni korrektë ndaj të së Vërtetës që e shpall Unë, dijeni se Unë atë e mbroj. Pra, le ta konsiderojmë hilafetin si mbrojtje për ne, sepse është koha të mendohet edhe për ripërtëritjen e hilafetit shpirtëror, qoftë të atij kontekstual, apo parcial. Këtë e them duke e parë fotografinë tonë “muslimane” se ne akoma nuk jemi rritur, ngritur për një gjë të tillë.

Por, çka të bëjmë në këtë kohë kur në lidhje me këtë çështje shumë të rëndësishme “ata”, por edhe ne (hasha) filluam ta ndjekim atë linjë të vjetër të ndërprerjes së këtij hilafeti. Dhe çka ndodhi: “u krijua” një “hilafet” djallëzor, “hilafet” tmerrues, i cili jo vetëm që nuk ka mbështetje tek Shpallja e Zotit, tek e Vërteta e madhe, por as te shpirti i besimtarëve të vërtetë të fesë. Sot kemi një “hilafet” që nuk është fare prodhim i Islamit dhe muslimanëve, por i globalizmit barbar. Pse? Pse kjo botë të ketë kaq frikë nga e Vërteta; pse nuk mendon t’ia parashtrojë vetes pyetjen filozofike: ku jam duke shkuar dhe ç’duhet bërë; si jam duke jetuar dhe si duhet vdekur?!?

Feja nuk është pjellë njerëzore, nuk është intelekt njerëzor; feja është mëshirë, udhëzim Hyjnor, dhe ne duhet ta kuptojmë njëherë e përgjithmonë se pa të nuk mund të jetojmë. Për këtë nuk nevojitet as filozofia e pastër e as filozofia e varfër, as teologjia e thellë e as teologjia e cekët. Feja është ajo që e mban dhe krijon sigurinë në këtë hapësirë…

Në ligjërimin tonë të përditshëm shpeshherë dëgjojmë thënie të llojit: kjo është planifikuar diku, e ne nuk e dimë se ku, sepse një urrejtje kaq e madhe ndaj muslimanëve në këtë kohë është diçka e pamundur për t’u duruar. Është fakt se asgjë nuk ndodh rastësisht, as kjo urrejtje ndaj muslimanëve nuk është e rastësishme, por më e dhimbshme është se ata që e planifikojnë një gjë të tillë mundohen që të pamundurën ta bëjnë të mundur. Të luftohet Islami është e pamundur dhe e rrezikshme. Të luftohen muslimanët, është padrejtësi dhe mëkat i madh; mendoni kësisoj: çfarë do të ndodhte me fetë qiellore po sikur eventualisht të mos ishte Islami? E dini çfarë: as ato nuk do të ishin. Atëherë, si është e mundur të luftohet vetvetja e fesë? Pastaj, si do të dukej një hapësirë pa muslimanë? Si do të dukej një hapësirë pa të krishterin dhe çifutin? Është koha të na tregohet një botë e këtillë e pamundur. Pse dhe si ju mundoheni ta bëni të pamundurën të mundur? Kjo mënyrë e veprimit në hapësirën biologjike është dëshmuar me vdekjen e natyrës; sot shumë bimë dhe shumë shtazë që kanë ekzistuar dikur nuk ekzistojnë më, janë zhdukur, vetëm për arsye se jemi duke u përpjekur ta bëjmë të pamundurën të mundur. A thua vallë kjo pamundësi do të përfundojë njësoj edhe me njeriun, ngaqë tashmë ka filluar të shfaqen disa shenja të çmendurisë së mendjes së njeriut. Njeriu është bërë shumë i rrezikshëm për ne, për vetveten; kush është duke e bërë këtë lloj “njeriu”?

Nga këndvështrimi i pikëpamjes sonë për botën, me parandjenjën dhe bindjen gjithnjë më të përhapur se gjendemi para luftës së tretë botërore, ekziston një gabim aritmetik por qenësor. Bëhet fjalë për shpërfilljen e faktit të madh planetar se Lufta e Madhe Botërore, që filloi më 1914, në fakt kurrë nuk ka përfunduar, dhe se vazhdon drejt kulmimit të vet, drejt fundit të një shekulli, fundit të mijëvjeçarit të dytë dhe fillimit të atij të tretë të epokës së krishtere, dhe ciklit të tretë perëndimor të qytetërimit europian.

Këtë luftë e zhvillojnë fuqitë e “atlantizmit” për shkak të imponimit të “rendit të ri botëror” dhe reduktimit të njeriut në grathoren robëruese të kafshës ekonomike. Në fjalorin e shkollës ruse dhe gjermane të mendimit gjeopolitik “euroaziatik”, “atlantizmi” është term i përshtatshëm për natyrën e fuqive pseudoimperialiste të qytetërimit të Perëndimit, sepse në rend të parë i ndriçon rezultatet e tyre ushtarake, bazat e para të fuqisë botërore të internacionales mamonike të kapitalit. Pas rrënimit të organonit të perandorive të krishtera evropiane, përmes “Luftës së Parë Botërore”, aristokracia plutokrate qendrën e vet e barti në anën tjetër të Atlantikut, duke përfshirë një bazë shumë më të gjerë kontinentale dhe fuqi shumë më të madhe ushtarake-politike për pushtimin e botës.

Caku kryesor i fushatave pushtuese të “atlantizmit” është kontinenti euroaziatik, në të cilin mbështeten mendja dhe zemra e botës, i shikuar nën dritën e simbolizmit metagjeografik. Megjithatë, kufijtë e cekur kontinentalë të konfliktit vlejnë vetëm si orientirë teorikë dhe ideologjikë, sepse në realitetin e kësaj arene ato kalojnë tërthorazi nëpër kontinente dhe shtete, nëpër popuj dhe grupe njerëzish.

Shumë herë tashmë është përsëritur se jetojmë në periudhën “pas-historike”. Vërtetë, ajo përcaktohet, përjetohet ndryshe në kuptimin pozitiv dhe negativ. Ajo që është e re dhe për t’u habitur në debatin tonë me periudhën e “pas-historisë”, e që është me të vërtetë e tmerrshme, nuk është vetëm ajo që jemi dëbuar nga bota; kjo do të thotë nga realiteti që jemi në gjendje ta vështrojmë në mënyrë njerëzore: në kuadër të përvojës, mendimit dhe imagjinatës njerëzore, vëzhgimit dhe përjetimit të afërt, të njohshëm emocional. Kemi vërejtur që moti – pa e ditur fare – se gjithçka na kapërcen, se gjithçka që është ka marrë formën e fatit. Njerëzit hahen rreth asaj se çfarë është e mirë e çfarë e ligë; çfarë është e vërtetë e çfarë gënjeshtër; çfarë është liria e çfarë joliria, detyrimi; çfarë është krimi dhe kush e ka kryer; çfarë është e përgjithshme e çfarë vegullia objektive e saj, maska e saj. Diskutimi përfshin vërtet gjithçka: shtetin, shoqërinë, politikën, shkencën, teknikën; çdo kryerje dhe mundësinë e kryerjes, ata që e kanë shijuar pushtetin dhe ata që e dëshirojnë atë, fshehtas apo dukshëm.

Gjatë kësaj harrohen shpesh kuadrot historike të debatit bashkëkohor për fatin e njeriut, për kobin e idesë së zotërimit, që është në themelet e shkencës së re për natyrën dhe njeriun, teknologjinë universale që sërish shpreh zbërthimin e metafizikës në kuptimin Heideggerian, pranim i dëshpëruar se fati fshihet, se gjendemi në labirintin e jetës dhe të kuptimit. Në të vërtetë, është ky pranim i dëshpëruar i së vërtetës se jemi vetëm gjurmëve të saj, se ajo është e pakapshme dhe e paarritshme, se në çastet e zgjimit dhe të përsiatjes kemi parë se si mendimi i sistemit apo absolutes është diçka e vjetruar; kemi parë se ajo lëndon gjithçka, se largon gjithçka të rastësishme dhe individuale, se fitorja e saj është gjithmonë nënshtrim, madje edhe shkatërrim personal: vdekje e natyrës, si dhe vdekje e njeriut. Në krizën që i fsheh themelet e veta, që lejon depërtimet në dukje të ndryshme dhe kundërthënëse të aq shumë të pastrehëve, që janë më shumë të tillë se ata që janë dëbuar nga kjo apo ajo vendlindje – e gjithë ajo që i është shkelur e drejta kërkon të vërtetën e vet, kohën historike të vetën. Por, ajo e ka kërkuar këtë edhe deri më tani, edhe pse në kërkim e sipër ka kërkuar edhe hakmarrje, ka gjetur mjete dhe teknologji për këtë. Gjithçka e shkelur ka pasur historikisht të drejtë. Mirëpo, veten nuk e ka menduar sa duhet në kuptimin e fundit të metafizikës. Në kuptim e “pas-qëndrimit si formë më e lartë e historisë së metafizikës dhe fatit të metafizikës” (M. Heidegger). Kjo ma përkujton intervistën e dhënë nga Heidegger në gazetën “Der Spiegel” para vdekjes së tij, kur në pyetjen se ku e sheh shpëtimin, ai përgjigjet: Vetëm një zot mund të na shpëtojë.

Lejletu’l-Regaib, 7 prill 2016

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit