-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

“Mbulimi” i Skënderbeut, akt antikombëtar apo ushqim i helmuar

Më të lexuarat

Nga Fitim Zekthi

Nuk ka patur çështje tjetër në Shqipëri për të cilën askush nuk mbeti pa folur, si ajo e “mbulimit” të shtatores së Skënderbeut gjatë faljes së Bajramit. Në debat u përfshinë nga njerëzit më anonimë e të paditur deri tek profesorët, nga gazetarët tek hoxhallarët, nga njerëzit normalë tek ekstremistët. Reagimet e para, ato që i vunë zjarrin gjithë diskutimit dhe bënë të “hyjë në fushë” gjithkush, morën për të mirëqenë një apo disa foto të montuara gjithë ligësi, nuk dihet se nga kush, ku shtatorja e Skënderbeut shfaqej e mbuluar. Këta reagues, nga më të ashprit, u sollën bash si qeniet nën reflekse pavlloviane duke qenë se nuk u menduan për asnjë çast të kuptojnë se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Ata folën për sulm ndaj Skënderbeut, për përdhosje të simbolit kombëtar, për dalje në mbrojtje me akte heroike, për myslimanë që duhet të zgjedhin mes Shqipërisë apo një atdheu tjetër, për barbarë që duan të venë fenë mbi kombin, për talebanë etj etj. Një islamofobi e shëmtuar gjendej në gjuhën e tyre.

 

Reflekset pavlloviane janë parë edhe herë të tjera në lidhje me islamofobinë. Kohë më parë kur po kryhej varrimi i babait të futbollistit të kombëtares Mërgim Mavraj, sixhadja që mbulonte arkivolin u mor për flamur arab, dhe nisi edhe atëherë një dallgë islamofobie. Kur u mor vesh se shtatorja e Skënderbeut nuk ishte mbuluar aspak, si edhe në rastin e sixhades mbi arkivolin e babait të Mavrajt, dallga e islamofobisë mori një formë tjetër, duke ia lënë vendin diskutimeve mbi çfarë janë myslimanët, a janë ata patriotë, a është islami radikal, a e duan myslimanët BE-në, a është mysliman ai që pi raki, a janë mysliamanë ata që nuk agjërojnë apo marrin kredi, etj? Pra në një farë mënyre edhe diskutimet më pas ishin krejtësisht islamofobike.

Përkufizimet mbi islamofobinë kanë ngjyra të ndryshme tek studiues të ndryshëm, por emërues i përbashkët i saj tek çdo studiues është se ajo nënkupton se besimi islam ka një problem përputhjeje me kulturën dhe vlerat e perëndimit, të demokracisë, të kombit, sekularizmit etj. Jan Hjärpe, një studiues nga më të referuarit në këtë fushë, thotë se islamofob është ai njeri që mendon, shprehet apo nënkupton se islami nuk përputhet me vlerat perëndimore, me demokracinë, me sekularizmin e kombin. Jack Straw ministër i brendshëm në Britani, publikoi në vitin 1997 raportin Runnymede Trust për të drejtat e njeriut, dhe tha se, “shfaqja e opinioneve se Islami ka vlera jo të përbashkëta me kulturën tonë, se është inferior ndaj kulturës perëndimore, është islamofobi, dhe është e dënueshme”. Pra nuk ka dyshim se gjuha e atyre, që reaguan nisur nga një mashtrim i poshtër, ishte islamofobe. Gjuha e “popullit të facebook” apo e atyre që rrinë dhe zdërhallin narcisizmin dhe ndjenjat irracionale të urrejtjes në botën on line ishte padyshim e tillë. Populli i këtyre rrjeteve kështu është kudo. Ajo që na dallon nga vendet e zhvilluara është se këtë gjuhë islamofobe në Shqipëri e përdorin edhe gazetarë të njohur, publicistë, opinionistë, profesorë universiteti etj. Në botë e përdorin vetëm blogerët, njerëz që nuk i gjen në universitete apo në media të rëndësishme. Këta blogera apo aktivistë të zakonshëm kurrë nuk janë shqetësuar për ndonjë seriozitet shkencor apo akademik në qëndrimet e tyre. Mund të përmendim Magdi Allam bloger në Itali, i ashtuquajturi Ibn Warraq një aktivist antimysliman në Angli, Pamella Gellner blogere në SHBA dhe organizatore konkursesh karikature, Glen Beck, e një varg i gjatë deri tek Breivik. Elita intelktuale, kulturore apo akademike e vendeve të zhvilluara nuk i ka bërë kurrë këto budallallëqe, përkundrazi ajo ka qenë në luftë me islamofobinë. Nuk ka ndodhur kurrë që Habermas apo Sloterdijk në Gjermani, Panebianco apo Ecco në Itali, Collin apo Gluksman në Francë, Fukyama apo Galdstone në SHBA të thonë se islami ka mospërputhje me demokracinë, kombin, sekularizmin apo se myslimanët vendosin fenë para kombit apo se ata që pinë raki nuk janë myslimanë.

Alasdair Mc Intyre, një nga filozofët më të njohur sot në botë, profesor në universitetin e Notre Dame (Indiana) ka zhvilluar gjerësisht tezën e emotivizmit. Sipas tij, në masë të gjerë, sot njerëzit nuk arrijnë të kenë një kuptim të përbashkët mbi të mirën. Duke mos patur një kuptim të përbashkët mbi të mirën, ata nuk kanë mundësi të ndërtojnë argumente të arsyetuara. Kështu ata hyjnë në diskutim apo në marrëdhënie me të tjerët dhe me botën, duke u nisur nga dëshirat dhe preferencat e tyre, të cilat ata i mendojnë se janë të arsyeshme. Kjo bën që njerëzit, thotë Mc Intyre të përpiqen ta imponojnë dëshirën apo preferencën e tyre në çfarëdo forme që mundin. Në këtë pike, gjithkush ka një kuptim të tij mbi të mirën, të vërtetën dhe të drejtën. Kësisoj gjithkush zgjedh parimet që i hyjnë në punë duke qenë se ai nuk i zgjedh ato sipas një argumenti të arsyetuar por sipas dëshirave. Ky është emotivizmi. Ai është një arsye madhore pse shumë zëra që sulmojnë islamin, shohin një mysliman te çdo terrorist, shohin dhunë te feja, apo e shohin fenë si burim dhune dhe nuk tërhiqen asfare, sepse në atë që thonë nuk ka argumente të arsyetuara. Këta nuk duan të dinë ç’është islami, ç’është feja dhe raporti i saj me kombin, ç’është shteti, ç’janë “luftërat fetare”, si lexohet një tekst fetar, si luftohet terrorizmi dhe ku të çon mënyra e tyre e diskutimit. Ata janë robër të dëshirave dhe preferencave. Është kjo arsyeja pse elita akademike dhe universitare e perëndimit sillet ndryshe, pasi në nivele të tilla akademike nuk mund të ndërtohet mendim mbi preferenca dhe dëshira personale.

Të gjithë ata që kërkojnë që myslimanët të zgjedhin mes Shqipërisë apo një vendi tjetër janë padyshim ndër antishqiptarët më të mëdhenj. Kjo thirrje kërkon prishjen e kombit. Myslimanët janë themelues të këtij shteti dhe të këtij kombi së bashku me të krishterët. Ata që e quajnë islamin të ardhur, të importuar apo që nuk përputhet me vlerat e demokracisë dhe sekularizmit janë antishqiptarë dhe duan shkatërrimin e këtij vendi. Ata që përpiqen ta portretizojnë Skënderbeun si një mbrojtës të vlerave kristiane apo të krishtërimit nuk e duan Shqipërinë pasi ata Heroin Kombëtar e veshin me parzmore fetare duke nxitur ndasitë. Ata myslimanë apo hoxhallarë që shprehen se Skërderbeu është hero i të krishterëve, janë po ashtu në të njëjtën rrugë. Nuk i duhet asnjë hoxhe apo imami të merret me këtë çështje: Skënderbeu duhet nderuar si Hero dhe kaq. Këtu nuk ka çfarë diskutohet. Historianët, antropologët apo akademikët le të debatojnë përditë mbi të në rrafshin shkencor, por hoxhallarët dhe priftërinjtë nuk kanë asnjë punë me këto debate. Dhe në fakt myslimanët këtë gjë e kanë dëshmuar që nga dita kur është themeluar Shqipëria apo dhe më herët. Sigurisht ka patur myslimanë apo edhe hoxhallarë flasin apo shprehen si blogerë, që thonë Skënderbeu nuk është heroi ynë, që nuk duan ta dinë fare për asnjë të vërtetë shkencore, që flasin marina. Por këta nuk merren askund, në asnjë vend të botës, si dëshmi e faktit se ajo që ata predikojnë është islami. As dëshirat apo preferencat personale, as injoranca, e aq më keq nevoja për të rënë në sy, nuk janë kritere mbi të cilat flet apo shkruan një publicist, një profesor apo një studiues. Nëse kjo kategori do të dalë nga kultura e blogerit atëherë edhe “populli i facebook-ut“ do të dalë që andej, pasi ajo kulturë e ato qëndrime përhapen në mënyrë mimetike si infeksion.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit