Kush ishte Faisal, ai që sot i mungon botës islame
Historia e Faisal, mbretit të Arabisë Saudite nuk është vetëm historia e një djali që, në moshën e jashtëzakonshme 12-vjeçare, përfaqësoi vendin në skenën botërore, të udhëhequr nga babai i tij, mbreti i parë i Arabisë Saudite.
Princi i atëhershëm Faisal përfundoi studimet e tij për leximin e Kuranit, studimin e ligjit dhe doktrinës islame në moshën nëntë vjeçare. Ndikimi i të atit mbi të, si ushtarakisht ashtu edhe politikisht, bëri që ai të zgjidhej për të përfaqësuar të atin në forumet ndërkombëtare.
Duke u rritur, ai u bë i njohur si një avokat global për të drejtat palestineze.
Kur u bë mbret në vitin 1964, Faisali kishte një vizion të qartë – mbrojtjen e vendeve të shenjta të Islamit, por prioriteti ishte mbrojtja e Jeruzalemit.
Ai hodhi poshtë çdo ndarje të Palestinës, qofshin ato propozime të OKB-së apo Britanisë, duke e përshkruar krijimin e Izraelit si një kërcënim për stabilitetin politik në botën arabe.
Atij i vlerësuan dy hapa kyç politikë në historinë e çështjes izraelito-palestineze.
Një vizion i bashkimit të botës myslimane
Së pari, ai themeloi Organizatën e Konferencës Islamike (OIC – sot e njohur si Organizata e Bashkëpunimit Islam), për të “mbështetur luftën e popullit të Palestinës”, duke u bërë thirrje shteteve dhe popujve muslimanë të mbështesin kauzën palestineze.
Vizioni i tij për bashkimin e botës muslimane për të mbështetur Palestinën ishte revolucionar.
Me 57 shtete anëtare, Organizata e Bashkëpunimit Islam është organi i dytë më i madh ndërkombëtar në botë pas OKB-së.
Por Arabia Saudite e djeshme është shumë e ndryshme nga ajo e sotme. Prandaj, përkundër madhësisë dhe projekteve të tij, shumë muslimanë sot nuk janë të vetëdijshëm se ky institucion madje ekziston.
Goditja e parë energjetike në botë
Kur sauditët fituan privilegje nafte në vendin e tyre në vitet 1940, kërkesa e vetme e SHBA ishte që ata të mos e përdorin atë fuqi si një armë politike.
Arabia Saudite e pranoi këtë kërkesë vetëm me një kusht: SHBA-ja nuk do të mbështeste krijimin e një shteti sionist në Palestinë. Gjë që nuk ishte e mundur, sepse SHBA-ja ishte e vetëdijshme se një shtet sionist në rajon do t’i shërbente kryesisht interesave të tij në planet e tyre politike afatgjata.
Ky ishte hapi i dytë i rëndësishëm politik i ndërmarrë nga Mbreti Faisal – futja e një embargoje të naftës në vitin 1973, në përgjigje të mbështetjes së vendeve perëndimore, veçanërisht të SHBA-së, për agresionin izraelit kundër vendeve arabe gjatë luftës arabo-izraelite.
Çmimi i naftës u hodh me 300% të pabesueshëm dhe Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja, Holanda dhe Japonia ndjenë peshën e kësaj embargoje. Ishte një goditje që e zhyti ekonominë amerikane në recesion, por në të njëjtën kohë e vendosi Arabinë Saudite në skenën globale si një lojtar kryesor në tregun e naftës.
Guximi dhe vendosmëria e Faisal, të pandalshme
Edhe kur u kërcënua me veprime ushtarake, ai qëndroi i palëkundur.
Kur Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, kërcënoi se do të bombardonte fushat e naftës nëse nuk e hiqte embargon, Faisal u përgjigj me guxim: “Ju jeni ata që nuk mund të jetoni pa naftë. Ne vijmë nga shkretëtira, dhe paraardhësit tanë kanë jetuar me hurma dhe qumësht, dhe ne mund të kthehemi lehtësisht dhe të jetojmë përsëri kështu”.
Edhe pse fuqia e naftës si armë është zvogëluar, me SHBA-në që mbështetet kryesisht në furnizuesin e dytë të naftës, Kanadanë, lufta e tij për drejtësi dhe palestinezët mbetet një frymëzim.
Dy vjet më vonë, në vitin 1975, mbreti u vra nga nipi i tij, Princi Musaid, i cili ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Goditja e parë energjetike botërore mbetet një nga shembujt e rrallë ku janë vendosur sanksione ndaj Perëndimit për mbështetjen e tij ndaj Izraelit, kështu që me të drejtë shumë pyesin nëse një hap i ngjashëm sot do të ndalonte gjakderdhjen në Gaza. /tesheshi.com/