Në iniciativë të ministrit grek të Punëve të Jashtme Nikos Koxias, sot dhe nesër në Selanik do të mbahet takim i ministrave të Punëve të Jashtme dhe Punëve të Brendshme të Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, përkushtuar bashkëpunimit tejkufitar.
MPJ-ja greke kumtoi se në mbledhje, si përfaqësues i MPB-së greke do të marrë pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes Civile, Nikos Toskas.
Në takim do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, si vend kryesues me Këshillin e Bashkimit Evropian.
Në mbledhjen e ministrave temë kryesore e diskutimit do të jenë sfidat e migrimit dhe bashkëpunimi rajonal.
Në rend të ditës së mbledhjeve që do të mbahen nesër do të jenë bashkëpunimi në fushën e menaxhimit kufitar dhe lufta kundër tregtisë me migrantë ilegal dhe rrjetet terroriste. Gjithashtu, bisedat do të fokusohen edhe në dimensionin humanitar të migrimit dhe do të hulumtohen fushat për bashkëpunim dhe koordinim më të mirë për menaxhim me krizën e refugjatëve dhe krizën migruese.