-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Mbishkrime islamofobe kërcënuese në ndërtesën e Fakultetit Filologjik të Prishtinës

Më të lexuarat

PRISHTINË (AA) – Në murin e ndërtesës së Fakultetit Filologjik të Universitetit publik të Prishtinës janë shkruar mbishkrime kërcënuese kundër presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mbishkrimet e këtij fakulteti janë kërcënuar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ku është shkruar “Vdekje Naim Tërnavës, e Hashim Turkut”.

Ndërkaq, duke iu referuar çështjes së xhamisë e cila planifikohet të ndërtohet në lagjen Dardania të Prishtinës, në një mur tjetër është shënuar “O Shpend Ahmeti, në Dardani s’do të ketë xhami turke”. Ndërkaq këtu shkruan se edhe “Do të ketë gjak”.

Këtu kërcënohet kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti se “Do të vritesh, posht VV (Lëvizja Vetëvendosje) dhe Albin (Kurti) Talebani”.

Ndërkaq edhe në një mur tjetër të fakultetit është shkruar “O studentë atdheu ju thërret. Posht Turk”.

Në një komunikatë për media Bashkësia Islame e Kosovës ka dënuar rastin, duke thënë se “Kërcënimet me vdekje ndaj udhëheqësit të shtetit, BIK-ut dhe Komunës së Prishtinës përmes grafiteve është akt i papranueshëm dhe i dënueshëm për shoqëritë normale. Institucionet e vendit e as udhëheqja e BIK-ut nuk ndikohet nga individë të natës që thërrasin në dhunë e mbjellin urrejtje e mosdurim”.

Duke shprehur bindjen se “autorët dhe mentorët e këtij veprimi qyqar nuk paraqesin qëndrimin e qytetarëve të Prishtinës e as të vendit”, BIK-u këtë veprim e konsideron “të izoluar”.

“Këtë veprim e konsideromë të izoluar dhe ftojmë qytetarët e sidomos studentët që mos të bien pre e individëve që thërrasin në dhunë, përhapin shpifje dhe i kontribuojnë urrejtjes e mosdurimit. Feja dhe objektet fetare te ne gjithëherë kanë qenë në funksion të paqes, mirëkuptimit, tolerancës e harmonisë. E tillë do jetë edhe xhamia Qendrore e Prishtinës”, thuhet nga BIK-u.

Së fundmi Bashkësia Islame e Kosovës ka ftuar organet kompetente që autorët e këtij akti të nxirren para drejtësisë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë në rajonin e Prishtinës, Agron Borovci në një deklaratë për AA bëri të ditur se policia ka dalë në vendin e ngjarjes pas marrjes së informatës lidhur me rastin dhe se aktualisht po punon për të sqaruar dhe ndriçuar rrethanat që e karakterizojnë këtë rast.

“Policia po bashkëpunon me Prokurorinë e shtetit për veprimet e mëtejshme hetimore lidhur me rastin”, thotë Borovci.

Kujtojmë se ditëve të fundit është aktualizuar tema për Xhaminë e Madhe në Prishtinë e cila parashihet të ndërtohet në lagjen “Dardania” afër Postës së Kosovës, në kryeqytet.

Gurthemeli për ndërtimin e xhamisë ishte hedhur në vitin 2012 por ende nuk ka ndonjë hap konkret për fillimin e punimeve të kësaj xhamie, e cila do të financohet nga Fondacioni i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), për shkak se Kuvendi komunal i Prishtinës ende nuk ka aprovuar planin e xhamisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit