10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Mbijetesë në tri faza

Më të lexuarat

Të gjithë e dimë se mbijetesa në këtë botë kërkon një mjeshtri, aftësi dhe gjetje të madhe, porse të gjitha këto do të ishin jofunksionale sikur të mos ishin edhe udhëzimet praktike për t’u gjetur dhe udhëzuar. Ndërsa ekzistojnë faktorë anësorë, që nganjëherë janë në anën e njeriut, e shumë herë qëndrojnë përballë tij. Në kohën e ‘gurbetit’ mbijetesa e individit brenda një komuniteti është sfidë, por qëndrueshmëria e komunitetit në vorbullën e përballjeve, konflikteve, mospajtimeve, konkurrencave etj., përbën një sukses që duhet dëshiruar e për të cilin duhet të përvjelim mëngët. Të jesh musliman në shekullin njëzetë e njëtë, në nënqiellin tonë nuk është gjë e lehtë. Të kesh punë me këta që kemi përreth, por edhe me vetveten është akoma më e vështirë. Por edhe kur i kemi parasysh të gjitha paralajmërimet, që për neve janë përgëzime më shumë se çdo gjë tjetër, atëherë e kuptojmë se mbijetesa jo vetëm që është e mundshme, por është një ofertë të cilën e kemi fare pranë dorës dhe vetëm duhet ta marrim. Për mendimin tim, janë tri gjëra të cilave do të duhej t’i përmbahen muslimanët, në mënyrë që të kenë sukses në këtë drejtim.
E para: Duhet të harrojmë se individualisht mund të arrijmë çfarëdo suksesi. Individualizmi është i aplikueshëm vetëm në fazën e nisjes dhe është i tolerueshëm vetëm sa për t’iu bashkëngjitur karvanit. Të gjitha mësimet islame, madje edhe ato që duken se janë shumë të lidhura me botën tjetër na e mësojnë këtë. Por kjo porosi ka esencën e vet: Për të funksionuar një bashkësi (xhemat, komunitet) ashtu si duhet, patjetër duhet të dihet epiqendra. E veçanta e Islamit dhe mësimeve të tij është se boshti rreth të cilit sillen muslimanët nuk është individi, por ideja, mësimi, argumenti. Këtë forcë e bëjnë të aplikueshme njohësit e mirëfilltë të saj, e ata janë dijetarët. Dija dhe dijetarët përbëjnë pra, autoritetin real për muslimanin dhe në momentin kur kjo kuptohet si duhet punët do të shkojnë në drejtimin e duhur. Rreziku ndodh atëherë kur krijohen autoritetet e rreme, apo kur kontestohen ato të vërtetat. Në kohët e hershme të Islamit, tentativa dhe iniciativa të këtilla vinin nga munafikët. Në kohët e sotme gjëra të këtilla, me apo pa dashje bëjnë edhe të atillë që në sytë tonë vlejnë për njerëz të mirë. Nëse dikush është i mirë, kjo nuk e ndërron “cilësinë” e gabimit, ashtu sikur nuk ndikon as edhe “qëllimi i mirë” i pretenduar jo rrallë.
E dyta: Të gjitha ato citate, ajete e hadithe, që flasin për përgjegjësi, gabime e dështime janë për ne. Kur them për ne, kam si qëllim që çdonjëri prej nesh të marrë ajetet apo hadithet kërcënuese dhe të bëjë prej tyre një mekanizëm për përmirësimin vetjak, duke e konsideruar se çdo citat i kësaj natyre i dedikohet drejtpërdrejt atij, e jo dikujt tjetër. Për të rritur efikasitetin e këtyre citateve në jetën tonë ne duhet të përjashtojmë çdo mundësi që ato t’i jenë drejtuar dikujt tjetër, e jo neve. Konsideroj se është e papërgjegjshme dhe shumë e gabuar që ne të “rrihemi” ndërmjet vete me ajete dhe hadithe.

E treta: Kur jemi vetëm duhet të konsiderojmë, se unë jam njeriu më i keq, se gjithë të tjerët janë më të mirë se unë. Të kultivojmë frikën në veten tonë, se ndoshta Mëshira e Allahut mund t’i përfshijë të gjithë, madje edhe ata që në sytë tonë vlejnë për mëkatarë të mëdhenj, përveç neve. Kjo ndjenjë e kultivuar në brendinë tonë do të na bëjë vetëkritikë, modestë dhe të kujdesshëm në sjelljet tona me të tjerët. Ndërsa publikisht, nuk kemi asnjë të drejtë, që t’i ofrojmë vetes komoditet në Mëshirën e Allahut, ndërsa të tjerët të tentojmë t’i privojmë prej saj. Nëse jo për diçka tjetër, atëherë për shkak se nuk e kemi këtë kompetencë. Kjo është ajo që unë e quaj mbijetesë në tri faza.

Hoxhë Ekrem Avdiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit