1.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Mbi 30 të riatdhesuar në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, nga Siria e Iraku

Më të lexuarat

Autoritetet në Kosovë thanë të shtunën se janë kthyer 11 qytetarë që kanë qëndruar në zonat e luftës në Siri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, tha përmes rrjeteve sociale se “duke i kthyer këta persona, ne jemi duke ushtruar përgjegjësinë tonë, jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe si anëtarë të Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in”.

Ministri i Brendshëm tha se gruaja dhe fëmijët që janë kthyer kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje duke bërë thirrje që të respektohet privatësia e tyre.

“Ata kanë dhe meritojnë të kenë kohën dhe hapësirën e nevojshme që të adaptohen. Qeveria jonë është duke i ndihmuar që të kthehen në familjet e tyre, në mënyrë që ata të riintegrohen në rrethin e tyre”, shkroi ministri Sfeçla.

Ai tha se ata të cilët kanë kryer krime, këtu apo jashtë, do të ndiqen penalisht.

Kthimi i qytetarëve të Kosovës nga Siria u përshëndet nga ambasada amerikane në Prishtinë, e cila përmes rrjeteve sociale tha se “Kthimi i këtyre shtetasve demonstron vullnetin e Kosovës që të marrë përgjegjësi për shtetasit e saj, teksa vendos shembull edhe për të tjerët. Kosova është udhëheqëse në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa qindra janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Autoritetet thonë se edhe më tej në zonat e konfliktit, mbetën luftëtarë, gra dhe fëmijë nga Kosova.

Shkup, riatdhesohen 4 pjesëtarë të ISIS-it dhe familjarët e tyre

Edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka bërë riatdhesimin e katër shtetasve nga Siria dhe Iraku, luftëtarë terroristë dhe pesë gra e 14 fëmijë, familjarë të tyre. Procesi i kthimit të tyre në atdhe është bërë në bazë të zotimeve të Maqedonisë së Veriut që dalin nga e drejta ndërkombëetare, ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe standardet dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kundër katër luftëtarëve të organizatës terroriste “Shteti Islamik” janë ngritur aktakuza përkatëse mbi bazë të të dhënave të siguruara nga Ministria maqedonase e Punëve të Brendshme dhe Byroja e saj për siguri publike në bashkërenditje me Agjencinë për siguri kombëtare, siç thuhet në një komunikatë të qeverisë në Shkup.

Autoritetet kishin nxjerrë urdhërarrest ndërkombëtar për ata, ndërsa në mungesë u ishte caktuar masa e paraburgimit.

Gratë dhe fëmijët e riatdhesuar do të vendosen në karantinë 14 ditëshe, në bazë vullnetare dhe do t’u nënshtrohen kontrolleve mjeksore në pajtim me Ligjin për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet ngjitëse. Qeveria njofton më tej se shërbimet përkatëse do të mbledhin të dhëna mbi pjesëmarrjen e mundshme të të kthyerve në atdhe në vepra kriminale, për çdo rast veç e veç.

Qeveria thekson se me përjashtimin e mundësisë nga përfshirja e tyre në vepra të dënueshme dhe duke respektuar në tërësi parimin e vullnetit të tyre, do të fillojë procesi i rehabilitimit, risocializimit dhe riintegrimit në komunitet dhe shoqëri.

Autoritetet nuk flasin për kombësinë e pjesëtarëve të Shtetit Islamik dhe grave e fëmijëve të rikthyer.

Në të kaluarën ka pasur grupe dhe individë nga Maqedonia e Veriut të cilët i bashkoheshin organizatës terroriste në Siri dhe Irak, numri i të cilëve vlerësohet të ishte mbi 200 deri në 300, megjithëse autoritetet nuk kanë dhënë asnjëherë shifra publike. Disa kanë mbetur të vrarë në betejat e atjeshme apo në rrethana të panjohura, ndërsa një pjesë kishin arritur të kthehen të dëshpëruar dhe penduar për veprimin dhe për atë që kishin parë në këto shtetet të Lindjes së Mesme./VOA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit