-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Mbi 30 mijë muslimanë të Arakanit të bllokuar në kufirin me Bangladeshin

Më të lexuarat

Aktivistë që mbrojnë të drejtat e muslimanëve të Arakanit kanë theksuar se mbi 30 mijë muslimanë të Arakanit të ardhur nga qytetet Maungdaw dhe Rathidaung në veri të Arakanit nuk kanë arritur ta kalojnë Lumin Naf në kufirin me Bangladeshin

– Mbi 30 mijë muslimanë të Arakanit (Rohingya) të cilët kanë ikur nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve radikalë në shtetin e Arakanit (Rakhine) gjenden të bllokuar në zonat malore në kufirin e Mianmarit me Bangladeshit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një lajmi në CNN, aktivistë që mbrojnë të drejtat e muslimanëve të Arakanit kanë theksuar se mbi 30 mijë muslimanë të Arakanit të ardhur nga qytetet Maungdaw dhe Rathidaung në veri të Arakanit nuk kanë arritur ta kalojnë Lumin Naf në kufirin me Bangladeshin.

Aktivistët janë shprehur se këta persona janë bllokuar në zona malore prej disa ditësh dhe kanë mungesë të ushqimit, ujit dhe pajisjeve mjekësore.

Kyaw Win, një nga drejtuesit e Rrjetit të të Drejtave të Njeriut për Birmaninë (BHRN) me qendër në Londër, ka theksuar se “Jeta e këtyre njerëzve më të pambrojtur duhet shpëtuar sa më parë”.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Evropian për Muslimanët Rohingya (ERC), Hla Kyaw, për AA tha se “tani ushtria në vend të vrasjes së muslimanëve të Arakanit, ka filluar t’i largojë ata nga fshatrat e tyre”.

Sipas tij, ushtria e di se muslimanët e Arakanit gjithsesi ballafaqohen me vdekjen duke u përpjekur ta kalojnë kufirin me Bangladeshit apo duke pritur në male. “Ata tani më nuk do t’i harxhojnë plumbat”, ka shtuar ai.

Ndryshe, numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.

Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.

OKB njofton se mbi 123 mijë muslimanë të Arakanit deri më tani kanë kaluar në Bangladesh, megjithëse dhjetëra mijëra vazhdojnë të presin në zonën kufitare.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.

Po ashtu, qeveria e Mianmarit nuk është duke lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare për muslimanët e Arakanit që kanë marrë rrugën e migrimit ose kanë mbetur pa shtëpi.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit