3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Mbi 100 mijë të rinj në Kosovë pa të ardhme

Më të lexuarat

Kosova e ka popullsinë kryesisht të moshës së re, por më shumë se gjysma e të rinjve kosovarë janë të papunë, kurse një pjesë e tyre nuk ndjekin shkollën e as nuk trajnohen.
Në këtë kategori, sipas Agjencisë se Statistikave të Kosovës, janë mbi 100 mijë të rinj në Kosovë që janë krejtësisht të shkëputur nga tregu punës si pasojë e mungesës se shkollimit, shkruan Gazeta Fjala.

Në Anketën e Fuqisë punëtore për tremujorin e fundit të vitit 2016, kjo agjenci alarmon se si pasojë e kësaj Kosova mund të këtë probleme të mëdha sociale në të ardhmen.

“30.5% e të papunëve në Kosovë ishin të rinj (të moshës 15-24 vjeç) me pothuajse 13 pikë diferencë midis meshkujve dhe femrave. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së re është e papunë (52.2%) dhe shkalla e papunësisë tek rinia e gjinisë femërore është më e lartë (64.9 %) krahasuar me meshkujt (47.0%)”, thuhet në anketë.

Në tremujorin e katërt të vitit 2016, të rinjtë në Kosovë kishin dy herë më shumë gjasa të ishin të papunë në krahasim me të rriturit, me shifra pothuajse të ngjashme per meshkujt dhe femrat.

E rrezikuar mosha 15 deri 24 vjeç

Të rrezikuar janë kryesisht të rinjtë joaktivë, pra që nuk janë të punësuar. Të kjo kategori të rinjtë nuk ndjekin shkollimin as nuk trajnohen, dhe janë krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës dhe nuk marrin pjesë as në sistemin arsimor, shkruan Gazeta Fjala.

Bëhet fjalë për 104 mijë e 315 të rinj të kësaj kategorie (të moshës 15 deri 24) të kësaj kategorie, të cilet nuk ndjekin shkollimin, nuk ishin të punësuar apo në trajnim dhe përbënin 29.7 për qind të popullsisë së re.

“Përqindjet e larta të këtij grupi në popullsinë e të rinjve rrisin shqetësimet në lidhje me punësimin e të rinjve në të ardhmen pasi tregon shkëputje nga tregu i punës. Përveç kësaj, një numër i madh i të rinjve të pa angazhuar në vendet me papunësi të lartë të të rinjve, siç është Kosova, mund të shkaktojë uljen e fitimeve për shkak të rritjes së konkurrencës, si dhe ka mundësi t’i kontribuojë problemeve sociale”, alarmon ASK.

Rritet papunësia

Kosova e kishte nisur vitin 2016 me 115 mijë e 93 persona të papunë. Ndërsa, viti 2016 është përmbyllur me 140 mijë e 771 persona të papunë. Shprehur në numra, në fund të vitit 2016 ishin 25 mijë e 678 persona më shumë të papunë se sa që ishin në fillim të vitit (janar-mars).

Në tremujorin e katërt, sipas ASK-së, shkalla e papunësisë ishte 28.7 përqind, apo 140 mijë e 771 persona llogaritet se janë të papunë.

Kjo shifër e papunësisë është nga 41.3 për qind e popullsisë që konsiderohet se janë ekonomikisht aktivë.

“Nga popullsia në moshë pune, 58.7 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh”, thuhet në raportin e ASK-së.

Raporti i fundit i anketës për fuqinë punëtore thotë se në tremujorin e fundit ka pasur edhe rritje të punësimit.

“Do të thotë se 71.3% (350,489) e personave ekonomikisht aktivë janë të punësuar, duke krijuar një raport punësimi ndaj popullsisë (shkalla e punësimit) prej 29.5 %”, thuhet në raportin për tremujorin e katër të vitit 2016.

Ndërsa, në fillim të vitit, në tremujorin e parë, kanë qenë vetëm 300 mijë e 673 persona të punësuar. Në tremujorin e dytë, shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) ka qenë është 27.9%, apo 328 mijë e 694 persona thuhet se kanë qenë të punësuar. Në tremujorin e tretë, sipas ASK-së, kanë qenë 347 mijë e 186 persona, apo një raport i punësimit ndaj popullsisë (shkalla e punësimit) prej 29.8 për qind. Përderisa në periudhën korrik-shtator kemi pasur një rritje të numrit të personave të punësuar për 18 mijë e 492 të punësuar krahasuar me tremujorin e dytë, në tremujorin e fundit numri i të punësuarve është rritë për vetëm 3 mijë persona.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit