4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

“Mbështes hapjen sa më të shpejtë të negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut”

Më të lexuarat

Lidhur me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, von der Leyen tha se vendi ka bërë atë që është e nevojshme dhe se tani është radha e BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po qëndron për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka deklaruar se mbështet plotësisht hapjen zyrtare sa më të shpejtë të negociatave të pranimit midis Shkupit dhe Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Presidentja e Komisionit Evropian më herët mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku u prit nga zv/kryeministri i çështjeve evropiane, Nikolla Dimitrov, ndërsa më pas u në godinën e qeverisë takoi kryeministrin Zoran Zaev.

Von der Leyen dhe Zaev vizituan Qendrën Kulturore Rinore në Shkup, pas çka u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.

Lidhur me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, von der Leyen tha se vendi ka bërë atë që është e nevojshme dhe se tani është radha e BE-së.

“Dua që këto negociata me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të hapen sa më shpejtë të jetë e mundur. Unë ju bëj thirrje të mos e humbni besimin. Le ta bëjmë një hap më tej, ju keni shumë miq në BE dhe në Komisionin Evropian dhe le të punojmë fortë për ta mbajtur atë konferencë të parë, që do të jetë qëllimi ynë i përbashkët”, tha von der Leyen.

Ajo përgëzoi Maqedoninë e Veriut për “reformat e zbatuara në fushën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, si dhe shprehu bindje se vendi do të shpërblehet për këtë.

Ndër të tjera, presidentja e Komisionit Evropian foli edhe rreth ‘Planit të investimeve ekonomike’ për rajonin

“Ne vendosëm 9 miliardë euro në tryezë, projekte që ju do të hartoni dhe me to mund të arrijmë 20 miliardë euro investime. Me 500 milionë euro këtë vit, por siç përparojnë gjërat ne do të mund të propozojmë edhe 600 milionë euro shtesë. Do të kemi nevojë për më shumë projekte dhe ky do të jetë sukses i përbashkët”, tha von der Leyen.

Lidhur me krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, ajo theksoi se BE-ja dhe Maqedonia e Veriut po bashkojnë forcat.

“Beteja nuk ka përfunduar. Nga njëra anë kemi nevojë për të tejkaluar pandeminë dhe nga ana tjetër kemi nevojë për të forcuar ekonominë tonë. Ne i dhuruam 325 mijë doza të vaksinave Maqedonisë së Veriut dhe e di se ishte një proces i ngadalshëm në fillim, por më shumë do të vijnë. Ne duhet ta dimë se jo vetëm vaksinat janë të rëndësishme, por është i rëndësishëm edhe vaksinimi. Dua t’u bëj thirrje të gjithëve këtu, vaksinimi mbron veten dhe ato që doni. Nuk duam të kemi një pandemi të të pa vaksinuarve”, tha von der Leyen.

E pyetur se kur do të fillojë konferenca e parë ndërqeveritare midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut duke marrë parasysh çështjen e pazgjidhura të hapura të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, von der Leyen u përgjigj se, “Qëllimi ynë është që të mbajnë seancën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë para fundit të vitit”.

Presidentja e Komisionit Evropian u pyet edhe për problemet aktuale midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat u rritën pasi pala kosovare vendosi që automjeteve me regjistrim të Serbisë nga 20 shtatori t’u lejohet hyrja dhe qarkullimi në territorin e Kosovës vetëm me targa të përkohshme, gjë që shkaktoi pakënaqësi tek qytetarët serb që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, pas çka bllokuan rrugët që të çojnë në dy pika kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Jam gjithashtu e shqetësuar për krizën aktuale midis Serbisë dhe Kosovës dhe me rëndësi tani është që gjërat të mos përshkallëzohen dhe që ata të ulen në tryezën e negociatave”, u përgjigj von der Leyen.

Zaev: Presim që Bullgaria të zhbllokojë procesin

Kryeministri Zaev, nga ana e tij, tha se në takimin me presidenten e Komisionit Evropian diskutuan fazat aktuale ku ndodhet Maqedonia e Veriut në procesin e anëtarësimit në BE, si dhe për realizimin e qëllimit strategjik të Brukselit për zgjerimin e unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne kemi ndërmarrë të gjitha hapat dhe reformat e nevojshme për të zhbllokuar zgjerimin e BE-së dhe ne presim që Bullgaria të zhbllokojë procesin dhe të miratojë kuadrin negociues në përputhje me qëndrimin e 26 anëtarëve të tjerë të BE-së”, tha Zaev.

Sipas tij, përparimi në integrimin në BE duhet të varet kryesisht nga reformat e brendshme që lidhen me kapitujt, legjislacionin dhe arritjen e standardeve të BE-së.

“Në frymën e marrëdhënieve fqinjësore të mira evropiane, ne do të intensifikojmë bisedimet me Bullgarinë me një vullnet të sinqertë për të ndërmarrë hapa më afër zgjidhjeve të çështjeve tona të hapura. Ne kemi treguar gatishmëri dhe kontribut konstruktiv në zgjidhjen e çështjeve përmes respektit reciprok të çështjeve të identitetit të cilat është e pamundur të jenë subjekt i negociatave. Ne jemi të lumtur që sinjalet e mirëkuptimit po vijnë nga Bullgaria për këto çështje të cilat po ashtu janë vlera evropiane”, tha Zaev.

Zaev falënderoi presidenten e Komisionit Evropian për ndarjen e 2.6 milionë eurove në mbështetje buxhetore në emër të BE-së. Ai shtoi se të gjitha këto përmbajtje nga vizita e von der Leyen flasin për dinamikën intensive me të cilën bashkëpunimi me BE-në realizohet në shumë fusha të ndryshme.

Vizita e presidentes së Komisionit Evropian është në prag të Samitit për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet më 6 tetor në Slloveni.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit