3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Mbajtja e shamisë nga myslimanet dhe debati i gabuar – Nga Fitim Zekthi

Më të lexuarat

Ka disa ditë që ka nisur një debat mjaft i gjerë dhe në shumë raste mjaft i cekët mbi atë që flitet si mbajtja e shamive nga vajzat dhe gratë e besimit mysliman në Kosovë. Debate në kësaj natyre janë bërë shpesh këto vite ose këto dekada të pas rënies së komunizmit tek ne dhe të pas pavarësisë në Kosovë.

Një shoqëri e lirë duhet të debatojë për gjithçka që ka të bëjë me ardhmërinë e saj, me liritë, me dinjitetin dhe me jetët e qytetarëve të saj. Një shoqëri e lirë duhet t’i bëjë këto debate me seriozitet, me arsye të kthjellët dhe nisur nga dashuria për vendin dhe njerëzit e saj. Në këtë kuptimin debati mbi mbajtjen e shamive nga vajzat dhe gratë e besimit mysliman duhet të ishte një debat i ndershëm dhe normal.

Për hir të së vërtetës, sa herë diskutohet për besimin mysliman, për ndërtimet e xhamive, për mbajtjen e shamive, për islamin, për liritë fetare dhe mënyrën se si duhet të ushtrojnë dhe shfaqin besimin myslimanët në debat shfaqet vazhdimisht, si në eksperimentet pavloviane, një gjuhë islamofobe, një tendencë për ta parë islamin si diçka që ka një problem, si diçka që ka nevojë të rregullohet, si diçka që shoqërohet me një rrezik, si diçka që nuk është e “jona” po e ardhur, si diçka që e pranojmë se nuk mund të bëjmë ndryshe. Sigurisht që kjo gjuhë ka bartës një pjesë, vetëm një pjesë të debatuesve. Një pjesë tjetër e madhe shumë madje, nuk e ka këtë gjuhë dhe nuk sillet si në një eksperiment pavlovian sapo dëgjon për islamin.

Është një pandershmëri e madhe, është një cektësi e madhe përdorimi i kësaj gjuhe, të shikuarit e islamit dhe të myslimanëve në këtë mënyrë, të diskutuarit mbi islamin dhe myslimanët në këtë mënyrë.

Po të bëjmë një kthim të vogël pas për të parë do të vërejmë se ky vend është themeluar nga burra me fuqi të madhe morale, nga burra që dolën përtej të gjitha dallimeve të tyre. Ky vend ka vuajtur shumë gjatë 45 viteve komunizëm. Një frymë përcëlluese ndarjeje solli një formë të ndyrë racizmi, lufte klasash dhe prodhoi krime të neveritshme. Duke qenë një nga format më të poshtra të ideologjive ndarëse, komunizmi sulmoi egërsisht edhe fenë. Ai vrau, burgosi dhe pushkatoi priftërinj dhe hoxhallarë dhe shkatërroi kisha e xhami. Në fund, ai e ndaloi fare fenë. Gjithsesi në fshatrat, në lagje, në rrugica, në shtëpi, në burgje, në kampe pune vuajtja e madhe nuk prodhoi kurrë gjuhë antifetare apo islamofobe, nuk u pa kurrë islami dhe myslimanët si diçka që ka një problem, që duhet rregulluar, që duhet të kemi një kujdes, që nuk është perëndimor etj.

Gjatë viteve pas pavarësisë, 1912-1944, janë vënë re, në periferi të jetës së vendit, shenja të një ndarjeje të poshtër, të një lufte të ndyrë, asaj që merr për shkas fenë, por duke qenë se politikanët dhe patriotët e lartë: Ismail bej Vlora, Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri, Nikollë Kaçorri, Vehbi Dibra, Visarion Xhuvani, Sulejman Delvina, Fan Noli, Kadri Prishtina, Isa Boletini etj., kishin sakrifikuar gjithçka për një Shqipëri të pavarur të të gjithë shqiptarëve, qofshin ata myslimanë apo të krishterë, ishte e pamundur që zëra kristianofobë apo islamofobë të kishin peshë.

E njëjta gjë edhe me njerëzit me ndikim të shtypit të atyre viteve. Branko Merxhani apo Vangjel Koça, Nebil Çika apo Krist Maloki, Ismet Toto apo Tajar Zavalani nuk shkruan kurrë një fjalë që të kishte brenda ngjyra të fetarofobise, kristianofobisë apo të islamofobisë.

Ndërsa, sa i takon klerit, ata janë një epope më vete. Kleriku i madh, meshtar patriot i papërsëritshëm dhe poet i rrallë, Gjergj Fishta, apo Hafiz Ali Kraja, edhe ky patriot i përkorë dhe dijetar i dorës së parë, njihen për respektin e thellë që predikonin për shqiptarët e besimit të ndryshëm nga ai i veti. Kleriku Anton Harapi, dijetar dhe patriot me zemër të madhe, që sakrifikoi edhe veten për paqen në këtë vend apo Hafiz Ibrahim Dalliu, shkrimtari, patrioti dhe hoxha i madh i Tiranës, i cili ngriti flamurin e Pavarësisë në Tiranë dhe që u rrah barbarisht nga njerëzit e Haxhi Qamilit, jo vetëm nuk shkruan kurrë një fjalë problematike për fenë e shqiptarëve të tjerë, por ishin frymëzimi më i madh i dashurisë dhe i respektit për fenë e vëllezërve të tjerë. Lista me priftërinj dhe hoxhallarë të dorës së parë që bënë gjithçka për vëllazëri fetare dhe fuqizim të kombit shqiptar është e madhe, pavarësisht se edhe në atë kohë kishte zëra periferie, që kërkonin të hidhnin helm.

Gjithsesi duket se këto kohë këta zëra që duan ta shohin islamin dhe myslimanët nën këtë prizëm do të jenë vazhdimisht të pranishëm dhe shoqëria duhet të mësohet dhe të qetësohet duke i parë edhe ata me dashuri si shqiptarë me të cilët kemi të njëjtin atdhe. Ata nuk duhen parë si antishqiptarë dhe as si të paguar, duhen parë si njerëz që kanë një kuptim shumë të gabuar fetë, mbi liritë fetare, mbi shoqërinë e lirë dhe të drejtë. Kjo do të ishte mirë për të gjithë. Ata nuk bëjnë dot dëm.

Kësisoj le të kthehemi tek debati mbi mbajtjen e shamisë. Ka një pyetje themelore që bëhet në një shoqëri të lirë dhe të drejtë. Pse duhet, ti, unë, ne të përkrahim pavarësisht besimit tonë fetar apo politik liritë fetare?

Përgjigja është një dhe e vetme dhe këtu nis gjithë kuptimi ynë mbi mënyrën se si kuptojmë dhe ndërtojmë më pas shoqërinë, shtetin, ligjin, demokracinë etj. Përgjigja është se të gjitha qeniet njerëzore kanë të drejtë të jenë besimtarë në Zot në mënyrën që ata duan. Ne, njerëzit janë prej natyre qenie fetare. Kërkimi për Zotin është diçka e natyrshme për njerëzit. Liria fetare nuk është diçka që iu jepet njerëzve nga qeveria. Ajo është diçka e natyrshme, është një e drejtë e patjetërsueshme, është diçka që iu është dhënë njerëzve nga Zoti. Është detyrë dhe e drejtë e ndërgjegjes njerëzore të kërkojë të vërtetën mbi fenë dhe të ushtrojë fenë lirisht privatisht dhe në publik.

Liria fetare për nga vetë natyra e saj nuk e pranon detyrimin apo imponimin e besimit. Askush nuk mund të detyrohet kundër vullnetit të tij nga askush sidomos nga qeveria të kërkojë Zotin apo të adhurojë Zotin. Vetë Zoti nuk detyron askënd. Kjo pikëpamje për liritë fetare dhe dinjtetin e njeriut qëndron në zemër të përpjekjeve për liri fetare, për shoqëri të lira dhe të drejta.

Pikërisht kjo është ajo që nuk merret si premisë në debatin për mbajtjen e shamisë. Pa këtë premise nuë ka debat, nuk ka kuptim të drejtë mbi njeriun, besimin dhe shoqerinë. Në këtë debat, ndërkohë, hyjnë në diskutim budallallëqe si shkolla është laike, shteti është laik, shamia nuk është veshje kombëtare, nuk është veshje ilire apo pellazge, shamia i duhet Serbisë, shamia nuk të çon në Evropë, burrat i detyrojnë gratë të veshin shami etj.

Fakti që shteti është laik nuk do të thotë se ai është kundër fesë. Laiciteti e bën shtetin neutral, e bën shtetin entitet që nuk përkrah asnjë fe, por jo kundër fesë. Laiciteti ka kuptim në një vend ku lejohet feja. E njëjta gjë edhe për shkollën. Në të nuk lejohet përkrahja dhe propaganda për asnjë fe nga kurrikula dhe nga mësimdhënësit por jo se shkolla është kundër fesë apo kundër ushtrimit të besimit nga nxënësit.

Asnjë fe nuk është etnike, nuk i përket një fshati apo një qyteti, një vendi apo kohe, të gjitha fetë janë universale dhe doktrina, rituali, normat e të jetuarit, rregullat e adhurimit të Zotit nuk janë ilire apo pellazge, nuk janë etruske apo greke, kështu që është budallallëk të flasësh me këtë gjuhë.

Bota ka njohur ide politike dhe sisteme politike që i kanë kufizuar liritë fetare. Bota ka njohur edhe ide apo sisteme politike që i kanë asgjësuar fare liritë fetare, por këto nuk kanë të bëjnë me shtetin e lirë dhe me shoqërinë e lirë. Këto kane prodhuar shkatërrim te lirive, gjymtim të ndërgjegjes dhe dinjitetit dhe shumë vuajtje.

Liria fetare, ajo e besimit dhe e ushtrimit të besimit për vendet që kërkojnë të jenë demokratike dhe të respektojnë dinjitetin e njeriut është një e drejtë themelore natyrore. Ka të paktën 31 vendime madhore Gjykata Supreme e ShBA-së në lidhje me liritë fetare. Që nga vendimi i parë që mendohet të jetë ai Reynold vs United States në vitin 1879 tek Cantwell vs Connecticut në 1940, që nga Brawnfeld vs Brown në 1961 tek Christian Legal Society vs Martinez në vitin 2010 liritë fetare janë mbrojtur me forcë dhe e drejta e ushtrimit të besimit është garantuar gjithnjë.

Po përmendim vetëm dy vendime të kohëve të fundit fare. Në 22 qershor të këtij viti Gjykata Supreme e ShBA-së vendosi në çështjen Carson vs Makin se shteti nuk mund të diskriminojë shkollat fetare duke mos i financuar ato siç bën me shkollat e tjera. Në shtetin e Mejnit, në zona të ndryshme ku nuk kishte shkolla publike veç atyre fetare dhe ku nxënësit shkonin vetëm në këto shkolla (nuk kishte të tjera afër) qeveria e shtetit miratoi një akt që nuk lejonte financimin e këtyre shkollave fetare. Gjykata Supreme e rrëzoi dhe tha se ky akt është diskriminim. Gjyqtari John Roberts që shkroi opinionin e shumicës tha se “ligji nuk i kërkon shtetit të përkrahë edukimin fetar, por kur shteti financon shkollat ai nuk mund të diskriminojë ato fetare”. Gjyqtari tha se “liria fetare është fondamentale dhe askush nuk mund të pengohet për arsye fetare të mos marrë atë që marrin të tjerët ne shoqeri.” Imagjinoni tani që tek apo në Kosovë shteti të financojë shkollat fetare se si do të niste lufta. Imagjinoni sikur të dilte dikush dhe të thoshte në Mejn apo në ShBA se meqë ky person mban shami nuk duhet të lejohet në shkollë. Do të ishte marrëzi. ne nuk mund të kemi liri fetare si në SHBA por të paktën ta marrim si një mënyrë për t’iu qasur.

Po në qershor në këtij viti, Gjykata Supreme mori në shqyrtim çështjen Kennedy vs Bremerton School. Trajneri Joseph Kennedy lutej publikisht në fushë para ose pas ndeshjeve të futbollit amerikan që zhvillonte ekipi i shkollës. Kjo gjë u quajt si tejkalim i lirive fetare. Gjykata Supreme vendosi se trajneri ka të drejtë ta bëjë këtë. Gjyqtari Neil Gorsuch që shkroi opinionin e shumicës tha se “Kennedy nuk po u kërkonte nxënësve të bëheshin pjesë dhe as po i detyronte. Ai ka të drejtë të shprehë besimin e tij dhe ta ushtrojë publikisht”. Imagjinoni tani që të bëhet kjo gjë në shkollat tona apo në institucionet tona. Këtu tek ne do të ishte marrëzi. këtu nuk duan të lejojnë një grua me shami të punojë në një ministari apo një nxënëse me shami të shkojë në shkollë dhe jo më të lejojnë që trajneri apo nxënësi të shprehë kësisoj besimin. Sigurisht që ne kemi specifika tonat dhe nuk po kërkon njeri që mësuesit të bëjnë namaz, lutje apo meshë në klasa.

Një rast tjetër që llogaritet si gure themeli për liritë fetare në ShBA është ai i vitit 1990 Employment Division vs Smith. Në këtë çështje, dy besimtarëve të një kishe indiane amerikane largoheshin nga puna në një orë të caktuar dhe përdornin një substancë që quhet pejote, një substancë e ndalur si drogë që shkaktonte një gjendje të caktuar emocionale. Kompania i pushoi nga puna. Ata kërkuan kompensim për pushimin nga puna. Gjyq pas gjyqi çështja shkoi në Gjykatën Supreme e cila tha se askush nuk mund tu tregojë atyre se si ta ushtrojnë besimin e tyre, aq më tepër qeveria.

Pra, çështja e mbajtjes së shamisë në rast tone nuk është diçka që zgjidhet nga opinionistët apo qeveria, nuk është diçka që e cakton televizioni apo debati në media. Ajo është një e drejtë themelore. Vetëm që ushtrimi i besimit mund të shkaktojë probleme për rendin politik demokratik, për të drejtat e individit dhe shoqërisë atëherë ai mund të kufizohet. Rasti i besimit mysliman dhe rasti i mbajtjes së shamisë nuk ka të bëjë fare me këto gjëra.

Atyre pak që nuk besojnë në Zot, ata që mendojnë se feja është një gënjeshtër dhe një mashtrim, ata që kanë një frymëzim Feuerbah-ian apo Marx-ian mbi fenë, që janë ateistë që nuk e duan fenë dhe për pasojë as islamin i takon të pranojnë liritë e besimit dhe të ushtrimit të besimit si të vetmen mundësi që ne të kemi një shoqëri të lirë dhe si të vetmen mundësi që të kemi një shtet dhe një vend që garanton jetët dhe dinjitetin e të gjithëve. Këtë e kanë bërë shumica e ateistëve në boten demokratike. Atyre pak, fare pak që janë të krishterë, ndryshe nga shumica dërrmuese e të krishterëve tjerë dhe mendojnë se besimi i tyre nuk u lejon të pranojë liritë e myslimanëve, u duhet të lexojnë historinë e Shqipërisë, të kuptojnë se çfarë ishin dhe si vepruan priftërinjtë patriotë dhe të ditur si At Gjergj Fishta, At Anton Harapi, Dom Nikollë Kaçorri, At Pjetër Meshkalla, kardinal Mikel Koliqi etj. Nëse kjo iu duket pak, atëherë të shohin se si jetojnë bashkë prej shekujsh nëpër lagje myslimanët dhe të krishterët, se si jo vetëm pranojnë mbajtjen e shamive dhe të kryqeve nga njëri-tjetri, por edhe se si nderojnë fenë e njëri-tjetrit, të shohin se si flet dhe sillet Dom Gjergj Meta, At Marjan Dodaj etj. dhe jo te zdërhallen në injorancën e vet përçarëse, injorante, të papranueshm

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit