1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Mazohizmi që na shoqëroi tërë jetën…

Më të lexuarat

Nga Dr. Valbona HYSENAJ – MIFTARI – Psikiatër

Doli një ose ca mazohistë të cilët thanë; „Kush të do, të rrahë“, „dajaku ka dalë prej Xhenetit“, etj. dhe kështu turmës injorante iu kthye kjo në besim, iu bë „ligj jetësor“ duke marrë secilën herë e më shumë dimension më të egër kriminal.

Nuk ka kush në shoqërinë shqiptare t’mos i ketë dëgjuar këto thënie „disiplinuese“ producente këto të dhunës së trashëguar brez pas brezit…shumë mbase do t’a kenë përjetuar edhe një formë tjetër të disciplinimit pedagogjik në shkolla ku prindi i lutej mësuesit; „rrahe fëmijën tim nëse nuk dëgjon“, besa fëmijën kishte të drejtë t‘a rrahë edhe farefisi e kojshia…
E keqja është se ende justifikohet kjo dhunë e madje thuhet që „atëherë kur kishte tutë nga mësuesi, kishte respekt“ anipse të gjitha studimet psikologjiko- shkencore kanë vërtetuar që dhuna prodhon dhunën.
Ne duhet njëherë e përgjithmonë ta ngulitim në mendje që; mungesa e edukatës së fëmijëve nëpër shkolla ka rrënjët në familje, pastaj në ditët e sotme një ndikim të jashtëzakonshëm në formësimin e personalitetit luan edhe përdorimi pa kriter i internetit me skena të dhunshme e jo pse mësuesit sot nuk guxojnë të ndëshkojnë nxënësit me thupra, shkopinjë ose shpulla.

Sot nuk është çudi që të gjithë ata që përjetuan dhunë të çfarëdo natyre ose ishin dëshmitarë të dhunës së babait ndaj nënës të kenë të cementuar në trurin e tyre atë mostër sjelljeje. Atyre u mungon aftësia e komunikimit verbal, ata vuajnë nga kompleksi i inferioritetit, kanë probleme me vetëvlerësimin ( pasoja të fëmijërisë nën dhunë sistematike) kështu që dhuna mbetet mjeti që ushqen egon e tyre.
Pra ata duke përdorur forcën do të duken „më të fortë“ kundrejt viktimës, përndryshe ata e dijnë që në brendi janë të brishtë e pa vetëbesim, pra me vetveten janë në luftë të përhershme.
Për pasojat e kësaj dhune ka aq shumë studime shkencore ngase dhuna shtepiake apo në shkollë me të gjjtha format e saj janë pjesë e pandarê e t‘gjjtha shoqërive, kulturave e religjioneve botërore. Pra edhe shoqëritë e civilizuara ballafaqohen çdo ditë me këtë dukuri mirëpo tragjedia më e madhe tek ne është që ende lindja e vajzës personifikon tragjiken…
Jam e bindur thellë që ende ka burra që fajësojnë gruan për lindjen e vajzës, por shpresoj që nuk ka tashmë të tillë që i lëshojnë gratë pse ato sollën në jetë vajza.

Kujt s‘i ka rastisur të dëgjojë: „vajza derë e huaj“. ose kur martohet „lum si ju, ia hoqët gajlen…pastaj kur martohet „mos fol se je femër, duro se je femër“ etj të gjjtha këto i himnizuan djemtë, i bënë të ndjehen superiorë ndaj gjinisë së brishtë.
Ata të cilët u rritën duke dëgjuar këto refrene apo vetëm fakti i të qenurit mashkull i bëri që të ndihen superiorë. Ndërsa ata të cilët i kaploi deliri i madhështisë, ata kanë frikë se mos vallë „robi“ grua sidomos „robi“ i emancipuar po ua then lëvozhgën ose mbetjen e fundit patriarkale dhe kështu ata bëhen udhtrues dhune…
Ata në vend të mekanizmave të zgjidhjes së problemit kanë model të vetëm sjelljen dhe refrenin e prindit nga fëmijëria; „gruas jepi të hajë e dajakun mos ia ndajë“.
Spiralja e dhunës pra do të vazhdojë kështu e do të vazhdojë duke i ndërruar protagonistët e duke lënë pasoja të rënda…
Kjo spirale do të ndërpritet vetëm atëherë kur lindja e vajzës nuk do të konsiderohet më mallkim…/ Familjadheshendeti.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit