2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Mavraj & Myftaraj

Më të lexuarat

Jam i tmeruar nga lehtësia e padurueshme me të cilën turlifarë njeriu që fshehet pas dofarë pseudonimeve, i motivuar nga gjëra krejtësisht triviale, po i jep vehtes të drejtë të shajë e të ofendojë fenë islame, postulatet e tijë, bindjet e besimtarëve muslimanë.

Shkruan h.Sulejman ef Rexhepi

Dikush nga revolucionarët amerikanë të fundshekullit XVIII kishte thënë se “nuk mund të ketë liri të fjalës pa përgjegjshmëri”. Dhe, mjafton të shikosh një natë portalet dhe gazetat shqiptare online për të vërtetuar thënien e parafrazuar më lartë. Portat e hapura për komentuesit e gjithëfarshëm përfundimisht krijuan një kaos i cili po kënaqë meskinët dhe po shkakton neveri te njerëzit e arsyeshëm. Një mal me energji negative po rëshqet drejtë shqisave tona,gadi çdo faqe e klikuar është në fakt një atentat ndaj shijes së mirë, ndaj edukatës, ndaj kulturës. Hapësirat e pamoderuara, të lëna pa zot shtëpie që kryesëpari do duhej të bënte përzgjedhjen e teksteve e informatave, po shndërohen në poligon improvizimi. Përgjegjësi askund.

Kemi parë e kemi lexuar çdo gjë viteve të fundit në mediat elektronike të cilat ngadalë e sigurtë po e vrasin gazetarinë analitike e hulumtuese por unë mendoj se me këtë çështje do duhej të merren profesionistët e asaj lëmie. Dua vetëm të ndalem në një çështje që mua po më bën përshtypje, po më dhemb e po më ofendon tej mase.

Pra, jam i tmeruar, të nderuar lexues, nga lehtësia e padurueshme me të cilën turlifarë sojsuzi që fshehet pas dofarë pseudonimeve, i motivuar nga gjëra krejtësisht triviale, po i jep vehtes të drejtë të shajë e të ofendojë fenë islame, postulatet e tijë, bindjet e besimtarëve muslimanë. Në një trajtesë të shkurtër do përpiqem të merrem me efektet e refuzimit të Mërgim Mavrajt për të reklamuar një pije alkoholike dhe me “margaritarin” e Kastriot Myftarajt i cili bëri padi në prokurori kundër Kur’anit.
Birra Peja

Fudbollisti i kombëtares tonë që pritet të jetë shtyllë e mbrojtjes në kampionatin europian , në një stërvitje paska hequr fanellën me reklamën e Birra Peja. Mërgimi nuk e ka fshehur asnjëherë se është besimtar musliman dhe duke qenë i tillë, gjesti që ka bërë është tërësisht i kuptueshëm. Nuk është e kuptueshme për çfarë arsye mediat krijuan një lajm nga ky veprim që s’ka të bën fare me sportin, me përgaditjet e kombëtares, me synimet dhe shpresat e Mërgimit me shokë përpara një sfide historike të fudbollit shqiptarë.

Dhe, nuk është e kuptueshme, ama hiç nuk është e kuptueshme se si ua mbajti fytyra dofarë gazetarëve dhe një armate të tërë komentuesish të paemër, të pështyjnë aq fortë mbi djaloshin që me vite luftoi e sakrifikoi aq shumë për kombëtaren tonë të përbashkët. I thanë të shkojë e të luaj në Arabi, i thanë se është terrorist, e shpallën tradhëtar thua se kishte grisur flamurin kombëtar.Por nejse, Mërgimi është luftëtar i dëshmuar dhe do dijë të përballet me dashakeqësinë.

Ama, nuk përfundoi muhabeti me Mërgim Mavrajn. Në fakt, aty filloi muhabeti, u kërkua e u identifikua fajtori “ i vërtetë” e që ,kuptohet, ishte Islami. Thua se birra është ndonjë ilaç çudibërës, adhuruesit e sajë thanë që “Islami është primitiv, gjakderdhës, n’a ka lënë mbrapa, duhet të kthehemi në fenë e vjetër, duhet t’i shporim nga trungu kombëtar ata që s’pijnë birra se n’a e morrën fytyrën…” Po të mos ishte qesharake e tërë kjo, do të ishte tragjike.

Sidoqoftë, nga e tërë kjo mbeti një një dilemë e hidhur. A thua konsumimi i birrës është shenjë dalluese e një shqiptari të mirë, e një proevropiani e proamerikani, a birra është ajo që na bën modernë e bashkëkohorë? Po çfarë të themi pra për miliona perëndimorë që janë edhe të krishterë e që, njësoj si Mërgimi,nuk e preferojnë alkoholin. A janë primitivë edhe ata, a është edhe krishterizmi fe primitive me që shumë pjesëtarë të tij janë antialkoholistë ?

Eshtë fatkeqe prirja jonë që nga një gjest individual, qoftë i arsyeshëm ose jo, të krijojmë hata. Sa për hajgare, po ua përkujtoj dashamirëve të thashethemnajave se ne fanellat e kombetares zvicerane është i vendosur një kryq dhe me ato fanella luajnë pesë a gjashtë shqiptarë, prej të cilëve së paku njëri(Xherdani) është besimtar musliman. Hajde të bëjmë teatër me përcaktimet individuale të këtyre lojtarëve. Si thuani ?
Kur’ani para gjyqit

Po lexoj dhe nuk po ju besoj syve. Publicisti shqiptar, Kastriot Myftaraj, paska bërë kalllëzim në prokurori për Librin e Shenjtë, Kur’anin, me akuza penale për “Gjenocid”, “Krime kundër njerëzimit”, “Nxitje e urrejtjes ose grindjeve”, “Thirrje për urrejtje nacionale”. Eu, Kastriot, eu, ç’na çudite ore djalë.

Absolutisht e mbroj dhe e përkrah të drejtën e mendimit dhe veprimit ndryshe sepse aty është baza e shoqërive demokratike. Kastrioti nuk është një pseudonym, ai nuk e gjuan gurin e t’a fshehë dorën siç është bërë zakon ndër ne. Deri këtu, bravo për Kastriotin dhe guximin e tij, por jo këtu e tutje.

Unë nuk do e quaj Kastriot Myftarajn “të rrjedhur”, siç po e quajnë shumë njerëz pas padisë që ka ngritur, sepse ai nuk është fare “i rrjedhur”. Ai, thjeshtë, është një njeri i keqinformuar rreth Islamit e që , rrjedhimisht, ka bërë një keqinterpretim të Librit të Shenjtë të muslimanëve dhe mbi atë interpretim e ka ndërtuar padinë e tij në prokurori. Për dashakeqësinë e mundur të Kastriotit nuk do flas sepse kjo do na shpiente në ujëra të turbulluara, do shkaktonte sërish efekte sikur ato të rastit Mavraj, por kësaj here me pasoja shumë më serioze.

Në një shkrim sikur ky që po e shkruaj, nuk ka hapësirë për të polemizuar me tezat e Myftarajt, andaj do e citoj vetëm një pjesë të “padisë” që ai ia ka bërë Kur’anit e që dëshmon se paditësi është në dalalet. Ja çfarë thotë, Kastriot Myftaraj: “Kurani na shfaqet si një plan për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, si një manual me udhëzime që i jepen një minorance aktive të dhunshme të popullsisë, për të arritur të nënshtrojë dhe të kontrollojë shumicën tolerante të popullsisë. Nëse i bëhet një lexim kronologjik Kuranit do të vihet re se ata paragrafë të tij që pretendohen se shprehin tolerancën dhe bashkëjetesën me të ndryshmit në fe, janë dhënë si udhëzime taktike për sa kohë që muslimanët janë të pakët dhe të dobët”

A po e kuptoni çka po thotë Kastriot Myftaraj?

Ai po thotë se Fjala e Allahut është udhëzues për krim e gjenocid. Po thotë se ne muslimanët, tani e pesëmbëdhjetë shekuj po i besojmë, po jetojmë e po veprojmë sipas një libri që urdhëron krimin. Ka thënë Kastrioti në padinë e tij se duartë dhe shpirti ynë janë të mbuluara me gjak . Paska thënë se aty ku ne muslimanët jemi në shumicë po e po se jemi kriminelë, por ua paska tërhequr vëmendjen edhe të tjerëve që jetojnë me ne aty ku jemi pakicë le të kenë kujdes nga planet tona të fshehta për të cilat po na udhëzuaka Kur’ani.Eu Kastriot, bre.

Nëse kjo që e paska shkruar Kastriot Myftaraj në padinë e vetë nuk quhet islamofobi, unë vërtetë nuk di se çfarë mund tjetër të emërtohet me këtë shprehje. Është neveritëse ajo që ka shkruar publicisti shqiptar. Ai ka ofenduar dy miliardë njerëz që besojnë Allahun dhe Kur’anin, ka thënë gjëra të tmershme që me asgjë nuk faktohen. Dhe, si kulminacion të kësaj akuze kaq neveritëse, paska kërkuar nga shteti shqiptar që të konfiskojë Kur’anin.

Sidoqoftë, Kur’ani është mbrojtur gjatë shekujve nga armiq shumë më të mëdhenjë e më seriozë nga Kastriot Myftaraj. Pyetja ime për publicistin tonë do jetë lokale: A thua,ndër shekuj, shqiptarët muslimanë që janë shumicë në Shqipëri e në Kosovë, paskan ushtruar gjenocid ndaj jomuslimanëve dhe akoma po e bëjnë këtë gjë, “të udhëzuar nga Kur’ani”?A thua shqiptarët e Maqedonisë e të Malit të Zi qenkan në pritje për të ushtruar gjenocidin ndaj të tjerëve?

C’na çudite more Kastriot djali.Aferim, pirolla të qoftë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit