Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se nga sot prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.
Ajo të enjten ka bërë të ditur se mjetet do të dalin në xhirollogari që nga fillimi i javës së ardhshme.
Nagavci ka thënë se do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore.
“Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”, ka njoftuar ministrja.
Ajo ka shtuar se platforma e aplikimit bashkë me instruksionet do të publikohet nesër, ndërsa çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme andaj, “ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë”.
Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008.
Me propozimin për ndryshimin e kësaj praktike ka dalë të hënën ministrja Arbërie Nagavci.
Ajo ka thënë se institucioni që drejton, ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.
Për rrjedhojë, ka thënë Nagavci, Ministria do t’u deponojë prindërve të nxënësve mjete në llogari, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat.
Paralajmërimi i ministrisë se tekstet shkollore duhet të blihen nga prindërit e nxënësve me rimbursim, ka shkaktuar kritika nga opozita, thirrje për dorëheqje dhe frikë për mbarëvajtjen e procesit mësimor. /Telegrafi/