Situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e tensionuar qysh nga muaji i kaluar, kur kryetarët shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.
Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar që Kosova t’i tërheqë njësitë speciale të policisë, që kryetarët shqiptarë të kryjnë detyrat nga vende tjera si dhe të organizojë zgjedhje të reja, por hapa në këtë drejtim nuk ka ende.
E për shkak të kësaj situate Bashkimi Evropian ka vendosur disa masa ndëshkuese për Kosovën. Masata sipas tyre janë për “mos ndërmarrjen e veprimeve për shtensionim të situatës në veri”.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, ka konfirmuar vendosjen e këtyre masave ndaj Kosovës, derisa ka treguar se cilat janë ato.
“Kosova fatkeqësisht ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm. Prandaj, BE – siç tregohet në deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë për politikë të jashtme dhe siguri, në emër të shteteve anëtare më 3 qershor – ka vendosur të zbatojë një sërë masash.
Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano për Telegrafin.
Stano ka shtuar se gjithashtu është pezulluar edhe programimi i fondeve IPA 2024.
“Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është pezulluar gjithashtu. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e WBIF më 29-30 qershor”, u shpreh Stano, duke shtuar se BE-ja ka njoftuar autoritetet e Kosovës më 28 qershor për vendosjen e këtyre masave.
Tutje, zëdhënësi i BE-së ka shtuar se këto masa janë të përkohshme. Ai gjithashtu tha se BE-ja është duke monitoruar Serbinë, dhe në rast se nuk i përmbushin kërkesat e tyre do të ndërmarrin masa edhe ndaj saj.
“Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për deeskalim të marra nga kryeministri Kurti. BE-ja po monitoron gjithashtu nga afër përmbushjen e kërkesave tona nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes”, tha Stano.
Bashkimi Evropian ka theksuar se situata në veri të Kosovës i ka shqetësuar seriozisht.
“Ne nuk mund të përballojmë paqëndrueshmëri, tensione dhe dhunë. Ne kemi dënuar dhunën dhe vazhdojmë thirrjet për de-përshkallëzimin e menjëhershëm nga të dyja palët”, u shpreh Stano.
Stano deklaroi për Telegrafin se Përfaqësuesi i Lartë për politikë të jashtme dhe siguri, në emër të vendeve anëtare të BE-së ishte shumë i qartë për hapat e pritshëm për de-përshkallëzimin e menjëhershëm.
“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo shkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të Kosovës/serbëve”, tha Stano.
Ai shtoi se është thelbësore që palët të kthen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të ndodh zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe zbatimi i Aneksit të saj.
“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, tha Stano.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të insistoj se “nuk mund të bëjë kompromise me kushtetutshmërinë e vendit”, derisa tha se masat ndëshkuese të BE-së janë “të padrejta”.
Ai shfaqi shpresën se këto masa do të jenë afatshkurtra, pasi, siç tha, “Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”.
“Është e vërtetë që janë masa të përkohshme, por të padrejta, për shkak se Kosova dhe Qeveria e saj janë edhe shteti, edhe ekzekutivi më demokratik, pro-evropian dhe progresist”, tha Kurti. /Telegrafi/