0.3 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Masakrat serbe në Kosovë/ Dëshmitë trondisin Kongresin amerikan

Më të lexuarat

Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan zhvilloi një seancë dëgjimore me temë: “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë”. Seanca u kryesua nga kryetari i Komisionit, Eliot Engel, ndërkohë që folën Ilir Bytyqi, i cili dëshmoi për tre vëllezërit e vrarë nga forcat serbe, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës, Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e përdhunimit gjatë luftës si dhe Dr. Paul Williams, Universiteti Amerikan, Uashington.

Eliot Engel: SHBA duhet të bënte më shumë, kriminet s’janë dënuar
Kongresmeni Eliot Engel që hapi seancën tha se sot, pas 20 vjetësh, për viktimat e luftës në Kosovë ka patur shumë pak në mos aspak drejtësi. Ai tha se “Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë duhet të kishin ushtruar më shumë trysni, por përgjithësisht dështuan”. Është hera e parë që në Kongresin amerikan zhvillohet një dëshmi me pjesmarrje të gjerë për të kërkuar drejtësi për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë, me theks të veçantë te viktimat e përdhunimeve.

Engel, i cili prej vitesh ka këmbëngulur në ndjekjen ligjore të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë kritikoi gjithashtu përpjekjet për të krijuar një ekuivalencë të rreme mes autorëve të krimeve dhe viktimave. Askush nuk thotë se nuk ka patur shkelje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, tha ai, por pjesa dërrmuese e krimeve janë kryer nga forcat serbe.

Ai tha se ligji për gjykatën speciale i lejon prokurorët të ngrejnë akuza ndaj cilitdo që ka kryer krime lufte në Kosovë, por deri tani, duket se kjo gjykatë po ndjek vetëm shqiptarët. Engel kërkoi që kësaj çështjeje t’i kushtohet vemendje. Komisioni për Punët e Jashtme, tha ai, do ta vëzhgojë nga afër gjykatën speciale, për të garantuar se ajo do të hetojë autorët e të gjitha krimeve.

Jahjaga: Mijëra jetë u shkatërruan nga lufta në Kosovë
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se duke folur në seancë ajo mban barrën e qindra mijëra jetëve që janë shkatërruar nga lufta në Kosovë. “Ata duan që historitë e tyre të dëgjohen dhe të kërkojnë drejtësi për krimet e kryera kundër tyre”, tha ajo.

“Nuk është një barrë e lehtë. Ne dëshirojmë ta shfrytëzojmë këtë rast për të ndarë pjesë të historisë sonë të dhimbshme dhe për të kërkuar mbështetje në kërkimin tonë të vazhdueshëm për drejtësi. Më konkretisht, kjo seancë dëgjimore sot na ofron një mundësi për të ndarë me ligjvënësit e SHBA dhe audiencën globale se si drejtësia dështoi të mbronte viktimat e luftës së Kosovës dhe çfarë masash duhen ndërmarrë për të ardhmen”, tha Jahjaga.

Ekserti amerikan: Haga ngriti akuza vetëm ndaj 7 kriminelëve serbë
Dr. Paul Williams, i Universitetit Amerikan në Uashington, tha se Gjykata e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ngriti akuza vetëm ndaj shtatë pjesëtarëve të regjimit serb për krime të kryera në Kosovë. “Çuditërisht, – tha ai, – asnjë nga këto shtatë aktakuza nuk përfshinte një akt të qartë të përdhunimit si krim kundër njerëzimit”.

“Serbët vranë 3 vëllezërit Bytyqi në mbarim të luftës”
Ilir Bytyqi, vëlla i Ylli, Agron, and Mehmet Bytyqit, të vrarë nga forcat serbe në mbarim të luftës në Kosovë, tha në dëshminë e tij: “Jam këtu për t’ju ofruar juve dhe botës një mesazh të thjeshtë. Viktimat nuk mund të injorohen. Nëse doni të keni një paqe të qëndrueshme në Ballkan, ne nuk mund të shpërfillemi. Nëse dëshironi që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje që të ketë mbështetje të gjerë dhe të thellë, ne nuk mund të shpërfillemi. Nëse doni që udhëheqësit të mos kundërvënë njërin grup kundër tjetrit, ne nuk mund të shpërfillemi”.

Viktima e përdhunimit: Autori është identifikuar, nuk u dënua kurrë
Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e përdhunimit gjatë luftës, tregoi me tone emocionale hollësitë e dhimbshme të dhunimit të saj në duart e forcave serbe kur ishte 16 vjeç. Ajo tha se edhe pse sot jeton në Teksas me dy fëmijët e saj, ajo nuk do të gjejë kurrë paqe në jetën e saj pa u vendosur drejtësia. Ajo tha se, pasi u përdhunua, kërkoi nga polici që ta vriste, por ai refuzoi pasi kështu do të vuante më shumë.

“Kryesi i këtij krimi ishte identifikuar. Sidoqoftë, 20 vjet kanë kaluar dhe drejtësia dështoi në rastin tim. Torturuesi im nuk ka dhënë llogari për krimet e tij dhe ende është i lirë. Janë 20 mijë gra e burra që përjetuan krime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Krejt çfarë duan është drejtësia. Çfarë unë dua është drejtësia”, ka thënë Vasfije Krasniqi Goodman.

**************************
Kongresmeni Engel tha se nuk ka qenë e lehtë për zonjën Vasfije Krasniqi-Goodman të dilte në publik me historinë e saj të dhimbshme. Eliot Engel ftoi pastaj ish-presidenten Jahjaga që të jepte hollësi mbi përpjekjet për të zbuluar përpara botës krimet seksuale të kryera ndaj grave dhe vajzave në Kosovë dhe për të ndihmuar ligjvënësit të kuptojnë më mirë përmasat e asaj që ndodhi në Kosovë.

Gjatë Luftës në Kosovë, – tha zonja Jahjaga, – përdhunimi u përdor si armë lufte. Ashtu si në shumë konflikte të tjera ku përdhunimi përdoret si mjet lufte, të mbijetuarit përballen me stigmën për një krim të padrejtë të kryer kundër tyre. Përdhunimi u përdor për të shkatërruar strukturën sociale të komuniteteve tona”.

Duke dhunuar brutalisht trupat e grave, – tha zonja Jahjaga, – ushtria serbe, policia dhe forcat paramilitare sulmonin burrat që nuk mund t’i vrisnin dhe torturonin dot drejtpërsëdrejti. Përmes përdhunimit, ata synonin të përulnin burra shqiptarë të Kosovës për t’i paraqitur si të dobët dhe të paaftë për të “mbrojtur” gratë e tyre.

Në të shumtën e rasteve, tha zonja Jahjaga, gratë e mbijetuara nga dhuna seksuale arritën të mbijetojnë, megjithëse ishin plagosur shumë fizikisht dhe psikologjikisht. Atyre iu tha se po lejoheshin të jetonin në mënyrë që të mbanin mend se kush ua bëri këtë. Shumica e grave dhe vajzave të mbijetuara iu lutën përdhunuesve të tyre që t’i vrisnin ato, pas asaj që u ndodhi”. Atifete Jahjaga bëri thirrje që SHBA të ndihmojnë në mënyrë që të gjithë ata që kanë kryer krime të tilla lufte të nxirren përpara drejtësisë dhe të mbahen përgjegjës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit